E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: Fluturimet kthehen në normalitet, rregullohet defekti në softueret e “Airbus”

LONDËR, 29 nëntor /ATSH/- Mijëra avionë “Airbus” po kthehen gradualisht në shërbimin normal pasi një problem i papritur kompjuterik i detyroi linjat ajrore t’i ulnin në tokë për disa orë, sipas BBC.

Paralajmërimi lidhej me rrezatimin diellor, i cili mund të ndërhynte në kompjuterët e kontrollit të fluturimit.

“Airbus” tha se rreth 6,000 avionë A320 u prekën nga problemi, shumica e të cilëve kërkonin vetëm një përditësim të shpejtë të softuerit, ndërsa rreth 900 avionë më të vjetër duhej të zëvendësonin kompjuterët e tyre në bord.

Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot tha se përditësimet ishin bërë në më shumë se 5,000 avionë.

“Airbus” konfirmoi se më pak se 100 avionë ishin ende duke pritur për përditësimin.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Guillaume Faury, kërkoi falje për “vonesat dhe sfidat logjistike”.

Në Francë, “Air France” përjetoi disa vonesa dhe anulime në aeroportin “Charles de Gaulle”.

Në SHBA, “American Airlines” tha se 340 nga avionët e saj ishin prekur, duke paralajmëruar për vonesa, ndërsa “Delta” tha se ndikimi do të ishte minimal.

Në Britani të Madhe, ndërprerjet ishin të kufizuara. Aeroporti “Gatwick” raportoi disa probleme, ndërsa “Heathrow “nuk pati anulime.

“EasyJet” dhe “Wizz Air” thanë se po fluturonin normalisht pasi përditësimet ishin instaluar gjatë natës.

Në Australi, “Jetstar” anuloi 90 fluturime dhe paralajmëroi se ndërprerjet do të vazhdonin gjatë fundjavës, ndërsa “Air New Zealand” i ktheu avionët në shërbim pasi përfunduan përditësimet.

Problemi u identifikua pasi një avion “JetBlue” pësoi një humbje të papritur të lartësisë gjatë një fluturimi në tetor, duke detyruar një ulje emergjente dhe duke plagosur të paktën 15 pasagjerë.

Hetimet zbuluan një defekt në softuerin që llogarit lartësinë e aeroplanit. Në lartësi të mëdha, rrezatimi intensiv diellor mund të dëmtojë të dhënat.

Përveç A320, u prekën gjithashtu modelet A318, A319 dhe A321 .

Rreth 5,100 avionë e zgjidhën problemin me një përditësim të softuerit, ndërsa 900 avionë më të vjetër do të mbeten në tokë derisa të instalohen kompjuterë të rinj, një proces që varet nga disponueshmëria e pajisjeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›