GJKKO dënon me 2 vite e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Durrësit

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e 8 muaj ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon, raportuan sot mediet.
Akuza e parë ndaj Dakos lidhet me ndërtimin e një pallati 11-katësh në vitin 2011, që sipas SPAK, ishte jashtë çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri çka e ktheu ndërtesën në të rrezikshme për t’u banuar.
SPAK veçon tre dokumente të firmosura nga ish-kryebashkiaku, në njërën prej të cilave urdhëronte pezullimin e punimeve në objektin në fjalë dhe në tjetrën miratohej zbardhja e lejes dhe diçka e tillë sipas SPAK provon dijeninë e ish-zyrtarit lokal.
Akuza e dytë lidhet me projektin “Promenadë Bregdetare”. SPAK thekson se u hartua me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekë, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish-kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi.
Bashkia Durrës pavarësisht dëmit të konstatuar edhe nga KLSH kreu likuidimin financiar ndaj subjektit privat.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK, pasi dyshohej se kishte shpërdoruar detyrën në dy raste. /j.p/