Avokati i Hashim Thaçit: Provat janë të dobëta

PRISHTINË, 2 prill /ATSH/ Avokati Luka Misetic thotë se ish-presidenti Hashim Thaçi është krejtësisht i pafajshëm dhe se provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë janë shumë të dobëta.
Misetic në një intervistë për mediat e Kosovës, në dyvjetorin e fillimit të procesit gjyqësor, shprehet i bindur se ish-presidenti Thaçi është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij nuk kanë asnjë lidhje me provat e paraqitura në gjykim.
Avokati Misetic thotë se ka pasur raste kur gjatë procesit gjyqësor ka pyetur veten pse është akuzuar ish-presidenti Thaçi.
Misetic ka theksuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë apo të sjellë prova të mjaftueshme për disa pjesë të caktuara të dosjes së tyre.
“Ne besojmë që Prokuroria ka dështuar të paraqesë fakte të mjaftueshme për pjesë të caktuara të aktakuzës”, tha ai.
Ai pret një konferencë statusore për ecurinë e çështjes në fund të muajit prill ku do të diskutohen afatet dhe periudhat kohore e çështje tjera specifike, por në këtë pikë nuk ka një afat të caktuar të vendosur nga ana e gjykatës.
“Siç thashë ne besojmë se gjatë procesit është qartësuar dështimi i Prokurorisë për të vërtetuar pretendimet kundër Thaçi”, tha avokati Misetic.
Ai tha se është i zhgënjyer që ish-krerët e UÇK-së po mbahen për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim në Hagë dhe se janë nevojitur dy vjet e gjysmë që çështja e prokurorisë të përfundonte.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është shtyrë dje për shkak të mos paraqitjes së një dëshmitari të Prokurorisë. Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Speciale në një njoftim zyrtar. Seancat e planifikuara për pjesën e mbetur të javës janë anuluar, ndërsa gjykimi është shtyrë deri në një njoftim tjetër.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohen për kinse përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje gjatë luftës në Kosovë. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, pasi Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
/Kosovapress/