E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzuar ditëlindjen Kosovë!

Kosova ende “e vogël dhe e brishtë”

Shteti i ri përballet me shumë sfida në rrugën drejt njohjes ndërkombëtare, integrimit euroatlantik dhe shtrirjes së pushtetit në të gjithë territorin e tij, ku pakica serbe përbën sfidën kryesore

Kosova mbush sot dyvjetorin e shkëputjes së saj një herë e përgjithmonë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht nga Serbia. Por si çdo krijesë tjetër vetëm dy vjeçe, ajo është ende e brishtë, e vogël para të mëdhenjve (shteteve të tjera) dhe në fillim të ekzistencës së saj. Si një fëmijë dyvjeçar, ka mësuar të ecë me këmbët e saj, të flasë me zërin e saj para të tjerëve, por ka ende nevojë për përkrahje, mbrojtje dhe mbështetje që të vazhdojë të rritet, e jo thjesht të rritet, sepse natyrisht ky është një proces në vazhdimësi që të gjithë e përjetojnë, por të rritet mirë, e qëndrueshme dhe e fortë. Për këtë do të duhet shumë punë, shumë përpjekje, por mbi të gjitha durim, durim nga vetë kosovarët, të cilët, ashtu si të gjithë ballkanasit, mezi presin të përqafojnë Bashkimin Europian dhe NATO-n, vlerat euroatlantike që prej shumë vitesh i aspirojnë dhe që i ndihmuan të arrinin pikërisht në këtë ditë të shënuar, ku ata mund të festojnë të lirë, në një vend demokratik të qenit një shtet i pavarur. Por duhet shumë kujdes dhe durim, sepse bëhet fjalë për një proces të gjatë dhe të rëndësishëm që kërkon angazhim të madh dhe mbi të gjitha vendosmërinë për të treguar se ky fëmijë i vogël (Kosova) mund t’ia dalë mbanë vetë. E që të arrihet një gjë e tillë, duhet që ky fëmijë të rritet edhe pak, të mësojë disa gjëra më shumë, e natyrisht të ndjekë këshillat e të rriturve (komunitetit ndërkombëtar), e atyre të rriturve që ndihmuan në krijimin e tij. Në këto dy vjet, Kosova ka shënuar padyshim arritje të rëndësishme, që i kanë bërë të rriturit të ndjehen krenarë për të, për ndihmën e mbështetjen që i dhanë, por njëkohësisht ka bërë edhe gabime, (meqë fjala faj i shkon më përshtat të rriturve), apo thjesht nuk ka ditur sesi të veprojë e në cilin drejtim të shkojë, për shkak të rrethanave dhe disi të papjekurisë së saj. Ajo është tashmë anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe shumë pranë anëtarësimit edhe në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Europian, ndërsa ka marrë njohjen nga 65 vende, ku mes tyre janë fuqitë më të mëdha perëndimore. Sa i përket qetësisë dhe rendit, reduktimi i trupave të KFOR-it padyshim dëshmon për një situatë të qëndrueshme e të sigurt në vend. Edhe zgjedhjet lokale të 15 nëntorit shënuan një moment historik për vendin, pasi ishte procesi i parë zgjedhor i organizuar nga institucionet kosovare që pas shpalljes së pavarësisë, dhe për këtë Prishtina mori lëvdatat e Uashingtonit e Brukselit, me gjithë përsëritjen për tri herë të votimeve në tri komuna. Por Kosova është ende e brishtë dhe ka përpara një sërë sfidash mjaft të rëndësishme që janë vënë re në këtë dyvjeçar të fillimit të ekzistencës së saj si shtet më vete.

Njohjet ndërkombëtare

Sa i përket njohjes së saj nga komuniteti ndërkombëtar, Kosova është mjaft e dobët. Vërtet numërohen 65 shtete që e kanë njohur pavarësinë e saj, por kjo shifër është e ulët në krahasim me pritshmëritë, që do të do thotë se në këto dy vjet nuk ka pasur një zhvillim shumë domethënës në këtë drejtim. Në ditët që pasuan 17 shkurtin e 2008-ës, siç dhe ishte mëse e pritshme, Kosova u njoh nga 21 shtete brenda po atij muaji, dhe ishin më së shumti shtetet që e kishin përkrahur edhe më parë dhe e mbështetën fort shpalljen e pavarësisë. Kështu që ishte mëse e pritshme që ato të ishin ndër të parat që do ta njihnin shtetin e ri, por kjo jo për meritë të diplomacisë kosovare. Gjatë vitit 2008, viti i parë i pavarësisë, ku jehona e krijimit të këtij shteti ende vazhdonte të kumbonte në vëmendjen globale, Kosova u njoh nga 32 vende, ndërsa vitin që pasoi, në 2009, ajo pati vetëm 11 njohje ndërkombëtare, një rënie drastike në krahasim me 2008-ën. Një tjetër shtet, Mauritania, e njohu Kosovën në fillim të këtij viti, duke e çuar në 65 numrin në total, ndërsa 10 shtete të tjera kanë premtuar se do ta njohin shumë shpejt. Autoritetet kosovare kanë komentuar shpesh mbi numrin e ulët të njohjeve që pati vitin e kaluar, duke fajësuar kryesisht procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që sipas tyre ka frenuar vendet e pavendosura që të marrin një qëndrim pozitiv në pritje të një vendimi nga ky institucion. Për 9 ditë, gjatë dhjetorit të kaluar, gjatë këtij procesi të mbajtur në Hagë, pesëmbëdhjetë gjykatës të GJND-së dëgjuan argumentet e Kosovës, Serbisë dhe 27 vendeve të tjera, të cilat dëshmuan, argumentuan, mbrojtën e kundërshtuan ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Epilogu i seancave dëgjimore përfundoi 14 me 12, në favor të Kosovës kundër Serbisë, ndërsa vendimi pritet të jepet në pranverën e këtij viti, megjithëse gjykata nuk dha asnjë afat kohor lidhur me deklarimin e saj. E vërteta është se një nga mundësitë është që GJND-ja të mos deklarohet fare rreth rastit të Kosovës. Cilido qoftë vendimi, ai nuk është i natyrës imponuese apo detyrues, thjesht gjykata do të japë një vlerësim. Por gjithsesi, ky vlerësim pritet të ketë ndikimin e tij tek ato vende që realisht janë në pritje të opinionit të gjykatës, për të vendosur më pas nëse do ta njohin ose jo Kosovën. Por, nga ana tjetër, janë ato vende që nuk kanë pranuar ta njohin Kosovën dhe jo për shkak të këtij procesi, por më së shumti sepse të tilla bindje kanë. Në këtë moment, është diplomacia kosovare ajo që duhet të kishte vepruar në mënyrë më të vendosur. Natyrisht përpjekje janë bërë, shumë prej liderëve kosovarë janë angazhuar në takime e biseda, duke kërkuar njohjen e dhjetëra shteteve. Por duke qenë përballë një rivali si Serbia, shefi i diplomacisë të së cilës është një 34-vjeçar mjaft i përgatitur, i diplomuar në Kembrixh, tepër elokuent dhe disi i pacipë, diplomacia kosovare duhej të kishte pasur një qasje më të fortë dhe më të vendosur. Mbase përballë Jeremiçit, do të ishte dashur një homolog po aq energjik dhe i shkathët, e jo një zotëri babaxhan e dashamirës si Skënder Hyseni. Por dështimi i Kosovës në këtë drejtim nuk mund të lihet vetëm në kurriz të tij. Liderët kosovarë, që nga presidenti, kryeministri, ministrat e deri te deputetët, mbase do të duhej të ishin impenjuar më shumë në drejtim të njohjes ndërkombëtare, sesa zënkave politike që kanë krijuar fraksione dhe përplasje të shumta mes tyre, gjë që është reflektuar herë pas here në opinionin publik, duke lënë shijen e një qëndrueshmërie jo të fortë politike në Kosovë. Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kosovare kanë pohuar shpesh nëpër media, se po shfrytëzohen të gjitha kanalet diplomatike për t’i bindur shtetet hezituese që ta njohin Kosovën, por nuk është thënë asnjëherë se me çfarë strategjie po lobohet në këtë drejtim. Rrjedhimisht, kjo ka krijuar një imazh jo fort të besueshëm, dhe ka sjellë si pasojë kritikat e vazhdueshme të opozitës kosovare, e cila fajëson qeverinë “Thaçi” për mungesën e një strategjie konkrete. Sipas partive opozitare, e gjithë strategjia e institucioneve të Kosovës është mbështetur te miqtë e saj ndërkombëtarë dhe pikërisht kjo ka ndikuar që procesi i njohjeve të jetë shumë i ngadalshëm. Një tjetër element, që mbart pjesërisht fajin për numrin e vogël të njohjeve që ka pasur Kosova, është vetë komuniteti ndërkombëtar. Fakti që 5 shtete brenda Bashkimit Europian, ndërsa ky i fundit ka në Kosovë një mision të tijin, posaçërisht për të mbështetur shtetin e ri, ende nuk e kanë njohur, që natyrshëm ka pasur efekt në ngadalësinë e procesit të njohjeve. Mungesa e unitetit mes vendeve të BE-së tregon se edhe vetë blloku e ka të vështirë të jetë plotësisht e tërësisht i vendosur, pavarësisht mbështetjes dhe përkrahjes që i ka dhënë shtetit të ri, duke i ofruar perspektivën e anëtarësimit. Shumë zyrtarë në Bruksel e kanë përmendur disa herë se BE-ja duhej të ishte në unitet sa i përket qëndrimit të saj ndaj Kosovës, sepse ishin pikërisht anëtaret e vjetra të bllokut, që i dhanë krah Kosovës për të shpallur pavarësinë. Ato e ngritën në këmbë, por tani nuk po e ndihmojnë të ecë.

Serbët dhe strategjia për integrimin e veriut

Pavarësisht se zgjedhjet lokale të 15 nëntorit shënuan një zhvillim pozitiv për sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në këtë proces, që nënkupton edhe kthimin e një pjese të tyre drejt institucioneve të Kosovës, integrimi i tyre vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore për lidershipin kosovar. Sipas Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale ishte 10 herë më e lartë sesa në zgjedhjet e 2007-ës dhe më e lartë sesa në zgjedhjet e Serbisë, të mbajtura në Kosovë. Po ashtu u vu re mbështetja që serbët në jug të lumit Ibër u dhanë institucioneve të Kosovës. Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit u votua edhe në tri komunat e reja serbe, Graçanicë, Ranillugë dhe Kllokot, në të cilat pjesëmarrja e serbëve ishte relativisht e mirë. Të gjitha këto zhvillime, sipas analistëve, janë meritë e përmirësimit të raporteve shqiptaro-serbe. Madje, sipas tyre, i gjithë procesi elektoral i nëntorit ka ndikuar në rënien e dominimit të subjekteve serbe me qëndrime radikale dhe në zbehjen e ndikimit të strukturave paralele. Por realiteti në veri të lumit Ibër është krejt tjetër. Atje serbët vazhdojnë të jenë nën ndikimin e fuqishëm të Beogradit, ndërsa ky i fundit vazhdon të financimin e këtyre organizmave ilegal që sfidojnë pushtetin e Prishtinës. Pikërisht ditët e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar qeveria serbe njoftoi ndarjen e rreth 40 milionë eurove nga buxheti i 2010-ës për të mbështetur strukturat paralele që veprojnë në Kosovë. Madje, sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, deklaroi atëherë se, përveç kësaj shume, do të këtë edhe investime shtesë, pasi sipas tij, secila ministri në qeverinë e Serbisë ka një buxhet të veçantë për Kosovën. Ai theksoi se mbështetja e ekzekutivit të Serbisë do të vlejë për të gjitha zonat e banuara me serbë në Kosovë. Ndërkohë, serbët në veri të Mitrovicës i kanë sfiduar institucionet kosovare edhe në drejtim të implementimit të strategjisë për integrimin e veriut. Kjo strategji e hartuar nga qeveria e Kosovës dhe Zyra Ndërkombëtare Civile (ICO) parashikon vendosjen e ligjit në këtë pjesë të vendit, që vazhdon të mbetet jashtë juridiksionit të institucioneve kosovare. Ata kërcënuan hapur Prishtinën, se nuk do të lejonin zbatimin e kësaj strategjie. Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës, të disa partive politike nga Serbia, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, të mbledhur në një kuvend politik serb pak ditë më parë në veri të Mitrovicës, e kundërshtuan strategjinë, duke thënë se nuk do të lejojnë që ajo të zbatohet. Mesazhi në fund të takimit, drejtuar institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, se strategjia për veriun nuk do të mund të zbatohet dhe do të kundërshtohet nga serbët. Ndërkaq, anash këtij veprimi politik, indiferente nuk ka qëndruar as Kisha Ortodokse Serbe. Peshkopi Artemie ka marrë mandatin nga ky kuvend joformal serb, që të kryesojë një delegacion, i cili do të merret me politikat e Serbisë për ruajtjen dhe moslejimin, siç thuhet, të pavarësisë dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia. Takimi në veri të Mitrovicës u mbyll edhe me një kërkesë adresuar Parlamentit të Serbisë, ku i kërkohej të miratojë një rezolutë, me të cilën do të deklarohet sërish për moslejimin e ndarjes së Kosovës nga Serbia. Strategjia për integrimin parashikon edhe krijimin e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe organizimin e zgjedhjeve atje me 16 maj. Por afati i përcaktuar nga vetë strategjia për shpalljen e këtyre zgjedhjeve, që ishte 16 janari, tashmë ka kaluar dhe kështu institucionet kosovare janë të vonuar që në nisjen e zbatimit të kësaj strategjie. Nga ana tjetër, politikanët serbë kanë paralajmëruar se do të përdorin, siç kanë thënë, të gjitha mjetet demokratike për të penguar zbatimin e strategjisë, duke e bindur elektoratin të mos marrë pjesë në procesin elektoral. Nga ana tjetër, përgatitje për zgjedhje në veri po bën Serbia, e cila është e vendosur të mos lejojë vendosjen e autoritetit të Prishtinës në veri. Sipas drejtuesve të strukturave paralele, në këtë pjesë të Kosovës, zgjedhjet serbe për Mitrovicën veriore do të mbahen brenda qershorit të këtij viti, dhe tashmë disa subjekte politike serbe edhe kanë filluar fushatën elektorale. I vetmi zhvillim pozitiv është fakti se shumë liderë serbë jo në veri të vendit, kanë nisur ta pranojnë realitetin e Kosovës së pavarur, dhe të binden se Beogradi dhe Prishtina kanë dy rrugë të ndara drejt integrimit në BE, megjithëse herë pas here, duan s’duan, këto rrugë vazhdojnë të ndërthuren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›