E Diel, 1 Nëntor 2026

BE Kosovës: Liberalizim vizash, por jo para 2014-ës

Selia e Bashkimit Europian në Bruksel

Bruksel, 15 qershor – Komisioni Evropian ia ka dhënë më në fund Kosovës Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave për të cilin ajo është përfshirë në një process, që mund të çojë deri tek heqja eventuale e vizave për udhëtime në vendet e BE-së të zonës Shengen.

Udhërrëfyesi për Kosovën përmban 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e rajonit.

Ndonëse në Kosovë ka pasur premtime të mëdha nga Qeveria, se së shpejti do të arrihet liberalizimi i vizave, në BE tërheqin vërejtjen se ky do të jetë një proces i vështirë dhe i gjatë dhe nuk mund të parashikohet tani se kur do të mund të përmbyllej. Publikisht, zyrtarët e BE-së janë ndalur në vlerësimet se “gjithçka do të varet nga vetë Kosova dhe shpejtësia me të cilën do ti përmbushin kushtet”, por privatisht në BE pohojnë se “deri në vitin 2014 nuk ka gjasa që të ndodhë liberalizimi, e madje mund të ndodhë edhe më vonë se ky vit”.

(M.A.)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›