E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azem Hajdari rivarroset, trupi dërgohet tek “Dëshmorët e Kombit", nderohet nga politika

TIRANE- Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, nga sot do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pas ceremonisë së homazheve të organizuar nga Bashkia e Tiranës, që nisi sot rreth orës 10:00, eshtrat e liderit të dhjetorit u zhvendosen nga Sharra drejt Varrezave të Dëshmorëve. 

Për më shumë se dy orë në Pallatin e Kongreseve personalitete të larta të jetës politike, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike, 4  ministra të qeverisë Rama, përfaqësues të partive politike në vend, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si Taulant Balla e Pandeli Majko nga PS si dhe deputetë demokratë Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Sokol Oldasgi, etj., bënë homazhe në nderim të udhëheqësit të Levizjes Studentore 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist. 

Homazhe bënë gjithashtu edhe Ambasadori i SHBA, Arvizu, ai i BE-së, Sequi dhe i OSBE, Wilton, si dhe kreu i Komunitetit Myslyman, Selim Muça dhe kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita, ish-presidenti Alfred Moisiu. Ndërkohë, homazhe zhvilluan dhe studentë të dhjetorit ‘90, intelektualë, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azem Hajdarit.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë, mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit” dhe urdhrin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish–Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë. 

Vendimi për të rivarrosur Azem Hajdarin në Varrezat e Dëshmorëve u mor në datën 5 shtator dhe Bashkia Tiranë ngriti një komision të posaçëm pune që do të merrej pikërisht me ceremoninë që do të zhvillohet sot në prani të shumë personalitete të ftuara nga të gjitha trevat shqiptare. Azem Hajdari në dhjetor 1990 u vu në krye të lëvizjes studentore, kohë e cila shënon dhe fillimin e aktivitetit të tij politik. Në dhjetor 1990 – shkurt ai u zgjodh Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike. Në vitet 1991 – 1993 ishte nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues. Më 31 mars 1991 - deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën. Më 22 mars 1992 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun. Më 26 maj 1996 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën, 29 qershor 1997 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën, 1992-1996 – kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un, - nëntor 1996 – kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare, qershor 1997 – kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare, 1995 – 1998 - president i klubit të futbollit “Vllaznia” të Shkodrës dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale.

DJALI I AZEMIT, MIRËNJOHJE BERISHËS DHE METËS
Ora 13:00 Djali i Azem Hajdarit, në emër të familjes ka shprehur mirënjohjen e tij, për lartësimin që iu bë figurës së Azem Hajdarit.

“Në radhë të parë juve, doktor Berisha. Në të gjithë jetën tonë dhe të Azemit, keni qenë mishërues i dhimbjeve tona. Ju, z. Berisha,Ibrahim Rugova, Haradinajt dhe Jasharët e Kosovës na i keni bërë netët vetmitare të kalueshme dhe të prisnim mëngjeset me shpresa të reja. Ashtu siç na është gjendur në momente të veçanta edhe z. Ilir Meta. Burrat qe rriten pozitën e Azemit, si presidenti Nishani qe e kanë dekoruar babain me Urdhërin e Flamurit eshtë gjithashtu një emër i respektuar, por do të duhej një dishepull politik shpirtëror, njerëzor si z. Lulzim Basha, të projektonte këtë lartësim sa prekëse nga ana njerëzore, aq edhe të nevojshme për ditët që kemi përpara, si vazhdimin e luftës së babait tonë, për liri dhe demokraci. Dua të kujtoj këtu, të paharrueshmin Besim Çera që dha jetën pranë babait tim”, u shpreh Kiri Hajdari. 

BASHA: FIGURA E AZEM HAJDARIT APELON PËR UNITET E BASHKIM KOMBËTAR
Ora 12:57 Kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Azem Hajdarit, në Lëvizjen Demokratike të dhjetorit 1990 e cila shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore.

“Sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes fizike të Azem Hajdarit prej nesh, po ritakohemi në këtë homazh të ri, me kujtimin dhe veprën e tij. Besoj se nuk ka as edhe një njeri të vetëm të lire në këtë vend që nuk i detyrohet, në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë, në dhjetor 1990, kur ai i pari dhe studentët e tjerë me të, kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik. Nga largësia e viteve, ne sot mund ta themi me gojën plot, se prej atij çasti, koha e re e Shqipërisë demokratike u nis dhe filloi të rrjedhë në drejtimin që treguan studentët, intelektualët e thirrur prej tyre, Azem Hajdari si prijës i tyre. Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perendimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë” - u shpreh z. Basha.

