Fenomeni “Horri” Lena dhe fenomeni Delijorgji
Tashmë, emigrantët që po kthehen në shtëpitë e tyre janë të dëshpëruar dhe të revoltuar me atë që ndodh. Kanë punuar një vit në Greqi dhe vijnë të pushojnë në vendlindje. Te burimi që ka ëndërruar gjithë rrugës, nuk ndalon dot të freskohet, pasi ai nuk ekziston më. Një sipërfaqe disa hektarë është mbushur me beton. Disa kodra para se të mbërrish në Grykën e Këlcyrës janë shkatërruar nga gërmimet pa leje. Shkon në shtëpi dhe nuk ka drita. Pyet njerëzit, kur vijnë dritat, dhe i thonë se një Horri Lena ka marrë leje katër orë të fikë dritat e gjithë Jugut dhe i ka mbajtur fikur 24 orë, se do montonte një kabinë te toka që ka zaptuar. I njëjti njeri ka zhdukur burimin, i njëjti njeri ka shkatërruar kodrat përreth duke vjedhur zhavorr dhe duke shkatërruar natyrën. I njëjti njeri ka zaptuar pronat e të tjerëve. I njëjti njeri ka korruptuar shtetin shqiptar dhe ka ndarë tapi me ligjin 7501 në maj të vitit 2008 duke folur në emër të Sali Berishës. I njëjti njeri ka hapur llafin se do të ndërtojë fshat turistik dhe ndërton fabrikë uji, të cilin e grabit. I njëjti njeri korrupton prokurorinë e Gjirokastrës dhe nuk lejon që ajo të fillojë procedim penal ndaj tij, edhe pse ka kallëzim penal nga qytetarët. I njëjti njeri nuk dënohet as nga Polica Ndërtimore as nga e Mjedisit, por i vihen disa gjoba simbolike, ndërsa shëmtitë e tij po shkatërrojnë Jugun. I njëjti njeri gënjen kryetarët e komunave rrotull se do t’iu shtrojë ndonjë rrugë falas, po ta lejojnë të vjedhë ca zhavorr fushave dhe kodrave, sa të mbarojë punë. Dhe shteti është i gjithi në shërbim të tij. Aty bëhet një vepër gjigante pa leje dhe s’ka një tabelë në rrugë se kush punon dhe çfarë bën. Nuk ka një projekt të afishuar. Bukuria e vetme natyrore në Grykën e Këlcyrës po kthehet me shpejtësi në një varrezë plastikash dhe po i hapet rrugë kështu një krimi me leje të shtetit. Kur të vijnë vitin tjetër emigrantët, nuk do të shohin vetëm betonin e dyshemesë, por dhe të çatisë, do të shohin Vjosën e pistë dhe terrenin e shkatërruar. Historia e turizmit dhe ëndrrës për t’u kthyer në një oaz në vendlindje merr fund.
Fenomeni ‘Horri Lena’ është tipik fenomen qeverisjeje në qeverinë e Sali Berishës. Edhe pse nuk ka të bëjë me fishekë, ai është i njëjtë me fenomenin ‘Delijorgji’, pasi njësoj si atje shteti këtu bën sikur nuk shikon asgjë. Bën sikur nuk shikon zaptimet, bën sikur nuk shikon shkatërrimet, bën sikur nuk shikon zhdukjen dhe gllabërimin e një burimi publik, bën sikur nuk shikon mungesën e lejeve dhe katastrofën ekologjike që shkakton ky horr në një nga perlat e natyrë shqiptare. Edhe këtu njësoj si në Gërdec maskohet duke përmendur emrin e Sali Berishës nga mëngjesi në darkë, madje dhe detaje nga bisedat me të se si ka urdhëruar që të jepen tapitë me ligjin 7501 në maj të 2008, që ky Horr të zaptojë toka. Dhe për koincidencë, njësoj të dy këta horra janë me origjinë shqiptaro-greke dhe përpiqen të mbrohen me këtë status. Nuk di ç’duhet të shpërthejë, që qeveria të thotë për herë të parë, tani po dëgjojmë për këtë katastrofë që ka bërë Horri Lena në Grykë të Këlcyrës. Por është mirë që diçka të shpërthejë, se ndryshe këtu të rrahin dhe nuk të lënë të qash.