BASHA FITIMTAR
Një det njerëzish përshëndetën dje fitoren e Lulzim Bashës në kryeqytet dhe çlirimin e bashkisë nga nomenklatura 11-vjeçare e korrupsionit. Entuziazmi dhe kohezioni i koalicionit të gjerë prej 22 partish kanë bekuar fushatën fituese të Bashës, por edhe kanë sinjalizuar erën e ndryshimit që po fryn edhe për Durrësin, Elbasanin, Pogradecin, Korçën, Beratin e Vlorën
Partia Demokratike dhe partitë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” zhvilluan dje mitingun final në sheshin “Nënë Tereza”, duke mbyllur kështu fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Pjesëmarrja masive e qytetarëve në shesh, të cilët llogariteshin në qindra e mijëra vetë, është një tregues se qytetarët shqiptarë janë të ndjeshëm ndaj zhvillimit, janë të ndjeshëm ndaj alternativës së progresit dhe dimensioneve evropiane. Me mesazhe për qytetarët e Tiranës dhe inkurajime se katër vitet e ardhshme të drejtimit të bashkisë së kryeqytetit do të jetë ato të zhvillimit, kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha nisi fjalimin e tij të gjatë, duke premtuar më shumë punësim për qytetarët, më shumë biznese, më shumë rrugë dhe shkolla të reja si ndërtimin e dy linjave të tramvajit, për të shmangur plotësisht problemin historik të trafikut. Sipas Bashës, qytetarët e Tiranës do jenë vendimmarrësit e politikave të qytetit, do jenë ata që do përcaktojnë objektivat e buxhetit si dhe do jenë ata që do njihen me transparencë të plotë me çdo taksë të mbledhur dhe çdo fond buxhetor të shpenzuar. “Ju ftoj të votojmë planet dhe projektet për qytet, sepse ky qytet nuk duhet të ndalet kurrë së besuari. Unë jam i vendosur për fitoren e qytetit tonë. E para do jetë Tirana, të parët do jenë qytetarët e Tiranës. Fitore!”, u shpreh Basha. Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha tha se “Tirana ka nevojë për dashuri, për përkushtimin tim, për punën time”. “Ka nevojë për kujdes, vëmendje”, tha kandidati demokrat. Basha vuri në dukje se punësimi është një problem i madh, të cilin siç tha ai, e ka ndeshur gjatë gjithë takimeve të fushatës me banorë të kryeqytetit. Ai dhe ekipi i tij, kanë një projekt konkret për nxitjen e punësimit, përmes uljes së taksave dhe investimeve në kryeqytet. “Do ndërtohet Unaza e Madhe e Tiranës. Do përqendroj të gjithë energjitë e mia për kthimin e saj në një zonë atraktive për biznesin dhe turizmin. Kryetari në detyrë i bashkisë thotë se punësimi nuk është përgjegjësi e tij. Por unë do të kem prioritetin nr 1 punësimin. Trafiku i rënduar me këtë kryetar bashkie penalizmi qytetarët. Unë jam i bindur se ne mund të ndërtojmë shkolla të reja, mund të ndërtojmë parqe dhe sheshe lojërash. Jam i bindur se do të ulim nivelin e ndotjes dhe të pastrojmë qytetin tonë. Ne do ndërtojmë linjën e tramvajit dhe do përmirësojmë kujdesin shëndetësor e social për të gjithë qytetarët. Unë e di se edhe ju jeni të bindur për to, prandaj të gjithë do të nisim punën për to. Ne na duhet një përqasje tjetër: duhet të ndryshojmë mënyrën se si punon bashkia, sesi punon kryetari i bashkisë. Na duhet një kryetar bashkie që konsultohet, dëgjon dhe takon qytetarët. Unë do vazhdoj t’i dëgjoj njerëzit. Çdo javë do kem orare të fiksuara për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e qytetarëve. Çdo muaj ne do raportojmë për suksesin e objektivave tona në bashkinë e Tiranës. Çdo lek që do merret nga taksat tuaja do ketë transparencë të plotë se si shpenzohet”, u shpreh ndër të tjera, kandidati për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Basha. I pranishëm në këtë miting ishte dhe kryeministri Sali Berisha si dhe krerët e partive kryesore të koalicionit. Kryeministri Sali Berisha iu drejtua të pranishmëve me një fjalim përshëndetës duke kërkuar prej tyre që në 8 maj të votojnë kandidatët e mazhorancës, pasi alternativa e tyre është ajo që qëndron pranë qytetarit dhe qytetit.
