Një marrëveshje alarmuese e armatimit francezo-ruse
NgaWall
Street Journal
President francez, Nikolas Sarkozi, javën e kaluar e ka miratuar shitjen e
luftanijes Mistral në Rusi. Parisi, po ashtu, po e shqyrton kërkesën e Moskës
edhe për tri luftanije të tjera, që me licencë do të ndërtoheshin në Rusi. Kjo
është blerja e parë e madhe e luftanijes nga Perëndimi prej Luftës së Parë
Botërore dhe është shitja e parë e madhe e armatimit në Rusi nga një vend
anëtar i NATO-s.
Po, cili është reagimi i NATO-s?
Sekretari i përgjithshëm, Anders Fog Rasmusen, nëpërmjet zëdhënësit shpalli se
NATO-ja nuk e konsideron Rusinë kërcënim. Vendet Baltike dhe Gjeorgjia mendojnë
ndryshe.
Derisa Rusia ende nuk është partner i besueshëm, shitja e rrezikon sigurinë e
anëtarëve të NATO-s dhe të aspirantëve.
Duke iu shmangur periudhës sovjetike, Moska po planifikon të blejë armatim të
sofistikuar nga jashtë: Mistral-in nga Franca, apo, siç është raportuar
aktualisht, makinat e avancuara të terrenit, pa njerëz, nga Izraeli.
Plani rus është që të prodhohet armatim pak a shumë i ngjashëm, ose të bëhet
prodhimi i tyre nën licencë, për ta modernizuar armatën e vjetruar për
shekullin XXI.
Modernizimi detar i Rusisë, veçanërisht duhet ta brengosë NATO-n. Prej
shekullit XVIII, Rusia tradicionalisht ka ndërtuar flotat e saj të vogla në
Baltik dhe në Detin e Zi.
Duke ndërtuar marinë moderne, do të keqtrajtohen fqinjët e Rusisë dhe do të
hapen dyert për projeksionin e fuqisë së Rusisë në Mesdhe dhe në Lindjen e
Mesme.
Vendimi i Francës për të vazhduar me procesin e marrëveshjes, pa e marrë
parasysh asnjë vërejtje të NATO-s, është veçanërisht shqetësues në prizmin e
agresioneve aktuale të Moskës.
Kanë kaluar vetëm 18 muaj kur rusët nuk patën konsideratë për presidentin
Sarkozi, pasi ata refuzuan të bashkëpunojnë me marrëveshjen për armëpushim
ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë, e ndërmjetësuar nga Franca, e të cilën e kishte
nënshkruar presidenti Dmitri Medvedev.
Pastaj, vjeshtën e kaluar Rusia e mbajti një ushtrim ushtarak, ku simulohej
sulmi bërthamor kundër Polonisë. Edhe një herë NATO-ja nuk protestoi.
Vitin e kaluar, Rusia e ndryshoi ligjin e saj duke i dhënë autoritet
presidentit për vendosjen e trupave jashtë pa miratim parlamentar. Ndërsa, para
dy javësh, zoti Medvedev e nënshkroi doktrinën e re ushtarake që NATO-n e
shpall kërcënim dhe fton për mbrojtjen e atyre që definohen si
bashkatdhetarë, që paraqet nivelin për sulmet parandaluese atomike.
Evropa i përshëndeti të gjitha këto politika destabilizuese duke u radhitur për
blerjen e gazit rus, duke e pritur zotin Putin në Paris dhe Berlin dhe duke i
shitur atij armatim modern.
Lenini këtë e kishte cilësuar si kapitalistët na shesin ne litarin, të cilin
ne do ta përdorim për ti varur ata.
Por, kësaj radhe, Rusia mund të përpiqet ti varë ukrainasit dhe gjeorgjianët,
së pari, para se ta zgjerojë marinën e vet në Mesdhe, në Baltik dhe në
Atlantikun Verior.
Administrata Obama po ashtu e mban pullën e ripërtëritjes me Kremlinin, duke
shpresuar se Moska, përfundimisht do ta ndihmojë Uashingtonin për ndaljen e
programit atomik iranian dhe kompletimin e negociatave për reduktimin e
armatimit strategjik.
Ende, kërcënimi i sigurisë nga Mistral-i është i rëndësishëm. Kjo mund të
ndryshojë në të ardhmen, por aktualisht shitja e këtyre luftanijeve, dërgon
sinjal të gabueshëm tek anëtarët e NATO-s, tek aspirantët dhe, po ashtu, edhe
te vetë rusët.
Në kohën kur Moska ende e sheh NATO-n si një armik, kur tërhiqet nga Marrëveshja
për armatimin konvencional në Evropë dhe okupon 20 për qind të territorit të
Gjeorgjisë, shitja madhore e armatimit në Rusi është e parakohshme.