Avokati i Popullit: Nëse nëna me foshnjë nuk lirohet nesër, kemi shkelje procedurale

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ – Një grua, e cila po udhëtonte nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” së bashku me foshnjën e saj 1-vjeçare, është arrestuar nga policia, pasi ndaj saj rëndon një dënim për dhunë në familje, akuzë e ngritur nga vjehrri i saj.
Pas arrestimit, gruaja dhe foshnja e saj po mbahen në burgun e Pojskës.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i cili ka inspektuar kushtet në të cilat ndodhet gruaja.
Ai tha se ajo duhet të lirohet nesër dhe se, nëse kjo nuk ndodh, do të kemi të bëjmë me shkelje të procedurave.
“Që kur jemi vënë në dijeni nga gazetarja Anila Hoxha, kemi nisur verifikimet dhe kemi dërguar një grup për të shqyrtuar fazën e parë, ku dyshojmë se kemi të bëjmë me shkelje të procedurës, pasi një nënë me fëmijë në gji është mbajtur për 72 orë në Bllokun e Sigurisë, edhe pse ndaj saj kishte dalë një vendim i formës së prerë. Kjo ka qenë e panevojshme.
Ndërkohë, kemi inspektuar edhe kushtet ku po mbahen nëna dhe fëmija në burgun e Pojskës. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet dhe i kemi paraqitur kërkesë edhe gjykatës. Në bindjen time, nëna do të lirohet nesër. Nëse kjo nuk ndodh, do të jemi përballë shkeljeve procedurale, pasi një nënë me fëmijë në gji nuk mund të mbahet në burg për veprën penale për të cilën është dënuar”, tha Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit ndau dhe pamje nga vendi ku po qendron gruaja.
1 nga 3