Avokati i Popullit: 5 burgje duhen mbyllur, 56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Avokati i Popullit, Endrit Shabani kërkoi mbylljen e 5 burgjeve pasi, sipas tij, cenojnë dinjitetin njerëzor, konkretisht burgu i Burrelit, Kosovë-Lushnjë, Kukësit, “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313).
Sipas Avokatit të Popullit, në Lezhë, mbipopullimi i burgjeve arrin 65%, 181 të burgosur mbi kapacitetin e planifikuar.
Ndërsa të paraburgosurit, sipas Avokatit të Popullit, kalojnë mesatarisht më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë të dënuar, konkretisht 253 ditë mesatarja e qëndrimit në paraburgim.
Gjithashtu, Avokati i Popullit ka konstatuar se trajtimi i personave të privuar nga liria në pesë institucione penitenciare të vendit afrohet me standardin e trajtimit degradues.
Në një njoftim për mediet, Avokati i Popullit, theksoi se kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Avokati i Popullit njofton se gjetjet bazohen në inspektime në 18 IEVP gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.
“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues”, tha Avokati i Popullit, Endrit Shabani.
Sipas Avokatit të Popullit, “në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit”.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.
“Mbipopullimi, i lokalizuar, jo kombëtar. Në total, sistemi penitenciar është nën kapacitet (5029 të burgosur dhe 5747 vende gjithsej = 87%). Por shpërndarja është thellësisht e pabarabartë: IEVP Lezhë: +65% (181 persona mbi kapacitet); IEVP “Jordan Misja”: +11% (55 persona); IEVP Vlorë: +10% (16 persona); IEVP Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)”, njoftoi Avokati i Popullit.
Më tej, sipas të dhënave të publikuara nga Avokati i Popullit, 56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim, pra mbahen në burg megjithëse ende janë të padënuar.
“Ky është një tregues që cenon parimin e prezumimit të pafajësisë”, thekson Avokati i Popullit.
Sipas tij, “inspektimet kanë konstatuar se ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme, të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë, mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive, sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem, mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim, mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim”.
Sa i përket kujdesit shëndetësor, Avokati i Popullit thekson se nuk ka shërbim të vazhdueshëm
“Asnjë mjek me kohë të plotë në shumicën e IEVP-ve. Aty ku ka mjek, qëndrojnë vetëm 4 orë në ditë. Mungesë autoambulancash dhe vështirësi për konsulta me specialistë. Spitalet rajonale refuzojnë trajtimin për “arsye sigurie”. Mungesë e shërbimit stomatologjik dhe e medikamenteve bazë. Asnjë institucion i specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor”, njofton Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë rishqyrtim të politikës së paraburgimit.
“56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë. Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor. Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar”, tha Avokati i Popullit.
/m.q/j.p/r.e/