Berisha: Pushteti vendor të mbledhë taksat

Kryeministri Berisha ka deklaruar se pushteti lokal duhet të tregojë vendosshmëri dhe kompetencë për të mbledhur dhe menaxhuar detyrimet fiskale.
Gjatë një takimi me Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale, z. Keith Whitemore, Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka mbështetur qeverisjen lokale, përmes projekteve konkrete ndërsa shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar këtë mbështetje të rëndësishme.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Whitemore për fjalët vlerësuese dhe mbështetjen që Kongresi Evropian i Autoriteteve Lokale Rajonale po tregon për qeverinë shqiptare dhe presidencën shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e kësaj presidence si një ngjarje me rëndësi historike, e cila vjen me një domethënie shumë të madhe në vitin jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Më tej, në takim zoti Whitemore vlerësoi bashkëpunimin shumë të ngushtë që Kongresi Evropian i Autoriteteve Lokale Rajonale ka me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e saj Basha, duke përshëndetur marrjen nga ana a tij të kryesimit të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.