Vijon transformimi i hapësirave publike. Rama: Garanci për siguri, qarkullim normal dhe mjedis të denjë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar vijimin e operacioneve për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, në kuadër të programit afatgjatë “Rilindja Urbane 2.0”.
Inspektorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po kryejnë prishjen dhe çmontimin e strukturave të paligjshme, me synimin që t’i kthejnë hapësirat qytetarëve.
“Vijon puna për çlirimin nga zaptimi. Një ndërhyrje e domosdoshme për të garantuar siguri, qarkullim normal dhe një mjedis të denjë përreth një institucioni arsimor”, u shpreh Rama, duke publikuar pamje nga terreni.
Rama ka theksuar se këto ndërhyrje nuk janë aksione të përkohshme, por pjesë e një strategjie qeverisëse katërvjeçare.
Programi “Rilindja Urbane 2.0” synon transformimin e mëtejshëm të qyteteve shqiptare, duke përfshirë lirimin e hapësirave të zëna, modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e ambienteve funksionale për komunitetin.
Plani parashikon zgjerimin e hapësirave të gjelbra, sistemimin e shesheve dhe trotuareve, si dhe rikonceptimin e zonave pedonale.
Qëllimi është t’i jepet më shumë hapësirë komunitetit dhe të mbështetet zhvillimi i turizmit, duke e afruar Shqipërinë me standardet evropiane të urbanistikës.
Nisma, e nisur në korrik të vitit të kaluar, është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror. Për këtë arsye, qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.
Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 18 808 raste shkeljesh.
Nga këto, 14 643 janë zgjidhur, ndërsa 4165 raste janë ende në proces shqyrtimi. Kjo tregon një angazhim të gjerë të komunitetit në mbrojtjen e hapësirave publike dhe një koordinim të shtuar mes qytetarëve dhe institucioneve.
/rtsh.al/