Lulzim Basha
“Unë do të jem kryetari i bashkisë që do të dëgjoj qytetarët dhe zgjidh hallet e problemet e tyre”
Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, përshëndeti dje mijëra të pranishmit në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, duke premtuar se ai do të jetë kryetari i bashkisë që dëgjon njerëzit dhe ftoi qytetarët të votojnë projektin e tij që bashkon interesat e gjithë banorëve të Tiranës. Basha tha se e filloi fushatën zgjedhore me bindjen e qartë se Tirana është e para dhe qytetarët janë të parët. “Unë e fillova këtë fushatë me një pasion të veçantë. Tirana ime, Tirana e jonë, qëndronte përpara meje e zymtë dhe plot halle. Unë prej kohësh kam menduar se ne i kemi një borxh të madh këtij qyteti të ëmbël, të dashur dhe mikpritës. Të gjithë i kemi një detyrim të madh. Për të ndaluar thinjen e saj të parakohshme, për t’i rikthyer gëzimin që padrejtësisht ka humbur, për të zgjuar shpresën e saj, për të justifikuar me punë, shumë punë dhe djersë të drejtën e saj për të shpresuar. Tiranën e preka dhe e ndjeva këto javë në çdo qelizë, në çdo nerv, në çdo pasion, në çdo ëndërr të fshehtë apo të hapur. Tiranën këtë zonjë të rëndë, këtë nënë, këtë motër, këtë mike, këtë tokë fisnike që ka njohur shpesh shumë mosmirënjohje, kuptova se sot, edhe më shumë se dje, është shndërruar në një dashuri të madhe dhe në një qëllim të madh të jetës sime. Kuptova se Tirana ka nevojë edhe për përkushtimin tim, për ndjenjën time, për punën dhe dashurinë time. Ashtu si ka nevojë për më shumë dashuri nga të gjithë ne, dashuri, vëmendje, përkujdesje dhe shërbim, shumë shërbim. Këto javë pranë qytetarëve të Tiranës, pranë halleve të tyre, pranë bukës së shtrenjtë, pranë të rinjve të papunë, pranë pleqve të braktisur, pranë nënave me rrathë të zinj poshtë syve, përjetova edhe vetë një rilindje dhe rizgjim të ndjenjave të mia më të forta dhe më të ndjeshme. Dhe ju rrëfej se ndonjëherë, fshehurazi nga kamerat apo sytë e qytetarëve, kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur dhe të pabindur. Por Tirana nuk ka nevojë për lotë. Ashtu si dhe nuk ka nevojë për britma dhe ulërima. As për politikë të madhe dhe as për grindje të mëdha, në emër të ca ambicieve personale, boshe dhe egoiste. Tirana ka nevojë për vëmendjen e bijve dhe bijave të saj, të shkolluar, të dashuruar me të, të motivuar, të zjarrtë, këmbëngulës, të hekurt dhe idealistë”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat vuri në dukje se ai do të dëgjojë qytetarët e saj. Sipas tij, sot qytetarët e Tiranës kanë përpara alternativën mes një Kryetari Bashkie që i dëgjon dhe një Kryetari Bashkie që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre. “Dhe kështu të dashur miq, shkova në çdo lagje të këtij qyteti, për t’u takuar me ju në shtëpitë tuaja, në vendet tuaja të punës, në rrugët tuaja për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet tuaja. E bëra këtë për një arsye të thjeshtë dhe për një arsye të fortë njëherësh: Askush nuk mund të drejtojë nëse më parë nuk dëgjon. Dhe kjo është alternativa që ju keni përballë të dielën - alternativa mes një Kryetari Bashkie që ju dëgjon dhe një Kryetari Bashkie që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre. Në mbarë Tiranën kam dëgjuar qytetarët duke folur për sfidat e vërteta me të cilat ballafaqohet qyteti ynë: se ka shumë pak mundësi për të gjetur punë, shumë pak hapësirë të gjelbra, çmimet janë tepër të larta, klasat në shkolla kanë shumë më tepër nxënës se norma, ka shumë trafik dhe rrugë të prishura dhe