E Shtunë, 31 Tetor 2026

PTK drejt privatizimit

Nuk mbahet në mend që në Kuvendin e Kosovës të ketë pasur qetësi me të madhe, sesa në seancën e të martës. Qetësi kjo, pavarësisht faktit se po debatohej për një çështje shumë të nxehtë, siç është shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Rëndom kështu ndodh kur në ulëset e legjislativit mungojnë deputetët nga tabori opozitar.

Në fakt deputetët e opozitës kishin zgjedhur bojkotin, për t’i thënë jo strategjisë se Qeverisë për privatizimin e PTK-së. Veç qetësisë, kjo seancë do të mbahet në mend gjatë, pasi ka bashkuar fuqishëm tri partitë opozitare, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Megjithatë, me 42 vota për dhe 4 kundër u miratua në parim projektstrategjia, për t’u kthyer për votim përfundimtar me vërejtje dhe rekomandime në shtator.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes së kësaj projektstrategjie, ka thënë se privatizimi i PTK-së është pjesë e reformave në ekonomi.

Me privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, sipas Thaçit, do të liberalizohet tregu i telekomit në Kosovë dhe do të ofrohen çmime më të ulëta për shërbimet e qytetarëve.

“Qeveria, Kuvendi, institucionet e Kosovës nuk po bëjnë asgjë më shumë se që ka bërë bota demokratike. Kosova është e fundit në Evropën Juglindore që i hyn këtij procesi të vonuar e me pasoja ekonomike. Andaj, Qeveria vlerëson se tani është koha për futjen e kapitalit privat në PTK”, ka thënë Thaçi.

Thaçi sqaroi se fitues i tenderit për privatizimin e PTK-së do të jetë ofertuesi me çmimin më të lartë, dhe pavarësisht se kush do të jetë fitues, punëtorët do të vazhdojnë të punojnë, së paku për katër vjet të tjera.

“Ne si Qeveri jemi të përkushtuar që punëtorët e PTK-së të mos dëmtohen nga ky proces dhe për këtë e kanë garancinë e plotë, edhe timen personalisht, edhe të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit ka thënë se duhet shkëputur nga nostalgjia e së kaluarës, nga e kaluara e ekonomisë centraliste dhe të prapambetur.

Në mungesë të opozitës, zëri u dëgjohej vetëm shefave të grupeve parlamentare të koalicionit PDK-LDK, të cilët, megjithatë, kërkuan më shumë transparencë.

Ramë Buja, shef i Grupit parlamentar të PDK-së, ka thënë se privatizimi është logjikë kohe, por duhet të bëhet kujdes i shtuar dhe ky kujdes kërkon sqarime plotësuese. Edhe Ismet Beqiri, nga LDK-ja, ka theksuar se vendimi për privatizimin e PTK-së nuk duhet të merret nën presionin e kohës, pa u analizuar dhe pa u sqaruar mirë ky proces.

Ndërkaq, pasi deputetët opozitarë kishin lënë sallën, i vetmi që foli dhe kritikoi ashpër, ishte deputeti i AAK-së, Ardian Gjini.

“Mos sillni konfuzion, por sillnani shifra, sa fitojmë t’i mbajmë, sa fitojmë t’i shesim këto asete. Vetë deputetët e pozitës nuk janë në seancë dhe kjo dëshmon se sa ka mbështetje Qeveria”, tha Gjini.

Ndërkaq, nga holli i Kuvendit deputetët e tri partive nga opozita, AAK, AKR dhe LDD, kundërshtuan ashpër këtë strategji, por edhe krejt privatizimin e PTK-së. Për ta, Qeveria i ka hyrë këtij procesi, me legjislacion të pakompletuar, pa u analizuar paraprakisht vlera e këtyre aseteve dhe në kohën kur kriza globale ende nuk ka kaluar.

Deputetja e LDD-së, Besa Gaxherri ka thënë se opozita ishte e bashkuar kundër Qeverisë, e cila, sipas saj, synon të shesë gjithë pronën e qytetarëve të Kosovës. Sipas saj, privatizimi i PTK-së është interes i grupeve të caktuara brenda Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria pretendon që të përfitojë për interesa të ngushta të saj me këtë mostransparencë”, ka thënë ajo.

Përveç përfitimeve të tjera të PTK-së, Gaxherri ka theksuar se kjo kompani është e gatshme po ashtu të hap Post-bankën, me të cilën do të thyente konkurrencën e bankave komerciale në Kosovë.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli ka theksuar se kundër privatizimit nuk është askush, por të bëhet në mënyrë transparente dhe mbi një legjislacion të kompletuar.

“Procesit të privatizimit po i hyhet me një legjislacion jo të kompletuar, pa u analizuar paraprakisht vlera e këtyre aseteve dhe në kohën kur kriza globale ende nuk ka kaluar”, ka thënë Makolli.

E, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, konsideron se kundër privatizimit të PTK-së janë edhe vetë deputetët e pozitës. Ai thotë se askush nuk pajtohet që një kompani fitimprurëse të privatizohet në këtë mënyrë dhe me kaq shpejtësi.

Sipas tij, qëllimi i Qeverisë është të përfitojë sa më shpejt në kohë dhe t’i shesë të gjitha asetet kombëtare pa e llogaritur paraprakisht se sa do të jenë humbjet ose fitimet nga ky proces i privatizimit.

Ndryshe kundër privatizimit ka dalë edhe Sindikata së bashku me punëtorët e PTK-së. Ata protestuan ditë me parë, duke kërkuar nga deputetët që mos ta hedhin votën për t’i hapur rrugë shitjes së PTK-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›