Azem Hajdari do të prehet tek Varrezat e Dëshmorëve
Heroi i Demokracisë Azem Hajdari do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit 90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë sot homazhe për nder të tij e më pas do ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ceremonia do të nisë në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve ku do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari ndërsa në orën 12:00, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në orën 12:30, do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë Urdhërin e Flamurit dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të dhënë nga ish Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.
Biografia e Azem Hajdarit:
-Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
-I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
-Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
-Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
-Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
-Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
-Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;
Aktiviteti Politik:
-Dhjetor 1990 Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
-Dhjetor 1990 shkurt Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
-1991 1993 Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
-31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
-22 mars 1992 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
-26 maj 1996 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
-29 qershor 1997 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;
-1992-1996 Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
-Nëntor 1996 Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
-Qershor 1997 Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
-1995 1998 President i klubit të futbollit Vllaznia Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale