E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Guvernatorit

Për gjashtë akuzat me të cilat ngarkohet Hashim Rexhepi, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, Expressi ka siguruar dëshminë e dhënë nga Michel Svetchine, ish-drejtor menaxhues i BQK-së.
Rrëfimin e tij për Hashim Rexhepin, Svetchine ua ka dërguar në një letër institucioneve të Kosovës.

Ai ka rrëfyer në lidhje me veprat penale që dyshohet se i ka kryer në periudha të ndryshme, guvernatori i arrestuar, Hashim Rexhepi. Zyrtari ndërkombëtar ka qenë drejtor menaxhues i BQK-së prej janarit të vitit 2005 deri në fund të marsit të 2008, kohë kur atë e ka zëvendësuar Hashim Rexhepi.

Ky ish-zyrtar ndërkombëtar ka rrëfyer për rastin e “King Casinos”, kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, transferimin e 300 mijë eurove për kompaninë e sigurimeve “Dardania”, për kredinë që e ka marrë Hashim Rexhepi, për punësime të ndryshme, si dhe për klubin e futbollit “Prishtina”.

Bazuar në deklarimin e tij, të siguruar nga Express, Michel Svetchine ka thënë se për rastin “King Casinos”, Rexhepi ka ndërmjetësuar një transfer prej 300 mijë eurosh nga “King Casino” në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re” që cilësohet si shmangie tatimi.

“Në fillim të mandatit tim, në janar 2005, më ka rënë në sy se kompania simotër e kompanisë së licencuar të sigurimeve në Kosova e Re ishte edhe pronare e King Casinos. Edhe King Casino dhe kompania Kosovare e Re ishin në duart e kompanisë “Kurum Group”, një grupacion i madh industrial dhe tregtar turk”, ka thënë Svetchine.

Sipas tij, disa menaxherë të këtyre kompanive ishin të njëjtë, prandaj një pjesë e parave të kompanisë së sigurimeve përdorej për nevojat financiare të King Casinos. Në atë kohë, zyrtari ndërkombëtar që drejtonte BQK-në, ka thënë se kishte urdhëruar “Kurum Group” të ndante dy aktivitetet, “King Casino” dhe kompaninë e sigurimeve dhe pastaj ta shesë “King Casinon”.

Ai ka deklaruar se fondet e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re” që përdoreshin për nevojat financiare të “King Casinos” duhet t`u ktheheshin prapa kompanisë së sigurimeve. “Më sa më kujtohet, transferi nga ‘King Casino’ në ‘Kosovën e Re’, arrin disa mijëra euro. Transferet për të cilat di unë nuk ishin para ilegale, megjithëse nuk mund të komentoj për të tjerat që pasuan më vonë”, i ka deklaruar organit të akuzës, Michel Svetchine.

Ai ka sqaruar se “King Casino” i është nënshtruar kontrollit tatimor në vitin 2006 ose në 2007, ku janë gjetur shkelje të ndryshme të ligjit nga “King Casino”, ku si pasojë e kësaj është mbyllur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

“Kurrë nuk kam dëgjuar për 300 mijë eurot e përmendura. Ish-menaxherët e “Kosovës së Re” në vitet 2003 – 2005, dyshoheshin për mashtrime në ‘Kurum Group’ dhe ishin përjashtuar. Pas kësaj, ata shpeshherë përhapnin informata në media kundër njerëzve të shumtë, duke përfshirë edhe disa njerëz nga BQK-ja”, ka deklaruar Michel Svetchine, në dëshminë e tij.

Përveç Hashim Rexhepit, Task Forca Anti-Korrupsion, ka bastisur edhe zyrat e Shkëndije Himës- Zakajt dhe Ibish Mazrekut.
Michel Svetchine, ish-drejtori menaxhues i BQK-së, ka thënë se për rastin e kompanisë së sigurimeve “Dardania”, Hashim Rexhepi, por edhe Shkëndije Himaj - Zeka dhe Ibish Mazreku kanë fituar prona nga kompania “Dardania” në Shqipëri.

“Kurrë s`kam dëgjuar për këtë rast, e as nuk kam pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë çështje”, është shprehur ai. Sipas tij, në mes të vitit 2007, duke e parë raportin vjetor të realizuar nga analiza vjetore e kompanive të sigurimeve të bërë nga e Himaj- Zekaj dhe Mazreku e stafi i tyre përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurimeve brenda BQK-së, kanë zbuluar disa tërheqje të pazakonta të fondeve nga kompania e sigurimeve “Dardania”. Ai është shprehur se këto parregullsi u kanë rënë në sy edhe auditorëve të jashtëm të “Dardanisë”. “Ata shfaqën shumë rezerva rreth llogarisë së kompanisë për vitin 2006”, ka thënë Michel Svetchine.

Pas shumë hetimeve të kryera për rastin “Dardania”, Michel Svetchine ka sqaruar se është takuar dy herë me drejtorin gjeneral të kësaj kompanie, Mehmet Duci, i cili i ka pranuar ish-zyrtarit ndërkombëtar se nga fondet e kompanisë, ka blerë dy prona në Durrës për të dhe për zëvendësin e tij.

“Ai pranoi se kjo ishte keqpërdorim i fondeve të kompanisë dhe paratë duhet t`i kthente në llogari të kompanisë. Ai pagoi paratë e marra nga kompania”, ka deklaruar Svetchine në Prokurori.
Michel Svetchine ka mohuar se guvernatori Hashim Rexhepi ka punësuar në BQK edhe dy vëllezërit e gruas së tij, duke thënë se gruaja e tij nuk ka vëllezër fare.

Po ashtu, Svetchine ka thënë se guvernatori Hashim Rexhepi nuk ka punësuar, e as që ka bërë presion në asociacionin e kompanive të sigurimeve të Kosovës, për të punësuar rreth 28 persona.

“Kurrë nuk kam dëgjuar për këto raste, të cilat e tejkalojnë numrin e të punësuarve në këtë asociacion”, ka thënë ai.

Ai ka rrëfyer edhe se si Hashim Rexhepi, fillimisht kishte marrë një kredi prej 10 mijë eurosh në Bankën Private të Biznesit, për ndërtimin e shtëpisë së tij në periferi të Prishtinës.

Sipas Michel Svetchine, guvernatori Hashim Rexhepi kishte shitur banesën e tij në qendër të Prishtinës dhe një copë tokë në fshatin e tij, në mënyrë që të ndërtonte shtëpinë në periferi të kryeqytetit.

Përveç këtyre, një tjetër akuzë rëndon mbi Hashim Rexhepin, sipas së cilës, ai e ka shtyrë BQK-në të financojë klubin futbollistik Prishtina. Michel Svetchine, edhe për këtë çështje është deklaruar në Prokurori.

“Unë nuk jam në dijeni për këtë. Ajo që mund të them është se kur kam filluar detyrën në janar 2005 në BQK, Rexhepi më ka kërkuar një këshillë lidhur me funksionin e tij në klubin basketbollistik Prishtina, e jo në klubin futbollistik Prishtina”, është shprehur ish-zyrtari ndërkombëtar.

“Rexhepi e përmendi mundësinë e konfliktit të interesit që ndërlidhej me promovimin e tij në postin e shefit të zyrës së mbikëqyrjes në BQK. I propozova që të japë dorëheqje nga klubi i basketbollit dhe ai më tha se e ka bërë këtë gjë”, ka kujtuar Michel Svetchine, pjesë të bisedës me guvernatorin Hashim Rexhepi.

Për të gjitha akuzat që i ngarkohen Hashim Rexhepit, ish- drejtori menaxhues i BQK-së ka propozuar që të shikohen të gjitha dokumentacionet që, sipas tij, janë në folderët e BQK-së.

“Të gjitha dokumentet janë në BQK. Ato mund të ndihmojnë në të kuptuarit e këtyre rasteve”, ka përfunduar rrëfimin e tij në prokurori Michel Svetchine.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›