Beci: Asfaltohet rruga “Mehmet Xhelil Fishta”

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka përcjellë sot pamjet e projektit, tashmë të përfunduar, për asfaltimin e rrugës “Mehmet Xhelil Fishta”. Sipas Becit, ky është një “tjetër investim i bashkisë Shkodër që synon të përmirësojë infrastrukturën për banorët e zonës”.
Asfaltimi i kësaj rruge është pjesë e projekteve të bashkisë Shkodër për rikualifikimin e zonave urbane, ndërsa më herët Beci është shprehur se janë një sërë investimesh publike në një vlerë të konsiderueshme prej rreth 50 milionë euro që po kryhen në qytet me financimin e qeverisë e bashkisë.
Në Shkodër po punohet në rrugën hyrëse dhe dublimin e rrugës së Bahçallëkut, parkun 19 hektarë tek Ura e Bunës, në rikualifikimin urban të Zdrales, pastrimin e liqenit, të cilat po krijojnë një ndikim surprizues jo vetëm për banorët e Shkodrës, por edhe për vizitorët e shumtë që i drejtohen kryeqendrës së veriut.
/a.f/r.e/