BE: Harrojeni aplikimin pas këtyre zgjedhjeve problematikeNga TemaMundësia e anëtarësimit të shpejtë të Islandës në Bashkimin Evropian ka rizgjuar dhe njëherë debatet në mediet e huaja në lidhje me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Javën që
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
BE: Harrojeni aplikimin pas këtyre zgjedhjeve problematikeNga TemaMundësia e anëtarësimit të shpejtë të Islandës në Bashkimin Evropian ka rizgjuar dhe njëherë debatet në mediet e huaja në lidhje me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Javën që vjen pritet që Komisioni Evropian të mblidhet dhe të japë një vlerësim në lidhje me aplikimin që është bërë nga ky vend për t’u anëtarësuar në BE. Bloomberg raporton se një gjë e tillë pritet të zgjojë pakënaqësi te vendet e Ballkanit, të cilat kanë zënë radhën për anëtarësimin në BE. Bloomberg është më e interesuar për rastin e Shqipërisë, e cila ka bërë aplikimin që në muajin prill, por ai është harruar në sirtarët e BE.
Sipas Bloomberg, gjasat që Shqipëria të marrë një përgjigje për këtë aplikim janë zvogëluar ndjeshëm, për shkak të zgjedhjeve problematike që ka mbajtur vendi. Bloomberg saktëson se Italia e Greqia po udhëheqin një përpjekje për të futur aplikimin e Shqipërisë në axhendat e BE. Madje ata kanë paraqitur një draft-rezolutë për këtë gjë.
Por, pavarësisht lobimit të fortë që po bën shteti shqiptar, me Italinë në krah, një pengesë e fortë për vendin do të jetë Gjermania. Kjo e fundit ka bllokuar aplikimin për në BE. Një gjë e tillë u raportua para disa ditësh nga agjencia Reuters. Gjermania është treguar e prerë me vendin tonë, dhe shanset janë që qëndrimi i saj të ashpërsohet pas daljes së raportit për zgjedhjet, që me shumë gjasa pritet të jetë negativ.
Duke parandier një gjë të tillë, para dy ditësh, kryeministri, Sali Berisha, u përpoq të bënte shaka në lidhje me vendimet që merren në Bruksel, kur theksoi se Brukseli është një derë që ka 27 çelësa.
Berisha ka përdorur lidhjet e tij me homologë për të garantuar mbështetje. Italia e Berluskonit, që do të “mbjellë” në Shqipëri një TEC super-gjigant me qymyr, ka kohë që bën lobing për vendin tonë, por duke dështuar rregullisht. Edhe për sa i përket vizave, premtimet e italianëve ishin krejt në ajër.
Nga ana tjetër, Greqia e Karamanlis, pasi mori përmes një marrëveshjeje të dyshimtë pjesë nga hapësira jonë detare, ka nxituar të bëhet krah i qeverisë Berisha. Megjithatë, si Italia, ashtu dhe Greqia kanë mbetur në stadin e deklaratave, pa mundur të ndikojnë në vendimmarrjen e Brukselit.
Shqipëria nuk arriti as të marrë liberalizimin e shumëpremtuar të vizave, duke qenë e vetmja me Bosnjën e Kosovën pa një sistem të tillë.
Ministri Basha deklaronte vazhdimisht se kjo do realizohej falë mbështetjes së kreut të Komisionit Evropian dhe ndihmës së fqinjëve.
Por ditën kur u mor ky vendim, Barroso dhe Frattini nuk dukeshin gjëkundi.
Më pas, nga ana e qeverisë nisi një fushatë mashtrimesh se vizat do të liberalizohen në mes të vitit që vjen apo që Shqipëria është përpara fqinjëve, por është diskriminuar. Këtyre deklaratave u vuri vulën ambasadori gjerman, kur deklaroi se nuk duhen bërë më premtime boshe, por duhen përmbushur kushtet, të cilat kanë qenë krejt të qarta.
Në vlerësimin e përgatitur nga Komisioni Evropian për vendin tonë, për procesin e vizave, thuhej se kushtet janë të qarta dhe se vendi nuk duhet të synojë përmes lobingut politik të marrë favore.
Por duket se Shqipëria ka qenë vërtet shumë mbrapa e madje është treguar shumë e mefshtë në këtë drejtim, pasi Mali i Zi dhe Serbia nuk kishin plotësuar të gjitha kushtet, por morën premtimin se do lëvizin pa viza.
Zgjedhjet
Deklarata e parë fillestare e monitoruesve ndërkombëtarë, një ditë pas zgjedhjeve, linte në klasë Shqipërinë, por sërish pritej që procesi i numërimit dhe ai i shqyrtimit të ankimimeve të ishte më transparent dhe konform ligjit. Një raport i ndërmjetëm i vëzhguesve të ODIHR, e rrëzoi përfundimisht këtë proces, kur deklaroi se në një të tretën e qendrave të numërimit, procesi ishte i keq ose shumë i keq. Kritika u bënë dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për partitë politike që bënë presion ndaj numëruesve.
Ndërkombëtarët e vijuan shqetësimin e tyre në një tjetër lëvizje. Ata takuan anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, ditën që nisi shqyrtimi i ankimimeve duke theksuar fort se vendi ka nevojë për një qeveri legjitime.
Në mbyllje të këtij procesi socialistët kanë shprehur rezervat e tyre dhe kanë deklaruar se nuk do të njohin zgjedhjet.
Për të pasur një ide se çfarë qëndrimi kanë në Bruksel për zgjedhjet, mjafton të shikojmë se si u anashkalua Tirana në turet ballkanike të kryediplomatit të BE, Havier Solana dhe të Komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn.