Shoqata Down Syndrome Kosova mbështetje për fëmijët e prekur

PRISHTINË, 29 nëntor /ATSH/ Në Mitrovicë mbi 100 fëmijë dhe të rritur me Syndrome Down marrin shërbime zhvillimore, edukative dhe profesionale në Shoqatën Down Syndrome, ku përfshirja dhe mbështetja e vazhdueshme po ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë e tyre.
Qendra “Down Syndrome Kosova” në Mitrovicë është funksionale që nga viti 2009 përmes programeve të ndërhyrjes së hershme, logopedisë, autonomisë personale dhe aftësimit profesional, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë me prindërit dhe institucionet arsimore po u mundëson shumë prej tyre të përfshihen në shkolla dhe madje edhe në tregun e punës.
Përmes terapive ditore, trajnimeve dhe aktiviteteve sociale, qendra mbetet një prej pikave kryesore të mbështetjes për këtë komunitet në Mitrovicë.
Në mënyrë që trajtimi i këtyre personave të jetë i barabartë, në një kafene e cila funksionon në kuadër të kësaj qendre, punon Gentrit Ahmeti nga Skënderaj. Ai nuk kujdeset vetëm për përgatitjen e kafesë dhe çajit, por gjithmonë sjell energji pozitive dhe buzëqeshje për klientët dhe kolegët.
Ai tregon se çdo ditë udhëtimin drejt kafenesë ku punon e nis nga fshati Rezallë i Skenderajt, ku thotë se ky rrugëtim nuk e lodh aspak, përkundrazi e bën me dëshirë.
Në vendin e punës ku i kalon shtatë orë çdo ditë, ai tregon se përgatit ëmbëlsira, kafe e çaj.
Erza Zasella Gjosha, përgjegjëse për shoqatën Down Syndrome Kosova, tregon se kjo qendër u themelua në Prishtinë, në vitin 2007. Ndërsa, Qendra në Mitrovicë është hapur në 2009, dhe ofron programe për fëmijë dhe të rritur për zhvillim dhe përfshirje në shoqëri. Ajo thotë se në kuadër të shoqatës ofrohen shërbime terapeutike dhe psiko-sociale.
Ajo tregon se shoqata përdor metoda praktike për të nxitur bashkëpunimin me prindërit, duke kërkuar që ata të dërgojnë foto ose video të aktiviteteve të realizuara në shtëpi.
Erza Zasella Gjosha thotë se aktualisht 21 persona me Sindromën Down ndjekin shkolla të rregullta, ndërsa tre të tjerë marrin mësim në Qendrën Burimore.
Këtë vit, dy nxënës me Sindromën Down janë regjistruar për herë të parë në shkolla të mesme të larta dhe po ndjekin mësimin normalisht.
Erza Zasella Gjosha nga Shoqata Down Syndrome Kosova ka bërë të ditur se aktualisht po realizohet një projekt i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës, i cili përfshin një shfaqje teatrale në bashkëpunim me komunitetet serbe dhe boshnjake të Mitrovicës Veriore.
Shoqata Down Syndrome Kosova mbështet përfshirjen e personave me Syndrome Down në tregun e punës. Aktualisht qendra në Mitrovicës ka 9 të punësuar në institucione private, realisht në Kosovë vetëm një është në institucion publik. Në qendrën e Down Syndrome në Mitrovicë janë tetë persona pjesë e stafit, menaxheri, përgjegjësja, dy logopedë, një psikologe dhe dy punëtorë socialë. /KosovaPress/