BB shtyn pagesat e borxhit për Shqipërinë pas 2014-s
Banka Botërore ka toleruar Shqipërinë në shlyerjen e interesave të kredisë. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore në Tiranë, Shqipëria nuk mund të shlyejë në kushtet aktuale kreditë që ka marrë për 17 vjet, si vend me të ardhura të ulëta pranë shoqatës ndërkombëtare të zhvillimit, pjesë e Bankës Botërore. Shlyerja e këtyre borxheve do të nisë në mënyrë të përshpejtuar vetëm pas tre vjetësh, atëherë kur vendi ynë pritet të ketë një nivel më të lartë zhvillimi dhe mund të përballojë një ngarkesë të tillë. “Shqipëria ka përfituar asistencë të iDA prej 17 vjetësh. Këtë herë, Shqipëria dhe 6 vende të tjera kanë rënë dakord për të bërë një shlyerje të përshpejtuar të kredive të iDA. Përzgjedhja u bë në bazë të të ardhurave për frymë dhe të performancës makroekonomike, kushte të cilat Shqipëria i plotësoi. Plani i shlyerjes së përshpejtuar do të fillojë në janar 2014. Shtyrja për në vitin 2014 bëhet që të mos fillojë shlyerja e menjëhershme pas krizës dhe atëherë, Shqipëria do të ketë arritur në një stad të ndryshëm zhvillimi”, - është shprehur përfaqësuesja e BB në Tiranë. Në bilancin projekteve të saj në Shqipëri, Banka Botërore drejton vlerësime për arritjet e bëra në vend, duke theksuar se zhvillimi do të kulmojë në vitet në vazhdim. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenya Levovsky, theksoi se së fundmi qeveria shqiptare negocioi një kredi prej 25 milionë dollarë, që përbën edhe kredinë e parë të dhënë nga Banka Botërore pas vitit 2008. Një tjetër vlerësim i Bankës Botërore shkon edhe për sistemin e prokurimeve elektronike. Gjithashtu, ajo vlerësoi se bashkëpunimi politik është i lidhur pashmangshmërisht me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Një nga projektet që pritet të mbështet nga Banka Botërore është edhe një analizë e përgjithshme për të drejtat e pronave në Shqipëri.