E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Bregu: Ne, para vendeve të rajonit

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka hedhur poshtë opinionet e analistëve të BBC-së rreth standardeve të Shqipërisë për të marrë ftesën në BE. Sipas saj, hapat që po bën Shqipëria drejt këtij objektivi janë përshëndetur dhe nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. 

Aristir Lumezi

Bregu hedh poshtë kriterin se vendi ka një shpejtësi afrimi me BE-në 3.5 herë më të ulët se vendet e tjera të rajonit. “Nuk ka asnjë perceptim se Shqipëria është prapa vendeve të rajonit. Për këtë mund t’ju kujtoj deklaratën e ministrave të jashtëm të BE-së në Slloveni në mars të këtij viti, kur të gjithë së bashku shprehën që ‘Shqipëria duhet marrë si frymëzim për të gjithë vendet e rajonit’. Shqipëria është de facto para Bosnje-Hercegovinës, e cila ka nënshkruar MSA shumë vonë, është sigurisht shumë përpara Serbisë, nuk duhet të harrojmë se kemi një shtet të ri tashmë në rajon që është Kosova, e cila ende nuk ka nisur hapat në procesin e integrimin në BE, por që perspektiva është drejt saj, Shqipëria nuk është më pas Maqedonisë, pavarësisht se Maqedonia ka statusin e vendit kandidat dhe Shqipëria nuk është më pas Malit të Zi”, u shpreh Bregu. Duke iu përgjigjur parashikimeve të bëra nga BBC, se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do ndodhë para 2015, Bregu shprehet se “afati 2015 nuk është jashtë parashikimeve të qeverisë shqiptare, pasi në kushtet normale vetëm etapat procedurale, që ndajnë Shqipërinë nga BE marrin afërsisht po kaq kohë”. “Nuk është hera e parë që deklaroj se ky moment nuk do të jetë para vitit 2014 ose 2015, sepse na duhet të bindim veten më shumë se është më mirë të plotësojmë detyrimet kryesore dhe të ndjehemi fuqimisht gati për të qenë pjesë e BE-së, sesa të pretendojmë që kemi realizuar dhe plotësuar një pjesë të detyrimeve dhe pakënaqësitë të ndodhin në momentin, që je brenda si anëtar i BE-së”, u shpreh Bregu.
Opozita
Duke iu përgjigjur insistimit të opozitës që brenda vjeshtës, Shqipëria të depozitojë kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE, ministrja e Integrimit shprehet se kjo do të thotë se “opozita pranon reformat dhe suksesin e tyre”. “Opozita nëse nuk do ishte e qetë, që reformat kryesore nuk janë kryer, nuk mund t’i kërkonte qeverisë përshpejtimin e ndërmarrjes së një hapi të tillë, siç është kërkesa për anëtarësim në BE”, u shpreh Bregu. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama brenda konsensusit të opozitës për reformat e mëdha në vend, i kërkoi qeverisë që brenda kësaj vjeshte, të plotësojë të gjithë dokumentacionin për të paraqitur kërkesën zyrtare për ftesë në Bashkimin Evropian. Një anketim i BBC me analistë të njohur rezulton në parashikimin se, Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian para vitit 2015. Sipas analistëve, pengesë për një vonesë të tillë mbetet korrupsioni dhe forcimi i pavarësisë së institucioneve. Bregu shprehet se brenda dy muajve të ardhshëm pritet të kemi ratifikimin e MSA dhe nga dy vendet e fundit, Greqia dhe Gjermania.

PDK: Të nisë dëmshpërblimi i ish të përndjekurve
Demokristianët e bëjnë thirrje qeverisë që të përfshijnë si primare çështjen e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve. Sekretari Politik i PDK-së, Lazër Stani, në një konferencë për shtyp deklaroi se, “dëmshpërblimi i kësaj shtrese duhet të realizohet përpara zgjedhje parlamentare të vitit 2009”. “Moszbatimi i ligjit për dëmshpërblimin e ish të dënuarve na bën të dyshojmë se ne ende qeverisemi nga zgjatime të diktaturës, të cilët ende udhëhiqen në punën e tyre nga filozofia e urrejtjes klasore dhe e luftës së klasave. Për fat të keq këto dyshime i përforcon fakti që në institucionet kryesore të shtetit pothuajse nuk ka përfaqësues të kësaj shtrese, ndërkohë që ato janë të mbushura me individë me të shkuar të dyshimtë, eksponentë të diktaturës, ose ish-bashkëpunëtorë të policisë politike –sigurimit famëkeq të shtetit”, deklaroi Stani. Sipas tij, i vetmi ministër i kësaj shtrese që ishte u hoq nga kryeministri Berisha. Këtu ai e ka fjalën për kreun e PDK-së, Nard Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›