Flet Kreshnik Spahiu: “Shteti të tregojë, nëse është me drejtësinë apo me Delijorgjin”
Është kthyer gati në një luftë të ftohtë përplasja mes ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë, Kreshnik Spahiu. “Do të thoja që gjithçka është artificiale, - shpjegon zoti Spahiu. - Prej shumë kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka patur një harmoni të plotë dhe një vendimmarrje konsensuale përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD. Me bindje, ju them se çdo kërkesë apo pretendim i ardhur nga ministri i Drejtësisë deri më sot është pranuar në 100 për qind të rasteve, sikundër ka patur një bashkëpunim shumë serioz”.
Edhe ministri i Drejtësisë, Alibeaj, ka folur për një konflikt të stisur, duke akuzuar zotin Spahiu për protagonizëm politik. “Protagonizëm politik nga ana ime nuk mund të ketë, sepse unë nuk përfaqësoj asnjë parti politike, - replikon zoti Spahiu. - Ky protagonizëm mund të jetë nga ana e ministrit. Së dyti, nuk ka patur asnjë tendencë të këtij protagonizmi, se kjo është dalja ime e parë për këtë çështje dhe nuk kam shprehur në asnjë rast asnjë rezervë apo kritikë në adresë të ministrit të Drejtësisë, i cili është anëtar ex officio. Të gjitha deklaratat, kundërdeklaratat e qëndrimet antagoniste në 7 apo 8 raste kanë ardhur nga ana e ministrit.
Pak ditë më parë, ministri i Drejtësisë kërkoi verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës nga ana e nënkryetarit, Spahiu. Këshilli i Lartë e hodhi poshtë me votim këtë kërkesë. Ministri Alibeaj nga ana e tij e quajti të gabuar qëndrimin e Këshillit, mosrespektim të ligjit dhe ka përsëritur publikisht kërkesën. Por zoti Spahiu është i mendimit se kjo kërkesë është antikushtetuese: “Për herë të parë pas 15 vjetësh, në historinë e tij dhe të jurisprudencës shqiptare bëhet një kërkesë kaq antikushtetuese dhe antiligjore. Dhe besoj se përgjigjja më e mirë është vendimi i KLD, i cili e rrëzoi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë dhe më pas edhe vendimi i vetë ministrit me nënshkrimin që i bëri raportit të kontrollit të Inspektoratit të KLD që ishte bërë objekt i debatit e diskutimit. Pra, vetë ministri ka pranuar që ky raport dhe ky kontroll ka qenë i rregullt”.
Por ministri, nga ana e tij, është shprehur se debati nuk ka qenë për çështjen e propozimit për procedim disiplinor të tre gjyqtarëve që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit, drejtuesit të shoqërisë që kryente çmontimet në Gërdec. Ai e ka firmosur nisjen e procedimit. Pak ditë më parë tha se çështja do i nënshtrohet tashmë Këshillit, sikundër dje njoftoi se do të kërkojë të njëjtën masë edhe për tre gjyqtarë të tjerë dhe dy prokurorë.
“Ne mirëpresim edhe zgjimin nga gjumi letargjik i ministrit për t’u përfshirë në llogoren antikorrupsion, ne mirëpresim çdokënd që të përfshihet në këtë luftë”, - shprehet nënkryetari i KLD. “Raporti i kontrollit për gjyqtarët që liruan të dyshuarin për autorin kryesor të shpërthimit të Gërdecit ka shkaktuar një debat kaq të madh. Më pas kjo u shoqërua me një Gërdec të dytë për Drejtësinë shqiptare që është letra dhe kërcënimi që ka marrë Kreshnik Spahiu nga qelitë e burgut nga Mihal Delijorgji dhe në këtë kontekst do të thosha se pa paragjykuar hartuesit apo bashkautorët e kësaj letre, qëndrimi ndaj Kreshnik Spahiut do të jetë një test, nëse shteti do të mbajë anën e Drejtësisë apo anën e Mihal Delijorgjëve”.
Të dy protagonistët e kësaj përplasjeje e cilësojnë atë artificiale, ndonëse debatet vazhdojnë prej shumë ditësh të ngarkuara me insinuata të forta. Tashmë, mbetet për të parë, nëse ajo është vërtet e tillë apo, siç shumë vëzhgues vlerësojnë, ka dhe një sfond politik.
Alibeaj: Spahiu nuk mund të fshihet as pas Delijorgjit dhe as pas Ben Qimes
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar dje pas deklaratave të bëra nga nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, në lidhje me çështjen e gjyqtarëve të Delijorgjit.
“Pas deklarimeve të fundit të nënkryetarit të KLD shprehem se jam i indinjuar për mashtrimet që z. Spahiu vazhdon të shpërndajë ende nëpërmjet medias. Deklarata e tij e fundit tregon qartë se z. Spahiu e ka kapur paniku nga kërkesa e ministrit të Drejtësisë për verifikimin të mandatit.
Në materialin e tij drejtuar ministrit të Drejtësisë për çështjen e tre gjyqtareve, z. Spahiu nuk ka kërkuar as procedim disiplinor, as shkarkimin dhe as ndjekje penale për ta, siç është shprehur dhe vazhdon të shprehet rëndom në shtyp. Deklarata e tij e sotme nuk tregon veçse frikën që e ka përfshirë atë nga procesi i verifikimit të mandatit, por nga ky proces nuk do të mbrohet as duke u fshehur pas “Delijorgjit”, por as pas “Ben Qimes”.
Është në nderin edhe seriozitetin e tij dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të pranojë procesin e verifikimit, sepse ky proces do të vazhdojë në KLD. Nëse do të vazhdojë të fshihet pas “votimeve” antiligjore, ky proces verifikimi do të bëhet nga organe të tjera ligjore dhe kushtetuese”, - thuhet në deklaratën e Alibeajt.