Vlorë-Brindisi, kaos në traget, mbushet mbi kapacitetet
Një pasagjere denoncon situatën e krijuar dhe kërkon ndihmë pranë gazetës Shqip
Dyndja e emigrantëve në vendlindje dhe kthimi i tyre drejt Italisë ka risjellë për mijëra persona panoramën e eksodeve masive të vitit 91. Më shumë se 2 mijë pasagjerë të imbarkuar në tragetin European Voyager të linjës Vlorë-Brindisi, kanë përjetuar orë të tëra ankthi, lodhjeje, stresi e paniku. Ndonëse trageti duhej të nisej rreth orës 13:00, nisja është kryer rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, ndërsa aty ka vërshuar një lumë njerëzish, ku midis emigrantëve shqiptarë, edhe mjaft turistë të huaj, kryesisht italianë. Çdo traget apo mjet tjetër lundrimi ka kapacitet të limituar të vendeve të pasagjerëve dhe të automjeteve, por ajo që ka ndodhur dje pasdite në Portin e Vlorës ka qenë e pazakontë, duke rikthyer në kujtesën e njerëzve vitet 91 dhe 97, kur shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi i tyre.
Dëshmia
Ka qenë një pasagjere që udhëtonte me këtë traget, e cila, e ndodhur në panik mes turmës së njerëzve që kishte zaptuar gjithë baret, korridoret dhe çdo cep të kuvertës, ka denoncuar pranë gazetës Shqip atë çfarë po ndodhte dje gjatë orëve të pasdites në ambientet e tragetit European Voyager, që ishte i ankoruar në Portin e Vlorës. Ishte ora 16:00, kur E.Shehaj ka telefonuar për herë të parë pranë gazetës Shqip dhe ka denoncuar kaosin e krijuar aty. Alo, përshëndetje! Sapo jam imbarkuar në një traget në Portin e Vlorës, por këtu gjithçka duket e pazakontë. Trageti quhet European Voyager. Imbarkimi ka nisur rreth orës 13:00, por një lumë me njerëz kanë vërshuar në traget. Jemi aq shumë sa askush nuk mund të qëndrojë ulur dhe për këtë arsye ndodhemi në këmbë. Unë ndodhem pranë recepsionit të tragetit, në korridor. Fatmirësisht është i ndezur kondicionieri, ndryshe do të ishim asfiksuar të gjithë për shkak të mungesës së oksigjenit. Kanë kaluar katër orë që prej nisjes së imbarkimit, por vazhdojnë të vijnë me qindra persona të tjerë. Me vështirësi arrita të dal në kuvertë dhe aty nuk ka asnjë vend ku mund të qëndrosh, është mbushur plot me njerëz. Mendoj që jemi rreth 2500 persona të imbarkuar deri tani dhe nuk ka asnjë lajmërim se kur do të nisemi. Mes nesh ka edhe mjaft turistë, pjesa më e madhe italianë. Të gjithë ankohen, ka njerëz që bërtasin, që zihen e shtyhen me njëri-tjetrin. Qindra persona janë në ankth për atë që po ndodh. Mjaft prej tyre druhen mos trageti mbytet për shkak të mbingarkesës. Turistët italianë që kthehen në vendin e tyre pyesin me zë të lartë se çfarë po ndodh. E quajnë një çmenduri imbarkimin e kaq shumë njerëzve në një traget kaq të vogël, ndërsa betohen se nuk do të kthehen më kurrë në Shqipëri. Ka mjaft fëmijë dhe persona të moshuar, mes të cilëve shumë gra që duken të terrorizuara. Në recepsion nuk japin asnjë shpjegim për atë që po ndodh. Ju lutem lajmëroni autoritetet portuale për këtë situatë. Shpresoj që të mbërrijmë mirë në Itali. Ndërkaq, pasagjerja në fjalë pohon se ka fiksuar me kamerën e aparatit celular pjesë reale të kaosit të krijuar dje pasdite në këtë traget. Në ditët në vazhdim gazeta Shqip do të publikojë pamjet që sipas dëshmitares, ngjasojnë me ato të eksodeve.
Autoritetet
Sipas autoriteteve portuale në Vlorë, me dy tragetet e linjës Vlorë- Brindisi dje janë nisur drejt Italisë 1385 pasagjerë dhe 226 automjete me tragetin European Voyager dhe 960 pasagjerë dhe 167 automjete me tragetin Jonian Spirit. Sipas Kapitenerisë së Portit të Vlorës ky fluks në ikje për Portin e Vlorës është më se normal, pasi shumë nga emigrantët biletën e kthimit e kanë lënë për ditët e fundit të muajit gusht dhe detyrimisht ky fluks do të jetë deri në ditët e fundit të muajit. Autoritetet sqarojnë gjithashtu se trageti European Voyager ka një kapacitet prej 1700 pasagjerësh dhe numri i njerëzve të imbarkuar në të dje ka qenë nën këtë kapacitet.
Autoriteti portual bën me dije se për tri ditët e fundit nga Porti i Vlorës janë larguar drejt Italisë 3695 pasagjerë dhe 2422 automjete. Në ditët në vazhdim pritet rritje të fluksit në ikje të emigrantëve.
Edmond Hoxhaj
Mikel Marsi
Vlorë-Brindisi, kaos në traget, mbushet mbi kapacitetet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip