E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj rikthen në detyrë drejtorin e burgjeve, liroi të burgosurit që ndihmuan PD në zgjedhjeNga TemaMinistri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka rikthyer dje në krye të burgut të Rrogozhinës, Ylli Zdrava, i cili akuzohet për korrupsion, pasi u shist

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Alibeaj rikthen në detyrë drejtorin e burgjeve, liroi të burgosurit që ndihmuan PD në zgjedhjeNga Tema

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka rikthyer dje në krye të burgut të Rrogozhinës, Ylli Zdrava, i cili akuzohet për korrupsion, pasi u shiste leje të dënuarve. Zdrava u shkarkua po nga Alibeaj rreth dy muaj më parë, ndërkohë që ndaj tij vazhdojnë hetimet nga ana e prokurorisë së Kavajës, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme është duke verifikuar akuzat ndaj tij. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, është shprehur kundër vendimit për rikthimin në detyrë të Zdravës. Kjo tregon qartë se Alibeaj ka pasur detyrime ndaj Zdravës, i cili ka liruar me dhjetëra e qindra të burgosur për fushatë, të cilët u bënë pjesë aktive e saj duke mbështetur Partinë Demokratike.

Rikthimi

Edhe pse drejtori i burgut të Rrogozhinës, Ylli Zdrava, ishte shkarkuar dy muaj më parë nga ana e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ky i fundit ka firmosur në mënyrë të papritur ditën e djeshme rikthimin e tij në detyrë. Vendimi i habitshëm i Alibeajt vjen në kohën kur ndaj Zdravës janë duke u kryer hetime nga ana e prokurorisë së Kavajës, pasi akuzohet për dhënie leje të burgosurve kundrejt shumave të ndryshme parash, që arrinin deri në shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra. Skandali u zbulua nga ana e emisionit investigativ “Fiks Fare”, që me pamjet e veta filmike tregonte vëllanë e drejtorit Zdrava, i cili njëkohësisht ishte dhe shoferi personal i tij, duke i shitur një të dënuari pesë ditë leje, në këmbim të 500 eurove. Një ditë pas publikimit të skandalit me lejet e të dënuarve që jepeshin nga autoritetet e këtij burgu, Ylli Zdrava u shkarkua nga ana e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ministri, pasi është njohur me faktet rreth dhënies së lejeve për të dënuarit në burgun e Rrogozhinës, ka vendosur për shkarkimin e tij. Sakaq, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas publikimit të skandalit, dërguan një grup ekspertësh në burgun e Rrogozhinës për të verifikuar lejet që janë dhënë gjatë muajve të fundit. Grupi i kontrollit ka verifikuar të gjitha lejet e të burgosurve që janë dhënë, duke verifikuar dhe procedurat e dhënies së këtyre lejeve.

Gjatë këtyre kontrolleve u verifikua shitja e lejeve të burgosurve, por çuditërisht ditën e djeshme ministri i Drejtësisë vendosi rikthimin në detyrë të Ylli Zdravës. Ndërkohë, vendimi i Alibeajt ka sjellë edhe reagimin nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vetë kreu i këtij institucioni, Gazmend Dibra, është shprehur i pakënaqur me vendimin e ministrit të Drejtësisë, gjë që mund të sjellë edhe një përplasje mes dy institucioneve.

Akuza

Në emision investigativ “Fiks Fare” të transmetuar dy muaj më parë, u transmetuan pamje filmike që vërtetonin se shoferi i drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, njëkohësisht dhe vëllai i tij, ndërmjetësonte për të siguruar leje për të dënuarit në këmbim të parave. Shuma që duhet të paguanin personat që interesohen për një leje pesëditore ishte deri në 500 euro. Nga pamjet filmike të transmetuara dhe nga bisedat dukej qartë se, shoferi i drejtorit të burgut të Rrogozhinës kërkonte nga 100 euro për çdo ditë leje për një të dënuar. I dënuari për të cilin negociohej për të marrë një leje pesëditore, është liruar menjëherë. Ky i fundit ka deklaruar se në të shumtën e rasteve të burgosurit merrnin leje kundrejt parave. Publikimi i këtij rasti ka nxjerrë në shesh të hapur korrupsionin dhe shkeljen e ligjit, në rastin kur të dënuarit përfitojnë leje. I dënuari që përfitoi nga leja gjatë ndërhyrjes së shoferit të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, ka lënë qelinë më datë pesë maj duke mos u shoqëruar nga asnjë polic. Sipas rregullores së burgjeve, leja shpërblyese nuk mund të jepet më shumë se 10 ditë dhe në total nuk mund të jetë për më shumë se 20 ditë gjatë një viti. Këto kritere janë vetëm për burgjet e sigurisë së ulët, ndërsa ata të sigurisë së lartë kanë të tjera rregulla për dhënin e lejeve për të dënuarit.

