E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit, Kushtetuesja rrëzon Adriana Kalanë: Nuk kalon në seancë

Gjykata kushtetuese vendosi të mos kalojë në seancë plenare çështjen për mënyrën si u zgjodh Avokati i Popullit.

Vendimi lidhet me kërkesën e Adriana Kalasë e cila kërkoi konstatimin si antikushtetues dhe të paligjshëm të procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po ashtu kërkuesja kërkoi Konstatimin e pavlefshmërisë së procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga Kuvendi dhe Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, date 11.12.2025 nga Kuvendi i Shqipërisë.

Por të gjitha këto kërkesa Gjykata Kushtetuese vendosi të mos i kalojë në seancë duke konfirmuar përfundimisht si avokat populli Endrit Shabanin.

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ishte ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga avokatja Adriana Kalaja, njëra prej pjesëmarrëseve në garë,e cila kishte depozituar një kërkesë për të shpallur të gjithë procedurën si antikushtetuese, duke pretenduar se ajo është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore. Kalaja argumentoi se procesi bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me ligjin organik për Avokatin e Popullit dhe me rregulloren e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas saj, shkeljet kanë nisur që në hapjen e garës më 13 tetor 2025 dhe kanë vazhduar deri në votimin e datës 1 dhjetor 2025.

Endri Shabani u zgjodh Avokati i ri i Popullit teksa më 11 dhjetor 2025 mori në Parlament me 85 vota, të ardhura nga socialistët dhe socialdemokratët.

Pro kandidaturës së Shabanit kishin firmosur 35 deputetë të opozitës, të cilët u tërhoqën më pas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›