BATUTAT e Ramës me Volfartin në pritje të Jozefina Topallit
Rama-Volfartit: Kjo tryeza e grave, puna më e mirë që ke bërë.
Edi Rama, Jozefina Topalli e Ilir Meta ishin ulur në një tryezë të përbashkët gjatë konferencës së organizuar nga OSBE për rritjen e rolit të grave në qeverisje.
Ndërkohë që të pranishmit kishin mbërritur në orarin e përcaktuar, Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit, u vonua për të paktën çerek ore. Në pritje të Topallit, kreu i Prezencës së OSBE, Eugen Volfart, bënte ecejake dhe i justifikohej kreut të PS, Edi Rama. Kur nuk mërzitesh ti që je gjerman, të mërzitemi ne? i tha Rama.
Ndërsa salla e mbushur plot me femra, priste Jozefina Topallin, Volfart tha se duhej pritur pasi është femër dhe duhet respektuar. Pse këto në sallë çfarë janë, burra? tha Rama.
Pasi mbërriti Jozefina Topalli, ajo i dha dorën Ramës, i cili i tha asaj: Kush po e vonon integrimin, unë apo ti.
Në fjalimin e saj, Topalli tha se duhen bërë përpjekje për përfaqësimin siç duhet të femrave. Ajo i habiti të pranishmit kur tha se gruaja është krijuese dhe burri shkatërrues. Ndërkohë në fjalën e tij, Rama tha se nuk është dakord me këtë shprehje. Kur ka burra shkatërrues, nuk duhet të kenë bashkëpunëtore, tha Rama. Në fund Rama e mbylli fjalën duke i thënë Volfartit se tryeza e grave është puna më e mirë që ka bërë në Shqipëri.