Lohan: Mungesa e zgjidhjes rrezikon integrimin dhe vizat

Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë thotë se, nëse dështojnë negociatat, përgjegjësia u përket drejtuesve politikë në Shqipëri
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë komenton situatën politike në Shqipëri, ku mazhoranca dhe opozita janë ulur të diskutojnë për zgjidhjen e krizës politike. Sipas ambasadorit, situata aktuale në politikën e vendit nuk është favorizuese për opinionin që po hartohet përsa i përket statusit “kandidat” të Shqipërisë për Bashkimin Europian. Po ashtu, Lohan thotë se Bashkimi Europian nuk do të ndërhyjë për të dhënë zgjidhje, pasi u takon palëve politike në vend të dëshmojnë se janë të afta për gjetjen e zgjidhjeve.
Bisedoi: Eni Vasili
-Zoti ambasador, keni pasur një axhendë mjaft të ngarkuar këto ditë, keni zhvilluar takime me përfaqësues të partive kryesore politike, gjithashtu edhe me Presidentin e Republikës. Cili ka qenë qëllimi i këtyre takimeve, a kanë qenë ato në mbështetje të rolit të presidentit, apo jeni duke ofruar një projekt konkret për zgjidhjen e krizës?
“Në këto takime, ne jemi munduar t’i japim mbështetjen tonë presidentit për detyrën shumë të rëndësishme që ai ka marrë përsipër. Ai duhet të krijojë kushtet e caktuara që politikanët e vendit të gjejnë një zgjidhje për krizën aktuale politike. Ne nuk kemi prezantuar asnjë propozim në tavolinën e presidentit. Kjo është një përgjegjësi e vetë presidentit.”
-Si i vlerësoni hapat e hedhur deri tani qoftë në tryezën e presidentit, qoftë edhe pas saj për zgjidhjen e këtij problemi?
“Tryeza e presidentit po organizohet në çastin e duhur. Në këtë rast, rreziku qëndron te përgjigja që Komisioni Europian do të japë për pyetjen: a lejon gjendja demokratike në Shqipëri Komisionin Europian që të rekomandojë fillimin e negociatave për aplikimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian? Nëse parlamenti vazhdon të mos funksionojë në mënyrë normale, rreziku që Komisioni Europian të mos japë një rekomandim pozitiv është më i madh. Në këtë aspekt, roli i presidentit është i rëndësishëm për ta ndihmuar këtë vend të dalë nga kriza dhe të ecë përpara në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian.”
-Deri tani, mazhoranca po deklaron se nuk ka një krizë institucionale në vend, se parlamenti funksionon, se ligjet miratohen, se institucionet e qeverisë funksionojnë. Pra, nuk ka një krizë të mirëfilltë institucionale, ka një krizë politike, që më tepër është krizë e opozitës, sesa një krizë e të gjithë politikës shqiptare. çfarë mendoni për këtë?
“Parlamenti funksionon, por në një mënyrë shumë të kufizuar. Parlamenti nuk ka mundësi të miratojë ligje të rëndësishme me një mazhorancë të kualifikuar. Parlamenti nuk e ka mundësinë të diskutojë pjesë ligjesh, të cilat kanë rëndësi për vendin. Ata nuk kanë mundësinë të dëgjojnë argumentet e opozitës. Parlamenti nuk ka mundësinë të marrë vendime të rëndësishme për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Ky është një problem shumë i madh. Mosfunksionimi i Parlamentit Shqiptar përbën një problem shumë të madh për funksionimin normal të demokracisë në Shqipëri.”
-A mund të themi që ka një krizë institucionale në Shqipëri?
“Unë nuk dua të përqendrohem te fjalë të veçanta, por thashë se ka një problem me funksionimin normal të demokracisë.”
-Deri tani palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Mazhoranca flet për vendime gjykatash, të cilat nuk mund të prekin kutitë, dhe nga ana tjetër kemi opozitën që kërkon hapjen e kutive. Si mendoni se do të vijë zgjidhja në një moment kur palët janë kaq larg njëra-tjetrës?
