E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Gjeni zgjidhje para 6 marsit

Ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë diskutojnë për krizën politike në Shqipëri dhe kritikojnë mungesën e një rezultati nga negociatat në Presidencë

Kreshnik KUçAJ

Në rast se nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën politike në Shqipëri, atëherë rrezikohet seriozisht procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky ka qenë apeli i djeshëm i ambasadorëve të qeverive europiane të akredituar në Tiranë, pas një takimi që zgjati një orë e gjysmë në zyrën e ambasadorit të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Duke komentuar nisjen e negociatave mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryeopozitarit Edi Rama, ambasadorët thanë se takimet janë sinjale pozitive, por nevojitet një rezultat konkret, i cili ka munguar deri tani. Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian tha në emër të ambasadorëve, se zgjidhja e krizës politike duhet të realizohet para datës 6 mars, kur përfundon edhe afati i përcaktuar në Kushtetutën Shqiptare për bojkotin e deputetëve. “Pozicioni dhe mesazhi i 27 vendeve të BE-së është shumë i qartë. Perspektiva europiane e Shqipërisë varet nga këto momente historike. Nëse nuk ndërmerren veprime tani, hapat e tjerë mund të rrezikohen. Dialogu duhet të vijë nga vetë liderët e Shqipërisë. Ne mendojmë se kjo tryezë dialogu është një hap i mirë, por duhet të prodhojë rezultat dhe madje shumë shpejt. Rezultati duhet të vijë para 6 marsit, që t’i lejojë opozitës të shkojë në parlament dhe ngrejë komision parlamentar, i cili do të kënaqë të dyja palët dhe bazuar në transparencë dhe Kushtetutë, sipas propozimit të Presidentit të Republikës”, tha Montobio. Ambasadori spanjoll tha gjithashtu, se diplomatët nuk do të japin asnjë opinion për pozicionimet e palëve politike në vend, por në emër të Bashkimit Europian ai shtoi se po paralajmëron vetëm pasojat e mundshme që ndodhin në rast se nuk do të arrihet një zgjidhje e shpejtë e krizës politike. Të njëjtin qëndrim mbështeti edhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, pas takimit të djeshëm, ku konfirmoi qëndrimin se palët politike në Shqipëri duhet të gjejnë vetë zgjidhjen e krizës dhe se kjo zgjidhje nuk do t’u ofrohet nga faktori ndërkombëtar. Sipas Lohan, lidershipi politik shqiptar do të gjejë rrugën për të dalë nga situata aktuale. “Bashkimi Europian është i qëndrimit se i takon liderëve të gjejnë një rrugëdalje. Risqet janë të larta dhe kam besim që lidershipi i Shqipërisë do të gjejë një rrugë për të dalë nga kjo situatë”, tha Lohan. Takimi i djeshëm i ambasadorëve të akredituar në Tiranë erdhi vetëm një ditë pasi kreu i qeverisë, Sali Berisha dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilluan vizitën e dytë në Presidencë, pa arritur në një marrëveshje konkrete dhe pa ndryshuar qëndrimet e tyre të deritanishme.

Presidenca: Gjatë negociatave s’ka pasur propozime konkrete

Presidenti Bamir Topi reagoi dje zyrtarisht përmes një njoftimi për mediat, duke saktësuar se në takimet e dy ditëve më parë me kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, nuk është diskutuar për propozime konkrete. Duke iu referuar lajmeve të shtypit të shkruar, Presidenca njoftoi se në takimin njëorësh e gjysmë me kreun e opozitës Edi Rama dhe në takimin 45-minutësh me kryeministrin Berisha nuk është biseduar për propozime konkrete. “Nisur nga disa shkrime në shtypin e shkruar të ditës së sotme (djeshme), të cilat njoftojnë për propozime konkrete të bëra gjatë takimeve të Presidentit të Republikës me kryeministrin e kryetarin e Partisë Socialiste, jemi të detyruar të qartësojmë se konsultimet po zhvillohen në një linjë mjaft korrekte. Kryetari i shtetit ka dëgjuar palët për konvergimin e qëndrimeve të tyre, sikurse është vendosur në tryezën e ditës së shtunë. Nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Duke vijuar më tej, Presidenca tha se palët janë shprehur dukshëm të vendosura të ndjekin rrugën e dialogut të iniciuar nga Presidenti i Republikës, i cili nga ana e tij është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. Ky reagim i presidentit Bamir Topi erdhi në të njëjtën ditë kur ambasadorët në Tiranë lëshuan kritika të ashpra për mosrealizimin e një produkti për zgjidhjen e krizës. Sipas ambasadorëve, klasa politike duhet të lërë deklaratat dhe të gjejë zgjidhje konkrete. Përsa u përket takimeve që presidenti Topi zhvilloi dy ditë më parë me kreun e mazhorancës, me kreun e opozitës dhe me ambasadorët e BE-së në Tiranë, Presidenca dha një njoftim zyrtar shumë të shkurtër, në të cilën i bënte të ditur opinionit publik se presidenti Topi i kishte zhvilluar këto takime.

Sekretari i BE-së: Presim raportin e KE-së për vizat

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, zhvilloi një vizitë pune në Madrid, ku u takua me sekretarin e Shtetit për Bashkimin Europian, Diego Lopez Garrido dhe me Komisionin Parlamentar për BE-në, të kryesuar nga Aria Kanete Miguel. Në këto takime ministrja Bregu bëri një pasqyrim të plotë të situatës politike në Shqipëri, duke theksuar vullnetin e qeverisë për të arritur në kompromis, duke respektuar Kushtetutën dhe pavarësinë e institucioneve, me qëllim hyrjen e opozitës në parlament, një hap ky që do të ndihmonte përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ministrja Bregu informoi mbi të dhënat e fundit për plotësimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke theksuar reformat e bëra për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimit të kufijve dhe ecurinë e mbarë të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaportat biometrike. Në lidhje me liberalizimin e vizave, Garrido deklaroi se liberalizimi i vizave për Shqipërinë është një çështje teknike, që nënkupton përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit. “Ne presim raportin e Komisionit Europian, në mënyrë që ta vendosim për aprovim në muajin maj, në axhendën e Këshillit Europian, çka do të mundësojë hyrjen e menjëhershme në fuqi të liberalizimit të vizave për Shqipërinë”, tha Garrido në takimin me ministren Bregu. Ndërkohë, në takimin që u zhvillua me Komisionin Parlamentar për BE-në, anëtarët e këtij komisioni në Spanjë u njohën me situatën politike, ku kritikuan edhe bojkotin e opozitës. Referuar burimeve zyrtare të Ministrisë së Integrimi, deputetët theksuan gjithashtu se janë të gatshëm të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e opozitës shqiptare për rëndësinë e përfaqësimit në parlament, në institucionin ku duhet të miratohen ligjet e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE.

Vizita në Vjenë

Rama në selinë e OSBE-së për krizën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është nisur dje drejt Vjenës, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Në këtë vizitë Rama shoqërohet nga sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade. Vizita e përfaqësuesve të lartë socialistë do të ketë një axhendë të ngarkuar takimesh me drejtues të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe përfaqësues të grupit socialist. Tema kryesore e takimeve do të jetë pikërisht kriza politike në vend dhe kërkesa e Partisë Socialiste për hetim parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit përmes hapjes së kutive. Ndërkohë, kriza politike në Shqipëri pritet të jetë pjesë e diskutimeve edhe gjatë takimeve që kreu i shtetit Bamir Topi do të zhvillojë në Kroaci me komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin Stefan Fyle, si dhe me nënsekretarin e Shtetit amerikan, Xhejkob Lju.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›