BB: Ekonomia shqiptare pritet të rritet 3,4% gjatë këtij viti, e nxitur nga turizmi

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Banka Botërore parashikon se ekonomia shqiptare do të rritet me 3,4% përgjatë këtij viti e nxitur kryesisht nga turizmi.
Megjithatë, BB vlerëson se konflikti në Lindjen e Mesme mbetet një rrezik serioz për ngadalësim të rritjes së ekonomisë dhe në këtë drejtim kërkohet ndërmarrja e reformave.
“Ekonomia e Shqipërisë vijon të tregojë qëndrueshmëri, por ruajtja e këtij momenti kërkon reforma të guximshme strukturore. Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet, sepse çmimet më të larta të energjisë dhe ndërprerjet e tregtisë të lidhura me situatën në Lindjen e Mesme po ndikojnë negativisht në fuqinë blerëse. Përshpejtimi i reformave drejt anëtarësimit në BE, më shumë investime në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën digjitale, si dhe mobilizimi i kapitalit privat do të nxisë investimet, krijojë vende pune dhe përshpejtojë konvergjencën me BE-në”, tha kreu i Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci, gjatë konferencës për prezantimin e Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Në projeksionet e institucionit, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2026 do të jetë 3,4%, ndërsa në 2027 rritja pritet në 3,7%.
Banka Botërore vlerësoi edhe uljen e nivelit të papunësisë dhe të borxhit publik, ndërsa cilëson si një sfidë gjetjen e krahut të kualifikuar të punës.
“Ekonomia e Shqipërisë u rrit, e mbështetur nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, veçanërisht turizmi. Inflacioni mbeti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Borxhi publik vijoi rënien, duke zbritur në 53,2% të PBB-së në fund të vitit 2025. Bilanci i llogarisë korente u përmirësua, i mbështetur nga eksportet e shërbimeve të nxitura nga turizmi. Megjithatë, rritja e punësimit dhe rritja e pagave duhet të ndihmojnë në uljen e varfërisë në 19,4% deri në vitin 2028”, thuhet ne raport.
Sipas raportit, Shqipëria është ndër vendet e rajonit me emigrimin më të lartë për frymë.
Sipas Bankës Botërore edhe rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të mbetet e ngadaltë e ndikuar nga efektet zinxhir të konfliktit në Lindjen e Mesme, inflacioni dhe pasiguritë në rritje.
/r.e/a.f/