“Të dyja palët kanë diçka të përbashkët, i cili është angazhimi i tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ky fakt nuk na befason, sepse sipas sondazhit të fundit të Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare 89 për qind e popullsisë shqiptare është në favor të integrimit në Bashkimin Europian, dhe 82 për qind thonë se integrimi në Bashkimin Europian është i rëndësishëm për ta, në aspektin personal. Qëllimi i Bashkimit Euvropian është të gjejë një kompromis mes strategjive politike të Partisë Demokratike, LSI-së dhe Partisë Socialiste. Në këto kushte, jam i bindur se drejtuesit politikë të Shqipërisë do të gjejnë një zgjidhje, e cila do t’i lejojë ata të ecin përpara në rrugën për t’u integruar në Bashkimin Europian. Disa ditë më parë BE nxori një deklaratë, ku thuhej se duhen marrë masa për ta nxjerrë vendin nga kriza politike, dhe për të lejuar përparimin e vendit. Nëse e kthejmë këtë fjali mbrapsht, do të kishim: Nëse nuk marrim asnjë masë, atëherë nuk do të ketë asnjë hap përpara. Unë mendoj se politikanët shqiptarë janë në dijeni të rrezikut që u kanoset, si dhe kam besim se ata do të gjejnë një zgjidhje.”
-ç’do të thotë kjo? Nëse kriza politike në Shqipëri vazhdon, Bashkimi Europian do të ndërpresë përafrimin që Shqipëria po bën me procesin integrues, dhe se ne do të rrezikojmë edhe liberalizimin e vizave?
“Siç e dini, Bashkimi Europian po përgatit një raport për mundësinë e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Kriteri politik, funksionimi normal i demokracisë, ka peshën më të rëndësishme në këtë kontekst. Mendoj se do të jetë e vështirë që komisioni të japë një mendim pozitiv, të paktën përsa i përket kriterit politik, nëse Shqipëria nuk i jep fund së shpejti mosfunksionimit normal të parlamentit. Përsa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Europian do t’i paraqesë një rekomandim Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në bazë të një analize, e cila do të jetë shumë objektive dhe do të bazohet tek kërkesat konkrete. Puna e Bashkimit Europian është neutrale dhe objektive. Por pastaj, do të jenë vendet anëtare të Bashkimit Europian që do të vendosin nëse do ta lejojnë liberalizimin e vizave në Shqipëri apo jo. Dhe sigurisht, vendimet të tilla janë gjithmonë vendime politike. Nuk dua të spekuloj për vendimin e ministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për këtë çështje.”
-çfarë ndodh nëse opinioni, për atë që ju e quajtën edhe pjesën më të rëndësishme për vendimin që do të japë Bashkimi Europian për funksionimin e demokracisë dhe situatën politike në Shqipëri, është negativ?
“Po flas duke konsideruar situatën aktuale në vend, pa dhënë një gjykim të plotë. Në këtë rast, Bashkimi Europian mund të thotë: Ne rekomandojmë që Shqipëria të fitojë statusin e një vendi kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Europian, por nuk rekomandojmë hapjen e negociatave për pranimin në BE. Për ta bërë këtë, duhet të plotësohen disa kushte. Ose BE mund të thotë: Ne nuk e rekomandojmë dhënien e statusit të vendit kandidat për t’u pranuar në BE për Shqipërinë”.
-Le të vazhdojmë të flasim për skenarë negativë! çfarë ndodh nëse tryeza e presidentit dështon?
“Ju thoni se duhet të flasim për skenarin negativ, por unë mendoj se nuk ka asnjë qëllim të flasim për këtë gjë. Unë jam optimist se ne mund të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë. Shqipëria është e interesuar që ky rast të mos dështojë. Ajo nuk duhet ta konsiderojë situatën në të cilën ndodhet pa një zgjidhje.”
-Ku e bazoni optimizmin tuaj? Ju e patë që tryeza e parë e bisedimeve nuk pati asnjë rezultat. Nuk di çfarë bisedoni me presidentin sa herë që e takoni, por të paktën palët nuk duken të kenë ndonjë sinjal pikëtakimi.
