Topi dekreton Fullanin për guvernator të BSH-së

Kreu i shtetit Bamir Topi ka dekretuar sot emërimin e Ardian Fullanit si guvernator të Bankës së Shqipërisë. Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të presidencës thuhet se “në mbështetje të nenit 93 dhe 161, paragrafi 2, të Kushtetutës së Shqipërisë, Zoti Ardian Fullani, i propozohet Kuvendit për t`u zgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë”.
Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë ka vlerësuar punën e Fullanit gjatë prezantimit që i bëri kandidaturës së tij.
“Kandidaturat që i propozon Këshilli i Ministrave parlamentit për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë janë: guvernatori aktual, zoti Adrian Fullani, një bankier me një eksperiencë të gjatë pune në sistemin bankar dhe drejtues i Bankës së Shqipërisë në një nga kohërat më të vështira për financat evropiane dhe botërore" theksoi Berisha.
Ardian Fullani është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë që prej muajit tetor të vitit 2004. Asokohe u emërua me propozim të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe zëvendësoi në këtë post Shkëlqim Canin. Fillimi i punës së Ardian Fullanit në fushën e bankingut qendror i takon vitit 1992 në funksionin e zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë e në vijim në periudhën 1993–1996 si drejtor i Departamentit të Jashtëm.
Gjatë aktivitetit në këtë sektor ai ka dhënë kontributin e tij me vlerë në krijimin e bankës qendrore në Shqipëri, në përgatitjen e kuadrit të saj rregullator, sidomos lidhur me funksionimin e tregut të këmbimeve valutore, me politikat për administrimin e rezervave valutore e financiare ndërkombëtare.