Nga lejet që jepen nga drejtuesit e burgjeve, jo të gjithë të dënuarit mund të përfitojnë. Ata të dënuar që kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për shoqërinë, si dhe respektojnë rregulloren e burgut, janë më të favorizuarit për të marrë një leje shpërblyese. Por me publikimin e skandalit të lejeve për të burgosurit e burgut të Rrogozhinës, duket se lejet nuk bazohen mbi kritere të përcaktuara me ligj, por me to abuzohet duke i dhënë kundrejt pagesës që mund të bëjnë të afërmit e të dënuarve.

Lejet që kanë dhënë drejtuesit e burgjeve gjatë kohëve të fundit janë shfrytëzuar nga të dënuarit për të fituar lirinë.

Arkiv

PS: Në burgun e Rrogozhinës janë dhënë 261 leje në muajin maj

27.06.2009

Në këtë fushatë zgjedhore është e papranueshme që personeli i Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale të bëhet pjesë e presionit politik, që ushtrohet ndaj personave të dënuar apo të paraburgosur me qëllim orientimin e votës së tyre. Ne disponojmë të dhëna të shumta zyrtare, që disa prej drejtuesve të këtyre institucioneve shtetërore me arbitraritet e në shkelje të dispozitave të legjislacionit për ekzekutimin e vendimeve penale dhe trajtimin e personave të dënuar dhe të paraburgosur po bëjnë presion të vazhdueshëm te kjo kategori shtetasish për të siguruar mbështetjen ndaj PD.

PSSH konstaton me shqetësim se në disa raste shkelës të ligjit nuk kanë qenë vetëm drejtues të këtyre institucioneve, por dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë apo anëtarë të listave elektorale të PD në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në shkelje të nenit 43 të ligjit nr. 8328, dt. 16.04.1998, në mjediset e IEVP nr. 313 në Tiranë është raportuar prania e deputetit të PD, Aldo Bumçi, dhe disa pjesëtarëve të listës elektorale të kësaj partie në qarkun e Tiranës. Në brendësi të institucionit shtetëror, këta përfaqësues të PD kanë zhvilluar takime me personat e paraburgosur duke bërë thirrje për të mbështetur forcën politike që ata përfaqësojnë. Raste të tjera të këtyre vizitave të shpeshta të deputetëve të PD janë konstatuar dhe në institucione të tjera si në IEVP Peqin.

PSSH nuk është kundër përpjekjeve të PD për të qenë përfituese e votës së asnjë kategorie votuesish dhe për më tepër ne nuk jemi fare xhelozë për përkujdesjen elektorale të partisë suaj ndaj kësaj kategorie, porse nuk mund të lejohet që personat e dënuar apo të paraburgosur të detyrohen të marrin pjesë në këto takime politike, duke u bërë objekt i premtimeve elektorale.

Nuk është vetëm ky fenomen që shqetëson PSSH. Prej gati një muaj në IEVP të Shqipërisë po konstatohet një abuzivizëm i hapur në dhënien e lejeve për personat e dënuar. Ne disponojmë fakte dhe dokumente zyrtare që provojnë shkelje të hapura të ligjit nga institucionet e vuajtjes së dënimit. Vetëm gjatë muajit maj në IEVP Rrogozhinë janë dhënë 261 leje. E njëjta situatë është në IEVP Kosovë, IEVP Peqin, IEVP Lezhë. Personave të dënuar për vepra penale mjaft të rënda, si vrasje, trafik armësh, trafik narkotikësh etj., në shkelje të hapur të normativës ligjore, duke qenë se shumica e këtyre personave nuk ka vuajtur kohën e nevojshme të dënimit për të përfituar leje, u janë dhënë leje shpërblyese dhe për disa prej tyre edhe disa herë brenda një muaji.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›