“Besimi im bazohet te logjika. Integrimi në Bashkimin Europian është kaq i rëndësishëm për Shqipërinë, ai mbështetet nga drejtuesit politikë në vend, ai mbështetet nga vetë shqiptarët. Në këtë kontest, si mund të supozojmë që politikanët e Shqipërisë të mos përfitojnë nga mundësia që ka krijuar Presidenti i Republikës për t’i dhënë fund kësaj situate, e cila do ta rrezikonte integrimin e Shqipërisë në BE”.
-Mendoni se do të ketë një zgjidhje përpara 22 shkurtit kur pritet të vijnë edhe monitoruesit e Këshillit të Europës?
“Nuk më pëlqen të spekuloj për data. Por ju keni të drejtë kur thoni se kjo datë është shumë e rëndësishme. Sigurisht, ekziston edhe data 6 mars, data e skadimit të mandatit, seanca plenare në datën 4 mars. Gjithashtu do të kemi krijimin e një komiteti të stabilizim-asociimit përsa i përket marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, i cili do të organizohet në 12 mars, këtu në Tiranë. Pra, në të ardhmen kemi një numër takimesh të rëndësishme. Unë e di që komisioneri i ri i zgjerimit, z. Fyler, i monitoron me shumë kujdes zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ai pret që shumë shpejt të ketë hapa konkrete për të ecur përpara.”
-Ju përmendët edhe 4 marsin, që është në fakt një afat shumë i rëndësishëm, pasi përfaqësues të mazhorancës, por edhe konstitucionalistë flasin për përfundimin e mandateve të opozitës në parlament. çfarë mendoni ju për këtë?
“Po flasim sërish për të njëjtin problem. Problemi i funksionimit të parlamentit shqiptar. Dhe afati i 4 marsit është një tjetër simptomë e këtij problemi. Po, ekziston një problem. Nëse deputetët nuk do të bëjnë betimin në datën 4 mars, atëherë problemi do të jetë edhe më i rëndë.”
-Nëse këto mandate zëvendësohen, do të kishim një veprim drejt normalizimit të parlamentit?
“çdo hap ligjor që do të merret, nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike. Problemi qëndron në faktin se të zgjedhurit e parlamentit nuk janë paraqitur në parlament.”
-Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje mes tyre, a do të jeni ju ndërkombëtarët që do të ofroni një marrëveshje, siç ka ndodhur edhe më parë në Shqipëri, një skenar për një marrëveshje të mundshme?
“Jo. U takon drejtuesve politikë në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga situata politike në vend. Ky fakt është theksuar qartë në një deklaratë të BE-së.”
-Gjatë këtyre ditëve kemi dëgjuar edhe fjalën destabilitet. A jeni të shqetësuar për këtë gjë në Shqipëri?
“Siç e thashë edhe më parë, nuk u kushtoj shumë vëmendje fjalëve, por do të thosh se jam i shqetësuar për situatën politike në Shqipëri.”
-Cili do të ishte momenti që komiteti ndërkombëtar do të ndërhynte në këtë situatë?
“BE nuk do të ndërhyjë. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ajo ka aplikuar për t’u pranuar në BE, Ne presim që Shqipëria të plotësojë kushtet e nevojshme për të arritur qëllimin e saj, dhe jam i sigurt se Shqipëria nuk do të na zhgënjejë. “
-Nëse tryeza e presidentit dështon, i kujt është ky dështim?
“Siç thashë edhe më parë, u takon drejtuesve politikë të Shqipërisë të gjejnë një zgjidhje. Nëse ata nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje, ky është dështim i drejtuesve politikë në Shqipëri. E përsëris, jam i bindur se ata do të gjejnë një zgjidhje.”
-Keni ndonjë mesazh që doni ta përcillni përmes kësaj interviste?
Mesazhi im përputhet me atë të BE: drejtuesit e politikës shqiptare duhet të marrin masat e duhura, hapat e duhur, për të dalë nga situata aktuale në vend.”
Marrë nga “Alsat”