Për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet, rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare.

“Azem, ti je gjallë, sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë, sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë! Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në pidestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit apelon më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vërtet ishte themelues dhe drejtues i lartë i Partisë Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh” – theksoi kryebashkiaku Basha. 

KORTEZHI DREJT VARREZAVE TË DËSHMORËVE
Ora 12:26- Pas homazheve që zgjatën rret 2 orë e 30 minuta, arkivoli i liderit të dhjetorit Azem Hajdari iu drejtua Varrezave të Dëshmorëve që do të jetë prej sot edhe banesa e tij e fundit.

NISHANI HOMAZHE PËR AZEM HAJDARIN
Ora 12:20 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani kreu homazhet e rastit në nder të ‘Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari. Pasi nënshkroi në librin e kujtimeve presidenti u takua dhe me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe Sali Berishën. Presidenti nuk u prononcua për gazetarët pas homazheve teksa ka zgjedhur të përshëndesë me kortezi njerëzit të cilët ndodheshin jashtë Pallatit të Kongreseve.

SALI BERISHA HOMAZHE PËR AZEM HAJDARIN
Ora 12:12 Lideri historik i së djathtës njëherësh ish-kryeministri i vendit Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha kreu homazhe në nder të Heroit të Demokracisë ‘Azem Hajdari’. Berisha nënshkroi dhe në librin e kujtimeve.

KREU I PD, LULZIM BASHA HOMAZHE NË NDER TË AZEM HAJDARIT
Ora 12:09 Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kreu homazhe në nderim të ‘Heroit ë Demokracisë’ Azem Hajdari. Më vonë ai shkruajti disa rrrjeshta në librin e kujtimeve. Kreu i PD-së, njëherësh kryetari i Bashkisë është dhe iniciatori i ceremonisë së rivarrimit të “Heroit ë Demokracisë’ në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. 

Në një njoftimi për shtyp, Bashkia e Tiranës lajmëroi se më datën 12 shtator, personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Bashkia njoftoi se në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, ndërsa në orën 12:00 kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në orën 12:30 nis ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

META: URTËSI E PËRGJEGJSHMËRI PËR TË BËRË REALITET ËNDRRËN E AZEMIT
Ora 11:42 Ilir Meta, kreu i LSI-së njëherësh kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, kreu homazhe para arkivolit me eshtrat të Azem Hajdarit. Meta shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Më pas ato takuan bashkëshorten dhe familjarët e ‘Heroit të Demokracisë’ dhe nënshkruan mbi librin e kujtimeve.

“Sot është një ditë e rëndësishme, është një ditë homazhesh dhe kujtimi për simbolin e lëvizjes studentore të Dhjetorit, e cila ktheu faqen e Shqipërisë, përmes thirrjes: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, për ish-kolegun tonë Azem Hajdari, kujtimi i të cilit do të jetë i paharrueshëm. Është dhe një ditë angazhimi për të ardhmen për të plotësuar dhe ëndrrën e tij që Shqipëria të jetë si e gjithë Evropa dhe e gjithë gjeneratës që ai drejtoi për të ndryshuar faqen e Shqipërisë. Ai nuk e kurseu guximin, kurajën dhe vizionin e tij duke rrezikuar gjithcka. Jam i bindur se gjithë në të tjerët do të na duhet të tregojmë më shumë urtësi dhe përgjegjshmëri që ëndrra e tij dhe studentëve të dhjetorit të bëhet realitet që Shqipëria të bëhet anëtare e BE. I paharruar emri i tij. Është emër që kujton jo vetëm ndryshim epokal, por na kujton që këto sakrifica duhet ti respektojmë dhe ti çmojmë që ëndrrën e gjeneratës së tij ta përmbushim sa më shpejt”, ishte mesazhi që dha kryetari i Kuvendit Ilir Meta për klasën politike pas homazheve të kryera për nder të “Heroit të Demokracisë’.

HOMAZHE AMBASADORËT
Ora 11:35- Në homazhe moiri pjesë edhe ambasadori i OSBE, Robert Wilton, e pak minuta pas tij mbërriti edhe ai i SHBA-ve Aleksandër Arvizu. Në homazhe edhe ambasadori I BE-së Ettore Sequi.

