E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Amnistia Fiskale risk moral

SHKRUAN: Blerina Hoxha 31-03-2011 14:50

Institucionet Financiare Ndërkombëtare japin komentet e para për projektin e Amnistisë Fiskale që ka ndërmarrë qeveria. Dje në një takim me median përfaqësuesja e Bankës Botërore në vendin tonë, Ksenia Lvovsky, tha se amnistia fiskale nuk duhet të shërbejë si precedent për të nxitur evazionin në të ardhmen, duke lënë të kuptojë se problemi kryesor i këtij procesi do të jetë ulja e rrezikut moral. “Suksesi i amnistisë fiskale do të varet shumë nga mënyra sesi do të zbatohet. Është shumë e rëndësishme që amnistia të jetë transparente dhe mbi të gjitha të minimizojë rrezikun moral. Kjo do të thotë se duhen marrë masat që pas amnistisë njerëzit të mos vazhdojnë evazionin, me shpresën se do të ketë përsëri amnisti në të ardhmen” tha përfaqësuesja e Bankës Botërore. Aktualisht projekti i amnistisë fiskale është për diskutim në organizatat e biznesit dhe pritet që javën që vjen të shkojë në Kuvend për miratim. Mirëpo duket se mungesa e mirëkuptimit nga opozita nuk do të bëjë fakt ligjin duke i lënë të kuptojë biznesit dhe individëve vetëm për një falje të thjeshtë që kërkon përgatitjen e një projekti të ri. Opozita gjykon se ky nuk është momenti i duhur për këtë proces, sepse vendi gjendet në fushatë zgjedhore dhe konteksti është i gabuar. Opozita kërkon që fillimisht të ndodhë amnistia politike e më pas të diskutohen ligjet e rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament. Ndërsa mazhoranca është e gatshme dhe këmbëngulëse në realizimin e amnistisë fiskale, biznesi pret të gjejë konsensusin me qeverinë përsa i përket tarifës së taksimit të aseteve dhe detyrimeve që i ka shtetit. Ndërsa ekspertët në fushën e ekonomisë, gjykojnë se realizimi i një amnistie fiskale kërkon një studim të tregut, si dhe identifikimin e pritshmërisë së përfitimeve. Sipas tyre, për këtë qëllim duhet të ngrihet një Task-Forcë, që të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar për realizimin e një amnistie fiskale. Ata gjykojnë se komuniteti i biznesit duhet të rrisë ndikimin e tij me debate dhe sugjerime, që kjo amnisti të realizohet. Debati për amnistinë fiskale ka vite që ka nisur, por Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe Europë që në 20 vite tranzicion nuk e ka realizuar këtë proces. Amnistia në variantin aktual parashikon legalizim të depozitave të qytetarëve, të aseteve dhe depozitave të kompanive dhe legalizimin e objekteve që nuk kanë hipotekë. Tarifat mbi amnistinë janë parashikuar nga 1 deri në 6 për qind, që është tarifa më e lartë dhe i përket legalizimit të aseteve të biznesit. Aplikimi i mundshëm i një amnistie fiskale në vendin tonë është kundërshtuar më parë edhe nga Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vjet, kur biznesi propozoi draftin për amnistinë në Ministrinë e Financave, kreu i Misionit të FMN-së që vizitoi vendin tonë, Gerwin Bell, tha se ishte kundër aplikimit të amnistisë, për faktin e efekteve negative që vijnë pas aplikimit të saj. Mirëpo Shqipëria mbetet i vetmi vend në Rajon dhe më gjerë që nuk ka aplikuar asnjëherë amnisti fiskale në 20 vite tranzicion.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›