KIEV – Zelensky bën thirrje për mbrojtje ajrore pas sulmeve të fundit ruse

KIEV, 29 nëntor /ATSH-DPA/- Të paktën tre persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, ndërsa Rusia goditi sërish Ukrainën dje në mbrëmje me 36 raketa dhe pothuajse 600 dronë, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Objektivat kryesore të sulmeve gjatë natës ishin infrastruktura energjetike dhe objektet civile”, tha Zelensky.
“Të paktën dy persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën në sulmet ruse gjatë natës në kryeqytetin ukrainas Kiev”, tha Ministria e Brendshme të shtunën.
Zelensky, gjithashtu raportoi dëme masive dhe zjarre në ndërtesat e banimit në Kiev dhe zonën përreth – dhe përsëriti thirrjen e tij drejtuar aleatëve të Ukrainës për të forcuar mbrojtjen e vendit.
“Ne duhet të punojmë, pa humbur asnjë ditë, për të siguruar që të ketë raketa të mjaftueshme për sistemet tona të mbrojtjes ajrore dhe që gjithçka e nevojshme për mbrojtjen tonë të jetë në vend”, shkroi Zelensky në X.
Ai i bëri sërish thirrje Bashkimit Evropian të zhbllokonte asetet shtetërore ruse të ngrira – me vlerë miliarda euro – në Belgjikë si pjesë e sanksioneve në rast se Moska nuk i ndalonte sulmet e saj.
Në të njëjtën kohë, Zelensky theksoi se bisedimet me të gjithë partnerët ishin të nevojshme për t’i dhënë fund luftës.
Ukraina është aktualisht në bisedime me SHBA-në dhe vendet evropiane për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Përfaqësuesit e SHBA-së kanë planifikuar të udhëtojnë në Moskë, në gjysmën e parë të javës së ardhshme, për negociata mbi planin e paqes, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. //a.i/