BAKU – Azerbajxhani pret bisedimet Izrael-Turqi

BAKU, 14 prill /ATSH/ – Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se janë zhvilluar bisedime midis përfaqësuesve izraelitë dhe turq në Baku, Azerbajxhan, sipas një njoftimi të ambasadës azere në Tiranë.
Sipas deklaratës, Netanyahu shprehu mirënjohjen e tij ndaj presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për mundësimin e këtij takimi, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Turqisë.
“Në përputhje me një urdhër nga kryeministri Benjamin Netanyahu, një delegacion diplomatiko-sigurie, i kryesuar nga drejtori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Tzachi Hanegbi dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga Ministria e Mbrojtjes dhe shërbimet e sigurisë, u takua më 9 prill me një delegacion turk”, thuhet në deklaratën e zyrës së tij.
Të dyja palët paraqitën interesat e tyre në rajon.
U ra dakord që të vazhdohet rruga e dialogut me qëllim ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Burime në Ministrinë turke të Mbrojtjes konfirmuan se takimi i parë teknik për krijimin e një mekanizmi çtensionimi për të parandaluar incidente të padëshiruara në Siri, u zhvillua në Azerbajxhan më 9 prill.
Puna për krijimin e këtij mekanizmi çtensionimi do të vazhdojë./ a.jor.