E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BB: Shqipëria, nevojë për 6 miliardë dollarë investime për t’u mbrojtur nga rreziqet klimatike

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Shqipëria ka një mundësi unike për të trajtuar ndryshimet klimatike, ndërkohë që çon përpara rritjen ekonomike, sipas raportit të Klimës dhe Zhvillimit për Shqipërinë të Grupit të Bankës Botërore të publikuar sot në Tiranë.

Në raport, BB thotë se, Shqipëria, një nga vendet më të prirura nga fatkeqësitë natyrore në Evropë, ka nevojë për 6 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme për t’u mbrojtur nga rreziqet klimatike, kur përfitimet nga përshtatja mund të jenë 10 euro për çdo 1 euro të investuar.

Sipas raportit të BB-së, nëse nuk ndërmerren veprime, dëmet e lidhura me klimën mund t’i kushtojnë vendit 7% të PBB-së së tij. Me reformat e duhura si dhe angazhimin e sektorit privat, Shqipëria mund të kalojë drejt burimeve të rinovueshme, të ulë emetimet dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike.

“Ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet klimatike nuk është thjesht një domosdoshmëri; është një rrugë drejt rritjes së qëndrueshme dhe rezistencës ndaj tyre”, tha Emanuel Salinas, menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Në raport theksohet se Shqipëria mund të përdorë përshtatjen dhe zbutjen ndaj ndryshimeve klimatike si një mundësi për të arritur një model rritjeje më të qëndrueshme me produktivitet më të lartë. Për ta bërë këtë, ajo do të duhet të investojë në njerëz, të përmirësojë themelet për biznesin, sipërmarrjen dhe mjedisin e tregtisë
ndërkombëtare,  të krijojë hapësirë fiskale dhe të përmirësojë efikasitetin e shpenzimeve publike, dhe  të forcojë zhvillimin institucional.

“Reagimi i sektorit publik duhet të jetë i trefishtë. Së pari, të miratohen politika që zbusin ndikimin ekonomik dhe social të ndryshimeve klimatike duke nxitur veprimet e sektorit
privat dhe të familjeve (p.sh. urbanistikën, sigurimet, instrumentet e financimit, çmimi i karbonit, stimujt për punën kërkimore dhe inovacionin, etj.). Së dyti, të forcohet efikasiteti i shpenzimeve publike (p.sh. ndihma sociale, arsimi, shpenzimet farmaceutike, etj.) dhe të sigurohet disponueshmëria e mekanizmave efikase të
mbështetjes sociale. Së treti, të rritet hapësira fiskale duke forcuar mobilizimin e të ardhurave të brendshme përmes Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS), ndër të tjera, duke rritur taksimin e produkteve dhe veprimtarive të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin, duke ulur shpenzimet tatimore dhe duke rritur bazën tatimore, duke ulur nivelin e ekonomisë informale. Shqipëria gjithashtu do të duhet të monitorojë dhe menaxhojë në mënyrë aktive rreziqet fiskale nga ndryshimet klimatike”, thuhet në raport.

/j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›