Avokati i Ilir Metës rikthehet në proces pas incidentit në Vlorë

Sot pritet të mbahet seanca paraprake ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Ema Çokut, Fatmira Kryemadhit dhe Pirro Xhixho.
Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, është rikthyer në detyrën e tij pas ngjarjes së dhunshme të ndodhur më 8 shkurt në Vlorë.
Pas incidentit në një pikë karburanti, ku u konfliktua dhe u godit fizikisht nga persona të tjerë, Cakrani u tërhoq përkohësisht nga seancat gjyqësore, duke bojkotuar procesin si formë proteste ndaj mungesës së kushteve për një gjykim të drejtë.
Në një prononcim për mediat, avokati u shpreh se “Avokati është Bej dhe Bejlerët janë si hekuri që përkulet, por nuk thyhet. Beteja vazhdon”, duke theksuar vendosmërinë për të vijuar mbrojtjen e klientit të tij. Ai shtoi se sot do të zhvillojë një takim me ish-presidentin Meta, duke konfirmuar rikthimin e tij aktiv në procesin gjyqësor.
Seanca paraprake për Ilir Metën, e cila u shty për sot ( 19 shkurt) për shkak të mungesës së avokatëve, pritet të vazhdojë me pjesëmarrjen e Cakranit dhe koleges së tij Gylsen Zhllima.
Cakrani tha për gazetaren se do të kërkojë në senacë pushimin e akuzës sa i përket episodit të ÇEZ/DIA.
/rtsh.al/