BB: Rritja ekonomike e Shqipërisë, e errët. Sa më afër Athinës të jesh, aq më keq është
Në të shkuarën thuhej se sa më larg Brukselit të ndodheshe aq më keq ishte. Tani kjo ka ndryshuar. Sa më afër Athinës të jesh, aq më keq është.
Kështu është shprehur kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Indermit Gill, gjatë një takimi me kryeekonomistët dhe ekspertët rajonalë të Bankës Botërore.
Ai ka thënë se vendet si Shqipëria, Bullgaria dhe Serbia kanë një perspektivë shumë të keqe ekonomike, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Greqinë.
Shikoni se çfarë po ndodh në Shqipëri, Serbi dhe Bullgari. Këto vende kishin lidhje të ngushta me Greqinë dhe Italinë, lidhje në tregti, sistemin bankar dhe në tregun e punës. Për shkak të kësaj këto ekonomi tashmë kanë perspektivat më të këqija për rritjen ekonomike, është shprehur ai.
Si të mos mjaftonte kjo, tashmë edhe Italia, një nga partnerët më të ngushtë të Shqipërisë, është në krizë, çka ka bërë që ajo të kalojë në vendin e pestë si investuesja më e madhe në Shqipëri. Prej vitesh ajo mbante vendin e parë, por tashmë është zëvendësuar nga Kanadaja./b.l