të pashtruara. Mund te çirremi sa te duam para këtyre sfidave. Mund ti tundim grushtet në erë sa të duam para këtyre problemeve. Mund të përpiqemi edhe t’i mbulojmë ato, duke i shkuar përsipër një dorë boje. Por asnjë nga këto nuk i zgjidh problemet e qytetit tone. Klithja e sloganeve politike nuk hap asnjë vend të ri pune dhe kësisoj, as edhe ulet dot çmimi qofte edhe i një buke të vetme. Betejat politike nuk na e shkurtojnë kohën e kthimit në shtëpi, nuk e çajnë dot trafikun kaotik pas një dite të lodhshme pune. As nuk ndërtojnë dot, qoftë edhe një park të vetëm ku të luajnë fëmijët tanë. As fjalët e ashpra, as aktet e dhunshme nuk e bëjnë Tiranën një qytet modern europian. Një Kryetar Bashkie qe merret vetëm me beteja politike, nuk i zgjidh dot problemet e qytetit tonë”, deklaroi Basha. Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha theksoi më tej se ka ardhur koha që grindjet dhe konfliktet politike të lihen mënjanë dhe të mendohet e trajtohet çdo hall dhe çdo problem i qytetarëve të Tiranës. “Sot është koha për t’u ndarë nga këto grindjet dhe konfliktet politike, njëherë e mirë. Është koha për t’ju përveshur punës, për të vënë në rend të parë njerëzit dhe hallet e tyre. Punësimi është një problem që unë kam prekur në të gjitha bisedat e mia me qytetarët e Tiranës. Prandaj unë kam përgatitur një plan për hapjen e vendeve të reja të punës, për të cilat kanë kaq shumë nevojë njerëzit tanë. Unë do të ul taksat për biznesin që hap vende të reja pune. Si Kryetar Bashkie do të investoj në ndërtimin e infrastrukturës për të cilën ka shumë nevojë qyteti ynë. Do të përkushtoj të gjitha energjitë e mia për të nxitur investime të reja dhe vende të reja pune si dhe për ta shndërruar Tiranën në një atraksion turistik. Kryetari aktual i Bashkisë thotë se nuk është detyra e tij të krijojë vende pune për ju... Unë do të jem një Kryetar Bashkie ndryshe. Krijimi i vendeve të punës për ju, do të jetë detyra ime më e rëndësishme. Nga mijëra familje kam dëgjuar shqetësimin e tyre të madh për trafikun e rënduar, që na pengon të shkojmë në punë në mëngjes dhe të kthehemi në shtëpi, në familjet tona pasdite. Unaza e re do të ndihmojë që trafiku të lëvizë më shpejt dhe do të shmangë bllokimin e tij. Dhe kjo është gjëja më e natyrshme, por Kandidati tjetër është kundër Unazës për një arsye të thjeshtë: sepse ka zgjedhur sherret politike në vend të bashkëpunimit me kundërshtarët e tij politikë. Në lagjet, rrugët dhe rrugicat ku kam ecur, kam prekur ankimet tuaja për çmimet e artikujve të përditshëm që nga buka e deri tek karburanti. Kryetari aktual i Bashkisë ngre duart përpjetë, thotë se nuk ka ç’bën dhe fajëson qeverinë. Por unë mendoj se detyra e një Kryetari Bashkie, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me fajësimin e të tjerëve. Unë mendoj se Kryetari i Bashkisë duhet të qëndrojë i pari, në krye të punëve dhe në krye të përgjegjësive”, tha kandidati i PD-së dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Ai premtoi gjithashtu se falë punës dhe përkushtimit të tij në krye të bashkisë së Tiranës, falë harmonizimit të relative, raporteve dhe bashkëpunimit me qytetarët e Tiranës do bëhet e mundur ndërtimi i Tiranës, i asaj Tirane që e duan qytetarët, që e duan shqiptarët. “Unë jam i bindur se ne mund të ndërtojmë shkolla të sigurta dhe të ulim numrin e nxënësve në klasa. Unë jam i bindur se ne mund të krijojmë parqe dhe sheshe lojërash të reja. Unë jam i bindur se ne mund të investojmë për artin, kulturën dhe sportin. Unë jam i bindur se mund ta ulim