LSI: PS-PD të tërhiqen nga planet djallëzore për të dëmtuar zgjedhjet
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka komentuar dje shqetësimet e shprehura nga europarlamentarët në lidhje me deformimin e sistemit proporcional dhe standardeve të administrimit të zgjedhjeve, që synon të realizojë Kodi Zgjedhor që po hartojnë në mënyrë të njëanshme lidershipët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Vasili paralajmëroi dy partitë e mëdha që të mos luajnë me votën e shqiptarëve dhe me standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. “Askush sot nuk do të tolerohet më, që nëpërmjet Komisionit parlamentar për hartimin e Kodit Zgjedhor dhe lojës dyshe PD-PS të deformojnë thelbin e demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira si deri tani, sepse do të përballen qartë dhe pa ekuivok me qëndrimin e prerë të Parlamentit Europian dhe të BE-së, të cilët nuk do të lejojnë në asnjë rast miratimin e kodeve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve alla-Zimbabve në Shqipëri. LSI do të jetë gjithmonë e qartë dhe e prerë në qëndrimin e saj për të mos bërë asnjë kompromis me zgjedhjet e lira dhe standardin demokratik të tyre, mbështetur në kredon e saj absolutisht të pandryshuar që çdo shqiptar të votojë vetëm një herë dhe vullneti i tij të mos deformohet e vidhet në komisionet zgjedhore të njëanshme dhe manipulatore”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.
12 Korrik 2008