E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bërthamoret, Clinton: Masat e mundshme ndaj Iranit

Clinton theksoi se kapërcimi i pragut bërthamor nuk do ta bënte Iranin më të fuqishëm apo më të sigurtë.
"Vazhdojmë të mbajmë të hapur opsionin e bisedimeve me Iranin, por njëkohësisht kemi bërë të qartë se do të ndërmarrim veprime, si bashkëpunimi për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të partnerëve tanë në rajon", deklaroi ajo në një program të regjistruar për një televizion tajlandez gjatë vizitës së saj në Bankok.
"Ne kërkojmë që Irani të llogarisë që, nëse SHBA-ja zgjeron një mburojë mbrojtjeje në rajon, nëse ne bëjmë edhe më shumë përpjekje për të mbështetur kapacitetet ushtarake të vendeve të Gjirit, atëherë Irani nuk do të jetë më i fuqishëm apo i sigurtë, sepse nuk do të jetë në gjendje të kërcënojë apo dominojë kur të arrijë të sigurojë armën bërthamore", theksoi Clinton.
Javën e kaluar, shefja e diplomacisë amerikane deklaroi se synimet e Iranit pas zgjedhjeve presidenciale të qershorit mbeten të paqarta dhe se oferta e Uashingtonit për bisedime lidhur me programin bërthamor nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Administrata e mëparshme e ish-presidentit Bush kishte refuzuar të angazhohej në dialog me Teheranin, nëse nuk plotësonte disa kushte paraprake, si ndërprerja e pasurimit të uraniumit, një proces që bën të mundur prodhimin e lëndës për centralet atomike të energjisë, por edhe për prodhimin e armëve.

Por presidenti Barack Obama, i cili mori detyrën në janar, ka deklaruar se politika e administratës së mëparshme për Iranin ishte e pasuksesshme.

Pavarësisht ndryshimit të politikës së administratës amerikane, Irani nuk i është përgjigjur ftesës së Obamës dhe të vendeve të tjera për dialog.

Diplomatët besojnë se Irani po përpiqet të “blejë” kohë duke shtyrë angazhimin në bisedime konkrete.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›