nivelin e ndotjes dhe ta pastrojmë qytetin. Unë jam i bindur se ne mund të ndërtojmë një dhe më shumë linja tramvaji dhe të përmirësojmë gjendjen e trotuareve. Unë jam i bindur se ne mund ta shtojmë ndriçimin në rrugë dhe të rregullojmë problemet me ujin dhe kanalizimet. Dhe unë jam i bindur se ne mund ta përmirësojmë përkujdesjen shëndetësore dhe sociale për të gjithë qytetarët, përfshirë grupet në nevojë dhe pensionistët, të cilët kemi detyrim t’i mbështesim. Dhe unë e di se edhe ju jeni të bindur që të gjitha këto duhen bërë pa humbur kohë. Po për t’i realizuar të gjitha këto na duhet një qasje ndryshe. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si punon Bashkia dhe duhet në radhë të parë të ndryshojmë mënyrën se si punon Kryetari i Bashkisë. Ne na duhet një Kryetar Bashkie që i takon dhe i dëgjon qytetarët dhe u jep llogari atyre...dhe ky është pikërisht lloji i Kryetarit të Bashkisë që unë do të jem”, deklaroi Basha. Për të përfunduar se “këto javë pranë qytetarëve të Tiranës, pranë halleve të tyre, pranë bukës së shtrenjtë, pranë të rinjve të papunë, pranë pleqve të braktisur, pranë nënave me rrathë të zinj poshtë syve, përjetoi edhe vetë një rilindje dhe ri-zgjim të ndjenjave të tij më të forta dhe më të ndjeshme. Tirana ka nevojë për vëmendjen e bijve dhe bijave të saj, të shkolluar, të dashuruar me të, të motivuar, të zjarrtë, këmbëngulës, të hekurt dhe idealistë. Dhe kështu të dashur miq, shkova në çdo lagje të këtij qyteti, për t’u takuar me ju në shtëpitë tuaja, në vendet tuaja të punës, në rrugët tuaja për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet tuaja. E bëra këtë për një arsye të thjeshtë dhe për një arsye të fortë njëherësh: Askush nuk mund të drejtojë nëse më parë nuk dëgjon. Dhe kjo është alternativa që ju keni përballë të dielën – alternativa mes një Kryetari Bashkie që ju dëgjon dhe një Kryetari Bashkie që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre”, e mbylli fjalimin e tij, Lulzim Basha.
Sali Berisha: “Lulzim Basha do jetë një kryebashkiak i shkëlqyer”
Në mbylljen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, përshëndeti edhe kryeministri i vendit Sali Berisha. Kreu i ekzekutivit u shpreh nga sheshi “Nënë Tereza”, para qindra e mijëra mbështetësve të pranishëm se kandidati për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, është një udhëheqës me aftësi të shkëlqyera drejtuese. Kreu i qeverisë do t’i drejtohej qytetarëve të Tiranës se vota në 8 maj për Lulzim Bashën, është votë për punësim, zhvillim, ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e biznesit si dhe votë për mirëqenien e qytetarëve dhe modernizimin e qytetit. “Sot, secili prej nesh, çdo fëmijë, vogëlush, nxënës, student, i rritur, i moshua, burrë, grua, kanë në zemër një ëndërr, ëndrrën Tirana e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, Tirana Europiane, Shqipëria Europiane. Unë, ju përshëndes ju nga ky shesh kudo që jeni, sepse ju këtë muaj, këto 30 ditë, ju u shndërruat në ministrat , kryeministrat, inxhinierët, mjekët, akademikët, urbanistët, arkitektët, pavarësisht se ku jetonit, për qytetin tuaj, për lagjen tuaj , për komunën tuaj. Bëtë një fushatë të pa parë në historinë e këtij kombit, me një debat qytetar që ka njohur Shqipëria. Në çdo apartament, në çdo shtëpi dhe banese, në çdo klub dhe restorant, në çdo rrugicë dhe rrugë, në çdo lagje dhe qytet, në çdo fshat dhe çdo komunë. Ju hartuat projektin e shndërrimit në realitet të ëndrrës sonë Europiane, të ëndrrës Shqipëria e zhvilluar, Tirana e