E Diel, 1 Nëntor 2026

Avramopulos takon ambasadorin shqiptar: Të nisim bisedimet

Gazeta Shqip

Ylli Pata

Takimi: Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, e ka pritur ambasadorin shqiptar, të premten në mesditë

Kortezia: Sipas ambasadorit Dervishi, takimi ka qenë kortezial me rastin e emërimit të Avramopulos në detyrën e ministrit

Problemet: Shefi i diplomacisë së Athinës ka shprehur vullnetin për kalimin e problemeve që janë krijuar dy vitet e fundit

Athinë: Diplomati ynë në Greqi, Dashnor Dervishi, flet për Shqip: Ministri ishte konstruktiv

Nisin kontaktet e para të nivelit të lartë politiko-diplomatik ndërmjet Athinës dhe Tiranës zyrtare. Dhe bashkë me kontaktet ka marrë udhë dhe artikulimi i kërkesës apo vullnetit për çështjen aq shumë të diskutuar, atë të delimitimit të kufirit ujor ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në mesditën e datës 24 korrik, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopoulos, është takuar me ambasadorin e Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi. Takimi i parë zyrtar, i cili është cilësuar si kortezie pas ardhjes në detyrë të zotit Avramopulos ka prekur të gjitha çështjet, padyshim edhe problemin e marrëveshjes së ujërave. Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, një diplomat karriere që drejton selinë tonë diplomatike në Greqi, ka treguar dje për Shqip detajet e takimit të cilin e ka cilësuar konstruktiv dhe mjaft pozitiv. I kontaktuar me telefon, ambasadori Dervishi, theksoi se takimi me ministrin Avramopulos ishte kortezie dhe vjen me rastin e emërimit të tij në detyrën e shefit të diplomacisë greke. Zoti Avramopulos ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajon dhe ka shprehur besimin se marrëdhëniet midis dy vendeve do të ecin përpara, duke kapërcyer pengesat që ato kanë pasur në dy vitet e fundit. Takimi mes ministrit të Jashtëm grek dhe ambasadorit të Shqipërisë në Athinë ka prekur edhe çështjen e organizimit të vizitës zyrtare të shefit të diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti në Greqi, i cili është ftuar nga homologu i tij. Sipas zotit Dervishi, kjo vizitë do të kryhet në dy javët e para të muajit shtator, ndërsa data pritet të përcaktohet nga palët gjatë diskutimeve në lidhje me axhendën. Dhe në këtë aspekt, Avramopulos ka bërë të ditur se Athina ka vullnetin për të nisur diskutimin dhe riaktivizimin për të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet e tjera dypalëshe që gjatë dy viteve të fundit kanë pësuar një lloj impasi. Dhe në këtë rast është folur edhe për marrëveshjen e delimitimit të ujërave mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në lidhje me këtë pikë, ambasadori Dervishi, theksoi për Shqip se qëndrimi i zotit Avramopulos ka qenë mjaft konstruktiv, pasi ai është shprehur në respektim të të gjitha vendimeve të institucioneve shqiptare dhe ligjeve të vendit, ndërkohë që ka theksuar që diskutimet do të zhvillohen në interesin reciprok të të dyja palëve, të cilat kanë shprehur vullnetin e ekzistencës së një marrëveshje të tillë, që do të ishte e dobishme për zonat ekonomike. Diplomati kryesor i Tiranës në Athinë ka bërë të ditur se diskutimet për këtë çështje nuk kanë nisur ende dhe gjithçka mbetet në pikën e dy viteve më parë. Ka një vullnet si të Shqipërisë ashtu dhe Greqisë për të arritur një marrëveshje me interes të të dyja palëve dhe në respekt të të gjitha ligjeve, apo vendimeve të institucioneve të të dyja vendeve, si dhe konventave apo marrëveshjeve ndërkombëtare. Ambasadori Dervishi ka theksuar se nuk ka ende asnjë negociatë mes dy vendeve për këtë çështje, edhe pse dikasteret mund të ngrenë grupe pune, që janë gjë normale. Ndërkaq, gjatë takimit të së premtes mes shefit të diplomacisë së Athinës dhe ambasadorit të Shqipërisë, është folur edhe për tensionet që janë ngritur në publik pas deklaratave nacionaliste nga grupime politike dhe jo vetëm. Sipas zotit Dervishi, ministri Avramopulos u shpreh kundër tendencave nacionaliste që janë shprehur nga qarqe të ndryshme nga të dyja vendet, të cilat rrisin artificialisht tensionin dhe rikthejnë problemet e vjetra. Edhe pse sqarimi i ambasadorit ka qenë padyshim diplomatik dhe nuk përmend raste të veçanta, duket se fraza e mësipërme e shefit të diplomacisë greke prek pikërisht qëndrimet nga Aleancës Kuqezi në Shqipëri dhe atyre të partisë Agimi i Artë në Greqi. Ndërkaq, Arvramopulos ka përsëritur mbështetjen për zhvillimin e takimit trepalësh ndërmjet ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në lidhje me pjesëmarrjen e tre vendeve në projektin e gazsjellësit TAP, i cili furnizon Europën me gaz nga Azerbajxhani dhe kalon në territorin e tre shteteve.

Etapat

Vizita: Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, është ftuar zyrtarisht që ta vizitojë Greqinë në pjesën e parë të shtatorit

Negociatat: Pikërisht gjatë vizitës së Panaritit pritet të vendoset se çfarë kahu do të marrin negociatat mes dy palëve për çështjen e kufirit

Avramopulos: Sipas ambasadorit shqiptar në Athinë, ministri i Jashtëm grek ka theksuar se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i Shqipërisë

Tendencat: Ambasadori Dervishi ka theksuar se gjatë takimit me ministrin Avramopulos, ky i fundit ka shprehur kundërshtinë me tendencat nacionaliste

Demonstrata, emigrantët, protestë antiraciste në Athinë

Qindra emigrantë të huaj të mbështetur edhe nga organizata antiraciste kanë protestuar në kryeqytetin grek, duke kërkuar nga qeveria Samaras të marrë masa për të ndaluar sulmet me motive raciste ndaj emigrantëve, si dhe operacionet policore që dhunojnë komunitetet e tyre në qytete të ndryshme të vendit. Kreu i shoqatës së komunitetit pakistanez ka deklaruar se muajt e fundit janë shtuar sulmet edhe mbi kultet myslimane dhe ka bërë thirrje për tolerancë fetare. Sot, mijëra emigrantë, vendas, sindikata dhe anëtarë të Parlamentit, janë këtu për ti thënë jo racizmit, sulmeve raciste, vrasjeve. Respekt për xhamitë, respekt për Islamin dhe respekt për Pejgamberin, tha Javied Aslam, kryetari i komunitetit pakistanez. Vetëm në muajin e kaluar mbi 20 emigrantë kanë qenë viktima të sulmeve me thika dhe mjete të forta nga grupe raciste. Ndërsa në gjashtë muajt e fundit janë regjistruar në shkallë vendi të paktën 550 sulme të organizuara, që thuhet se janë kryer nga anëtarë të partisë neonaziste Agimi i Artë. Zëdhënësi i kësaj partie, duke iu referuar ngritjes së qendrave ku çohen emigrantet ilegalë që arrestohen ka bërë thirrje në Parlament që të mos kthehet vendi në një kazan plehrash.

Avramopulos takon ambasadorin shqiptar: Të nisim bisedimet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›