Avokati i Popullit: Kam ardhur të takoj bashkëqytetarët e mi rom. Florenc Hoxha duhet shkarkuar
Avokati i Popullit, Igli Totozani, gjatë një takimi me komunitetin rom në zonën e Tiranës së Re, pranë Pallatit me Shigjeta, ndau shqetësimin me banorët atje lidhur me aksionin e fundit të policisë bashkiake për sekuestrimin e mjeteve të punës për mbledhjen e kanoçeve. Kam ardhur të takoj bashkëqytetarët e mi. Jetojnë në kushte vërtetë të vështira, janë kategoria më e përjashtuar, janë jashtë sistemit tonë social. Ne do të bëjmë rekomandime legjislative që të bëhen pjesë e sistemit tonë social, që të kenë mundësi strehimi, arsimimi, punësimi, që të regjistrohen. Nuk ka qytetarë të dorës së parë dhe të dytë, të gjithë duhet të përfitojnë nga mundësitë ekzistuese, u shpreh ai.
Totozani u shpreh se ndalimi i menjëhershëm i aktivitetit të kanoçeve vë në rrezik jetën e këtij komuniteti duke qenë një ndër të paktat alternativa me të cilën sigurojnë mbijetesën.
Ne jemi për zbatimin e ligjit, por mbyllja e menjëhershme e këtij aktiviteti vë në rrezik të drejtën e jetës së tyre. Këta njerëz janë jashtë sistemit, nuk përfitojnë nga shteti, nuk kanë asnjë akses në të mirat modeste të sistemit social shqiptar, theksoi Totozani.
I pyetur nga A1Report mbi dhunën e ushtruar ndaj këtij komuniteti nga kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha – dhunë e cila është denoncuar shpesh nga ky televizion dhe Shqiptarja.com, si dhe nga organizata me famë botërore për të drejtat e njeriut Amnesty International – Totozani tha se asnjë funksionar i shtetit që ushtron dhunë nuk duhet lejuar të vazhdojë punën e tij dhe duhet shkarkuar nga detyra.
Kush ushtron çfarëdolloj dhune – dhe nuk e them vetëm për zotin Hoxha, për të cilin ka një hetim dhe mirë është të mos flasim para se hetimi të përfundojë – duhet ta ketë të pamundur të vazhdojë punën në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të shtetit. Shteti shqiptar ka nevojë për shërbëtorë të qytetarëve dhe shërbëtorë të shtetit, të cilët duhet jo vetëm të zbatojnë ligjin por duhet të kenë edhe dhembshurinë për të kuptuar dhe për të jetuar nga afër jetesën e këtyre njerëzve, tha Totozani.