zhvilluar. Unë do ju shpreh këtu mirënjohjen më të thellë, për lidershipin që treguat këto 30 ditë, keni qenë udhëheqësit më të shkëlqyer që kam njohur në jetën time. Ndaj dhe jam sot këtu për tu angazhuar solemnisht para jush, se vota me 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të ‘Aleancës për Qytetarin’, është votë për infrastrukturën më moderne, Europiane të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Është votë për rrugë, rrugica, trotuare, posta, shkolla, kopshte të standardeve më të mira. Vota me 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e parë të ‘Aleancës për Qytetarin’, është votë për të shndërruar qytetet tona në gjeneratorë të mëdhenj, të punësimit, të zhvillimit, të prosperitetit tuaj dhe të mbarë Shqipërisë. Vota me 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të ‘Aleancës për Qytetarin’, është vota për shkollimin e fëmijëve tuaj në standardet më të mira Europiane, është vota për një arsim që ti përgjigjet të gjithë kërkesave të kohës, është vota për të shpalosur vlerat e mëdha kulturore, visaret e kombit para vetes, para Europës. Vota me 8 maj për Lulzim Bashën. Për qytetarët e parë të ‘Aleancës për Qytetarin’, është votë për të ndihmuar, për të zhvilluar biznesin në të katër anët e vendit, për të ulur taksat, për të rritur bizneset, për të shndërruar Tiranën dhe qytetet tona, në kryeqytetin dhe qytetet më tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj. Është vota për të krijuar dhjetëra e mijëra vende pune. Është vota për të gjeneruar çdo ditë e më shumë begati zhvillim, prosperitet. Vota për Lulzim Bashën, vota për qytetarët e parë të ‘Aleancës për Qytetarin’, është vota për të ndërtuar së bashku Tiranën jeshile, Shqipërinë jeshile, Tiranën e shëndetit, Shqipërinë e shëndetit. Vota juaj me 8 maj për Lulzim Bashën dhe të gjithë kandidatët për kryetarë të bashkive dhe komunave të “Aleancës për Qytetarin”, është dhe do të jetë votë për ëndrrën tuaj Europiane, për integrimin e Shqipërisë në Europë”, u shpreh kryeministri Berisha. Kryetari i PD-së Sali Berisha, njëkohësisht kreu i ekzekutivit ftoi të gjithë shqiptarët që në 8 maj, alternativa e tyre elektorale të jetë Lulzim Basha, Lorenc Luka, Ferdinand Xhaferaj, Durim Hushi, Ilir Bele, Ilir Deçolli, Andrea Mano. “Të votojmë të gjithë kryetarët e Bashkive dhe komunave të Aleancës për Qytetarin. Ju garantoj se çdo votë e juaja do të shndërrohet në sukses për secilin prej jush, do të shndërrohet në zbatimin e qindrave dhe mijëra projekteve që ju hartuat për të bërë realitet ëndrrën tuaj Europiane, ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar. Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Tirana është e para, qytetet tona janë të parat, fshatrat, komunat tona janë të parat, Shqipëria është e para”, tha Berisha. Berisha iu drejtua të pranishmëve se “ju realizuat ëndrrën e të gjitha ëndrrave, ëndrrën e lirisë”. “Ju me lumenj djerse, mundi dhe sakrifice, me reformat që ju mbështetët e shndërruat Shqipërinë, nga vendi më i varfër dhe vend i falimentuar, e ngjitët në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Bunkerët dhe tunelet e diktaturë i zëvendësuat me vila, me qytete të reja. Ju me punën dhe përkushtimin tuaj, bëtë realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve të lëvizjes së lirë në mbarë Europën. Ju me shpirtin dhe virtytet tuaja bëtë që Shqipëri, e cila nuk ekzistonte kurrë në analet e turizmit dhe harta e tij, të jete këtë vit e Bukura e Dheut, destinacioni turistik kryesor i globit”, deklaroi kryeministri.
