Berisha: Hidrocentrali i Ashtës, një kryevepër mjedisore

Kryeministri, Sali Berisha
SHKODËR – Risi botërore, pasi përdor teknologjinë më të avancuar. Ka argumentuar shefi i qeverisë, Kryeministri Berisha, gjatë inspektimit të punimeve sot në hidrocentralin e Ashtës në Bushat të Shkodrës, afërsisht 27 muaj pas fillimit të ndërtimit.
Sipas tij, investimi për ndërtimin e HEC-it është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe i përgjigjet prioritet të qeverisë për energjinë e rinovueshme. “Ky hidrocentral përbën një kryevepër në rrafshin mjedisor, jo vetëm sepse nuk ka cënuar mjedisin, por ai e ka përmirësuar ndjeshëm atë”, ka shtuar Berisha. Kryeministri ka asistuar edhe në vënien për herë të parë në punë të turbinave Hydromatrix të HEC-it Ashta1.
Çrisi do të sjellë HEC-i i Ashtës?
HEC-i Ashtës, i përbërë nga stacioni elektrik Ashta 1 dhe Ashta 2, ka një kapacitet të instaluar prej 53 MW. Duke filluar nga viti 2013, në HEC-in e Ashtës do të prodhohen 240 milion kWh energji elektrike, duke furnizuar me energji 100.000 familje. Vlera e investimit shkon në mëse 200 milionë euro. Nga viti 2012, energjia e gjeneruar do të ushqejë rrjetin shqiptar me 110 kV.
Ky projekt nuk ka asnjë ndikim në mjedis. Energjia do të prodhohet pa shkaktuar ndotje të ajrit, duke kursyer 114.000 ton CO2 në vit. HEC-i i Ashtës zhvillohet bazuar në Mekanizmin për Zhvillim të Pastër (CDM) sipas Protokollit të Kiotos në Kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).
Në fund të periudhës 35-vjeçare të koncesionit, HEC-i do t’i kthehet Shqipërisë.
(M.A.)