BB: Klima e biznesit në Shqipëri, më e vështirë se në Bosnjë dhe Serbi
Në listë vihet re se Bitola (Manastiri) në Maqedoni është në krye të renditjes së qyteteve të vlerësuara nga ky raport. “Ne jemi të kënaqur që ky qytet është zbatuesi më i mirë”, - shprehet Patricia Rader, drejtoreshë e Misionit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shkup. “Reformat e biznesit kanë shumë rëndësi për zhvillimin. Investitorët kanë nevojë për siguri, qeverisje të mirë dhe ligj kontraktual dhe rajoni ka nevojë për investime, me qëllim stimulimin e zhvillimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, - tha ajo. Raporti thekson konkretisht se në nisjen e një biznesi Shkodra, Vlora dhe Tirana zënë respektivisht vendet 3, 4 dhe 5, çka do të thotë se ato zënë një vend të mirë në renditje, megjithëse krahasimi bëhet me vende që nuk janë anëtare të BE, madje as nuk kanë marrë ftesën për NATO. Ndërkohë që për të marrë një licencë ndërtimi, para qyteteve tona ndodhen thuajse të gjitha qytetet që janë shqyrtuar në Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Kroaci dhe mbetet pas vetëm një qytet në Serbi dhe një në Kroaci e një në Kosovë. Raporti Doing Business i Bankës Botërore e përforcon edhe më shumë faktin që biznesi në Shqipëri ka lehtësi në çeljen e tij dhe vështirësi të mëdha në ecurinë e tij, edhe në treguesin e regjistrimit të pronës. Në këtë tregues qytetet tona janë pas disa qyteteve jo vetëm të Maqedonisë dhe të Kroacisë, por edhe të Serbisë dhe të Bosnjës, dy vende këto që janë pas me reformat dhe që kanë kaluar luftëra. Nënshkrimi i kontratave dhe zbatimi i tyre është një prej treguesve të tjerë që rëndon klimën e biznesit në Shqipëri dhe qytetet tona të marra në shqyrtim, Shkodra, Tirana dhe Vlora, janë pas qyteteve të Serbisë, Zrenjanin, Uzice, Beograd Krushevac, pas Bitolës, Maqedoni, pas Zagrebit dhe Osijekut të Kroacisë, pas Pleviljes Mali i Zi etj. Raporti thekson se, përderisa disa ekonomi kanë arritur një progres të dukshëm në përmirësimin e klimës së biznesit në nivel kombëtar - Kroacia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë renditen ndër 10 vendet e para për sa i përket reformave në nivel global vitin e kaluar - ka ende hapësira ku mund të zgjerohen reformat në nivel lokal.