Kandidati për kryebashkiak në Tiranë komunikon me zgjedhësit në Facebook
Lulzim Basha: Bashkia do të ketë energjinë e Rinisë së Tiranës
Lulzim Basha vendos një nivel të ri komunikimin me qytetarët në këtë fushatë elektorale. Përveç bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë në çdo cep të Tiranës, Basha ka zhvilluar edhe dy komunikime ‘live’ me qytetarët përmes rrjetit social Facebook. Në komunikimin e fundit në këtë rrjet social, ku mbështetja për Lulzim Bashën ka arritur mbi 278 mijë persona, për më shumë se një orë, kandidati për kryebashkiak u është përgjigjur pyetjeve lidhur me taksat, çmimet, politikat zhvillimore të Tiranës, strehimin, transportin publik etj. Ashtu si në Facebook edhe në takimet e zhvilluara drejtpërdrejtë, Lulzim Basha ka arritur në shifra rekord të mbështetjes nga të rinjtë. Çfarë do të bëjë Basha si kryetar bashkie, për strehimin e të pastrehëve? Kam dëgjuar për programin tuaj dhe ndihmën që do t’u jepet çifteve të reja. Si do të jepet kjo ndihmë? Së pari, nëpërmjet një fondi special të bashkisë për zbutjen e kredive për çiftet e reja. Një tjetër drejtim shumë i rëndësishëm është ai i banesave sociale. Unë jam i vendosur që territoret publike të qytetit të Tiranës, që janë të shumta, t’i vë në dispozicion të qytetarit të Tiranës. Ne do të ndërtojmë brenda katër viteve të ardhshme 1000 apartamente sociale. Një problem tejet shqetësuese për mua si qytetare e Tiranës, është transporti publik. Dëshiroj të di se si e mendoni ju rregullimin e këtij problemi...? Jam i përkushtuar për tramvajin, dhe do të nis brenda 12 muajve të parë, me përfundimin e planit urbanistik, punën për linjën Kinostudio-Kombinat, sepse një linjë e dedikuar me kapacitete të larta, do të bëjë të mundur, jo vetëm transportin me cilësi më të mirë dhe me komoditet të qytetarëve në këtë linjë dhe më vonë në linjën tjetër, por do të konkurrojë denjësisht dhe do të bindë më shumë qytetarë që të lenë mjetet e tyre private dhe t’i drejtohen këtij mjeti, se do të lëvizin më shpejt, do të lëvizin më cilësisht në rrugët e qytetit. Në të njëjtën kohë, rrjeti i transportit publik duhet të jetë i integruar. Shërbimi me autobusë duhet të shtrihet në të gjithë qytetin dhe të shërbejë njësoj si në periferi dhe në qendër dhe cilësia e tyre nuk duhet të jetë variabël i fushatave elektorale. Standardet minimale të shërbimit të autobusëve të Tiranës do të përcaktohen dhe do të ndiqen rigorozisht. Autobusët që nuk janë të përshtatshëm për qytetarët e Tiranës, nuk do të lejohen më në rrugët e Tiranës. Lulzim Basha me të rinjtë “Të bashkojmë energjitë për të shndërruar në realitet projektin për Tiranën” Përveçse në takimet në çdo cep të Tiranës, në universitet, në garat e tyre sportive, kandidati demokrat Lulzim Basha ka qenë i pranishëm edhe në festat e organizuara nga të rinjtë siç ishte edhe ajo e një natë më parë. Basha ka ftuar të rinjtë që duke nisur nga dita e hënë të bashkojnë energjitë për të shndërruar në realitet projektin për Tiranën. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që këtij qyteti t’i ketë ardhur shpresa si kësaj radhe. Pse? Prej jush! E gjithë përgjegjësia që ne marrim përsipër përpara qytetit të Tiranës, do të nisë rrugëtimin e saj me të njëjtat parametra, me të njëjtën kursor, me të njëjtën energji, që ju keni”, u shpreh Basha në një ‘party’ të organizuar nga të rinjtë e Tiranës. Të rinjtë zënë një vend të veçantë në projektin e Lulzim Bashës për arsimin, punësimin, strehimin e tyre. Pas anëtarësimit në NATO dhe Liberalizimit të vizave, ku më së shumti përfitues janë të rinjtë, projekti i Lulzim Bashës për Tiranën është një garanci më shumë për rininë shqiptare për të qenë të barabartë me të rinjtë kudo në Europë.
...