E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, dëshmitar i dhunës policore

 

DHUNA/ Ermir Dobjani ka kryer një inspektim të befasishëm në Shkodër, duke zënë “mat” dy inspektorë të policisë

SHKODËR - Një inspektim i befasishëm në komisariatin e policisë së Shkodrës që ndodhet në një vend me drejtorinë e policisë së qarkut ka sjellë reagimin e ashpër të Avokatit të Popullit Emir Dobjani. Një i shoqëruar në ambjentet e policisë ka bërë një ankese dje, duke pretenduar se është dhunuar psikologjisht e fizikisht gjatë orëve që është marrë në pyetje për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 9 vjeç. Rastet e dhunës nga ana e policisë kundrejt të shoqëruarve apo ndaluarve vazhdon të përbëjë një problem shqetësues për Avokatin e Popullit i cili herë pas here ka dalë kundër shfaqjeve të tilla. Megjithatë, dje duket se ka qenë vetë dëshmitar në një histori të tillë.

***

Avokati i Popullit zhvilloi dje një inspektim në policinë e Shkodrës dhe pa nga afër situatën në dhomat e paraburgimit. Në një prononcim për mediat ai theksoi se për dhunën e ushtruar në qelitë e paraburgimit të komisariateve të policisë, do të merren masa të rrepta ndaj autorëve. Krahas problemeve të mungesës së kushteve të higjienës në qelitë e paraburgimit, shkak i deklaratës se bërë vetëm pak minuta pasi ai ka lënë drejtorinë e policisë, ishte dhuna e ushtruar ndaj një 20-vjeçari gjatë marrjes në pyetje. Avokati i Popullit ka deklaruar se ndaj dy oficierëve të policisë që kanë dhunuar të riun do të kërkohet menjëherë marrja e masës ndëshkuese. Mësohet se 20-vjeçari, emri i të cilit nuk jepet, është shoqëruar në polici gjatë ditës së djeshme bashkë me një tjetër dhe është mbajtur disa orë në pyetje lidhur me një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 9 vjeç. Mbi të, sipas Avokatit të Popullit, është ushtruar dhunë nga oficerët e policisë (Mësohet se djali ka dalë me faqe të kuqe nga goditjet me shpulla të policëve, gjë që është parë nga Avokati i Popullit, i cili rastësisht ishte aty për inspektim).

***

Ermir Dobjani ukujtoi krerëve të organeve përkatëse se duhen marrë masa ndaj sjelljeve të tilla antinjerëzore, por shpesh edhe indiferente ndaj rasteve flagrante. Dhuna në komisariatet e policisë prej kohësh ka qenë në qendër të vëmendjes së institucionit të Avokatit të Popullit, por ky është rasti i parë i ndërhyrjes së titullarit më të lartë vetëm pak çaste pas marrjes në pyetje të të ndaluarit. Sipas Dobjanit, inspektimet në komisariatet e policisë në të gjithë vendin do tëvijojnë dhe do të jenë të befasishme, me qëllim evidentimin e problemeve, dhe respektimin e të drejtave të njeriut të cilat mbrohen dhe nga konventa e nënshkruar nga shteti ynë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›