DEPUTET DHE ALEATË TË PD-SË HOMAZHE PËR HAJDARIN
Ora 11:17- Fatmir Mediu dhe Agron Duka nga PR-ja, si dhe Nard Ndoka i PDK-së kanë kryer homazhe në kujtim të Azem Hajdarit, Më herët edhe shumë deputetë të PD-së kanë nderuar figurën e tij, si Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Sokol Olldashi, Jozefina Topalli etj.

4 MINISTRA TË QEVERISË RAMA HOMAZHE PËR HAJDARIN
Ora 11:05- Rreth orës 11:05 minuta katër ministra të qeverisë Rama kanë shkuar në Pallatin e Kongreseve për të kryer homazhe në nderim të liderit të dhjetorit, Azem Hajdarit. 

Në homazhe marrin pjesë minisstrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi.

TOPI: AZEMI DINTE TË BËNTE DHE TRIMIN DHE DIPLOMATIN, 'I PAPËRLYER'
Ora 10:41 Kreu i FRD-së, Bamir Topi e kujton Azem Hajdarin si një nga njerëzit më të guximshëm, kurajoz dhe pa komplekse në PD.

“Njeri shumë i guximshëm, njeri kurajoz, pa komplekse,. Dinte të bënte dhe trimin dhe diplomatin. E përkujtoj me shumë mall dhe respekt dhe vlerësim. Ai do jetë në jetë të jetëve si një njeri që mbahet mend si njeri i papërlyer. Respekt për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar”, u shpreh Topi për gazetarët pas homazheve në nder të Azem Hajdarit.

NISIN HOMAZHET
Ora 10:00 Qindra njerëz i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Pallatit të Kongreseve për të kryer homazhet në nder te “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari.

Personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. 

Në ceremoni marrin pjesë edhe kreu i Komunitetit Myslyman, Selim Muça dhe kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita.

ELIOT ENGEL FJALIM NË KONGRESIN AMERIKAN: NDEROJMË KONTRIBUTIN HISTORIK TË AZEMIT
Anëtari i Kongresit Amerikan, Eliot Engel, paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një deklaratë në përkujtim të 15 vjetorit të vdekjes së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.
Përmes fjalëve dhe veprave, thuhet në deklaratë, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim. 

Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t'i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda. 

Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji. 

Në deklaratën e tij, Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaquesve dhe numri i dy i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të kësaj Dhome, thotë se Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. 

Në fjalimin e tij Engel mes të tjerash ka theksuar se "në përvjetorin e 15-të të vdekjes së parakohshme të Azem Hajdarit, populli shqiptar do të nderojë një herë më shumë një udhëheqës të vërtetë historik të lëvizjes demokratike të Shqipërisë. Në këtë ditë, 12 shtator, shqiptarët nga i gjithë vendi dhe nga e gjithë bota, duke përfshirë kosovarët shqiptarë, do të mblidhen për të kujtuar Azemin dhe ta shoqërojnë atë në vendin e fundit të prehjes së tij në varrezat e dëshmorëve Tiranë". 

Engel u kërkon kolegëve të tij, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri. 

"Z.Kryetar, Azem Hajdari ishte një kampion i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. Kam respekt të kërkoj që ju dhe kolegët e tjerë të mi të nderuar të bashkoheni me mua në njohjen e kontributit historik të Azem Hajdarit për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri", shprehet Engel.

Biografia e Azem Hajdarit:
- Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
- I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
- Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
- Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
- Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
- Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
- Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;

Aktiviteti Politik:
- Dhjetor 1990 - Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
- Dhjetor 1990 – shkurt - Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
- 1991 – 1993 - Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
- 31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
- 22 mars 1992 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
- 26 maj 1996 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
- 29 qershor 1997 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;
- 1992-1996 - Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
- Nëntor 1996 - Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
- Qershor 1997 - Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
- 1995 – 1998 - President i klubit të futbollit “Vllaznia” - Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale

Vlerësime për Heroin e Demokracisë:
- Urdhëri i Flamurit;
- Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës;
- Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003;
- Urdhëri “Nderi i Kombit” (2002);
- Pishtar i Demokracisë;
- “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i pothuajse të gjithë bashkive e komunave të Shqipërisë
(m.a/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Basha:: Figura e Azem Hajdarit apelon për unitet e bashkim kombëtar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›