Dollapi: Synoj ti çoj humbjet 42%! ERE: Licenca u hoq, nuk i uli në 24%
Energjia
Raporte kontradiktore mes administratorit shtetëror dhe entit rreth CEZ-it
CEZ-i shtetëror ka mundur të shlyejë rreth 70 milionë dollarë detyrime të prapambetura
Kompanisë çeke iu hoq licenca për shkak të disa faktorëve, ku më kryesorja ishte niveli i humbjeve, të cilat në vitin 2012 ishin rreth 45 për qind, kurse në janar 2013, kur u mor vendimi, ishin rreth 49 për qind. Sipas detyrimit ligjor dhe kontraktual të privatizimit, humbjet në 2012-n duhet të ishin rreth 24 për qind.
Për këtë shkak, qeveria (d.m.th. ERE) caktoi një administrator të përkohshëm, pas heqjes së licencës dhe largimit të çekëve nga CEZ Shpërndarje. Pas një gare tepër transparente, u vendos të ishte në krye të CEZ-it shtetëror, Sahit Dollapi, me synim arritjen e rezultateve pozitive. Sipas tij, në këta tre muaj qëndrimi në krye të CEZ Shpërndarje janë rritur arkëtimet, kurse humbjet po bien gradualisht, me 0.5-1 për qind. Synoj që humbjet ti çoj në nivelin e 42 për qind brenda vitit 2013, u shpreh Dollapi këto ditë në Vizion Plus. Dollapi tha gjithashtu se, së shpejti do të bëj publike të dhënat e tremujorit, që sipas tij janë tepër pozitive.
Me shifrat e përmendura dhe me detyrimin ligjor të uljes së humbjeve, duket se palët ERE-CEZ janë në kontradiktë. Enti Rregullator është duke hartuar raportin tremujor mbi sistemin e shpërndarjes dhe ndihet në siklet me rezultatet e arritura, por më keq e shikon situatën me parashikimet e Dollapit, që humbjet do ti ulë në kuotën e 42 për qind, në një kohë kur CEZ iu hoq licenca pikërisht se humbjet duhet të ishin 24 për qind. Sipas Dollapit, CEZ ka mundur të shlyejë rreth 70 milionë dollarë detyrime të prapambetura, falë punës serioze të menaxherëve të rinj shqiptarë, pas largimit të specialistëve çekë.
Niveli i arkëtimeve i raportuar nga CEZ Shpërndarje për vitin 2012 është 83 për qind të energjisë elektrike të faturuar. Kjo shifër përfshin edhe arkëtimet e prapambetura të periudhës 2007-2011 në vleftën 8.996 miliardë lekë. Niveli i arkëtimit të vitit 2012 për faturat korrente, raportohet nga CEZ Shpërndarje në 64 për qind.
Për vitin 2012, niveli i humbjeve 44.96 për qind i raportuar nga CEZ Shpërndarje apo 46.38 për qind i llogaritur nga ERE çon në konkluzionin që kompania CEZ Shpërndarje jo vetëm nuk ka realizuar targetin e humbjeve prej 23.92 për qind, por përkundrazi e ka përkeqësuar performancën, raporton Enti Rregullator.
A.K.
Dollapi: Synoj ti çoj humbjet 42%! ERE: Licenca u hoq, nuk i uli në 24% burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email