E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për para, Bode takon Fullanin

Ministri i Financave dhe kreu i BSH-së, dy orë debat. Rrezikohet thellimi i borxhit

Situata e rëndë financiare detyron krerët e lartë të Financave të zhvillojnë një takim për t’i dhënë zgjidhje disa dilemave rreth nivelit të borxhit. I shoqëruar nga stafi më i ngushtë, përfshi dhe këshilltarin amerikan për borxhin, ministri i Financave, Ridvan Bode, është pritur dje paradite nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Takimi, që zgjati rreth dy orë, vjen në një moment kur qeveria po rrit presionet ndaj institucionit monetar për më shumë para. Gazeta “Shqip” botoi dje lajmin e “3 miliardë lekëve”, që qeveria ka marrë nga BSH-ja vetëm në muajin janar, duke rrezikuar tejkalimin e kufirit të lejuar me ligj, si dhe rrezikun e luhatjes së inflacionit. Vitin e kaluar, nga BSH-ja, u arrit të merreshin kredi direkte rreth 7 miliardë lekë, duke qëndruar pranë limitit të lejuar, por këtë vit, kufiri prej 3 përqindësh, rrezikon të shkelet që në dy muajt e parë të vitit.

Alarmi

Fakti që shqetëson më tepër guvernatorin Ardian Fullani është rritja e presionit nga qeveria për të prekur rezervën valutore. Burime pranë BSH-së thonë se gjatë vitit 2009, rruga Rrëshen-Kalimash është paguar me euro, të marra nga Banka Qendrore, duke shkelur rregulloren e kursit të këmbimit. Nevoja për para gjatë vitit të krizës ka detyruar qeverinë të përdorë të gjitha skemat e mundshme që të siguronte valutë, duke pasur parasysh volumin e lartë të punës në fushatën elektorale. Në takimin e djeshëm mes ministrit dhe guvernatorit ishin të pranishëm zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda (ish-drejtori i Thesarit) si dhe shefi i Borxhit në ministri, të shoqëruar nga këshilltari amerikan i huamarrjes, i cili punon prej disa kohësh në Shqipëri, në kuadër të një marrëveshjeje. Tjetër shqetësim për guvernatorin është kapaciteti i qeverisë për të shlyer borxhet dhe nëse ka ndonjë skenar, në rast se dështon projekti i emetimit të eurobondit. Paralajmërimet e guvernatorit duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi qeveria e rriti borxhit, pavarësisht krizës. Të tjera burime nga Financat thonë se aktualisht BSH-ja e ka ndërprerë financimin direkt me kredi, pas huasë së marrë në janar me 3 miliardë lekë. Shkak është bërë plani i ardhshëm i qeverisë për të marrë dhe 5 miliardë të tjera, e cila në rast se realizohet, cenon realisht rezervat e shtetit. Ajo që mbetet për t’u parë është pozicioni i Fullanit, nëse do të vijojë të jetë thjesht rekomandues, duke aprovuar në heshtje hua, apo të zbatojë ligjin, i cili nuk lejon huamarrje më të lartë se 3 për qind të mesatares së të ardhurave në tre vitet e fundit.

Shifrat

Të dhënat e fundit tregojnë se borxhi i brendshëm dhe i jashtëm i qeverisë shqiptare u rrit me 86 miliardë lekë (623 milionë euro) gjatë vitit 2009, duke shënuar rritjen më të lartë të shënuar në shumë vite. Treguesit i konfirmon Ministria e Financave, sipas cë cilës, stoku i borxhit të brendshëm, i cili përbën rreth 60 për qind të totalit të borxhit, u rrit me 15 miliardë lekë, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm u rrit me 71 miliardë lekë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›