E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Mazhoranca dhe opozita duhet të bashkëpunojnë

Kryeministri Berisha përmbyll vizitën dyditore në Bruksel. Porosia e Barrosos: Kuvendi, jo peng i lojërave politike


BRUKSEL - Pas dorëzimit të Pyetësorit në Komisionin Europian, Kryeministri i vendit Sali Berisha, në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, ka takuar Presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy.


Në këtë takim, Presidenti i BE-së theksoi se Europa po vëzhgon krizën politike midis mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa specifikoi se zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri ishin një test në rrugën drejt Bashkimit Europian. Van Rompuy u shpreh se ai do të vizitojë Shqipërinë në një të ardhme të afërt, gjatë një turi që do të kryejë në vendet e Ballkanit.


"I konfirmova Kryeministrit së Bashkimi Europian po i ndjek këto zhvillime me interes dhe vëmendje të madhe. Vitin e kaluar, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje ishin një test vendimtar i demokracisë në progresin e Shqipërisë drejt gatishmërisë për anëtarësim në BE", - tha dje Presidenti i BE-së. Ai shtoi se Komisioni Europian do të japë një vlerësim pozitiv dhe objektiv mbi procesin e liberalizimit të vizave.


Kreu i qeverisë shqiptare Berisha nënvizoi se qeveria që ai drejton do të realizojë çdo reformë për të bërë të mundur integrimin e vendit në BE, ndërsa shtoi se do të bëjë përpjekje për të bashkëpunuar me opozitën. Për domosdoshmërinë e stabilitetit politik ka folur dje edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Berisha.


"Bashkëpunimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës, në reforma kaq të mëdha dhe të vështira, si ato që keni përpara në Shqipëri, është shumë i rëndësishëm. Ne urojmë rezultatet më të mira, jo vetëm në reformat tuaja, por në shumë çështje, si në atë të medias, të administratës, por edhe në stabilitetin politik të vendit tuaj", - tha Buzek, pas takimit.


o dje, kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim edhe me Presidentin e Komisionit Europian, Hose Emanuel Barroso. Sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë, në takim u diskutua edhe për qëndrimin e opozitës ndaj Kuvendit.


"Lidhur me këtë, Presidenti Barroso u shpreh se Parlamenti është një institucion mjaft i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe si tillë nuk duhet të jetë peng i lojërave politike duke shtuar se nuk është aspak normale në demokraci mosmarrja pjesë e opozitës në parlament. Më tej, Presidenti Barroso theksoi se asgjë që bie ndesh me Kushtetutën nuk duhet pranuar", - thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.

Filip Gordon: Qeveria të luftojë më shumë korrupsionin

Senati amerikan: Zgjidhni ngërçin politik

TIRANË - Thirrjet për zgjidhjen e ngërçit politik në vend kanë ardhur dje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komisioni i senatit amerikan për marrëdhëniet me jashtë zhvilloi dje një seancë mbi Ballkanin perëndimor ku u diskutua përparimi i bërë në vendet e këtij rajoni drejt integrimit euro-atlantik dhe sfidat me të cilat ndeshen këto vende.


Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Bashkimit Europian për integrimin e këtij rajoni. Sipas "VOA"-s, ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Eurazisë, Filip Gordon prezantoi përparësitë e administratës së presidentit Obama për rajonin e Ballkanit Perëndimor, një ndër to edhe integrimi euro-atlantik.


Në lidhje me Shqipërinë, ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Eurazisë tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euro-atlantik të vendit, por bëri thirrje që të zgjidhet ngërçi politik. "E mbështesim integrimin Euro-atlantik të Shqipërisë.


Dhe megjithëse qeveria shqiptare duhet të punojë më shumë për të luftuar korrupsionin, ndërsa shpresojmë t'i jepet fund ngërçit politik në parlamentin e vendit, Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon", - tha Filip Gordon.


"Shqipëria, - tha ai, - ka punuar shumë për pajtimin e komuniteteve serbe dhe shqiptare, ka ripërtëritur marrëdhëniet e nivelit të lartë me Serbinë dhe mbështet integrimin euro-atlantik të Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria sapo ka dorëzuar edhe pyetësorin e anëtarësimit në Komisionin Europian".


Kryetari i deputetëve të PD-së, Patozi, reagoi teksa opozita po protestonte jashtë dyerve të Kuvendit


Protesta, Patozi: PS po shantazhon


TIRANË - Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, akuzoi dje opozitën se ajo ka lobuar kundër proceseve integruese të vendit. Protesta e PS-së para Kuvendit ditën e djeshme dhe mospjesëmarrja në seancë plenare, sipas Patozit, tregojnë qartë se lobimi kundër integrimit të vendit nga eksponentët e opozitës ka ndodhur realisht.


Sipas Patozit, përpjekjet e bëra nga përfaqësuesit e opozitës në Tiranë e Bruksel kundër procesit të heqjes së regjimit të vizave kanë rezultuar të dështuara. "Përfaqësuesit e Partisë Socialiste duhet të ishin sot në Kuvend edhe për një arsye tjetër shumë të fortë.


Për të provuar se nuk kanë lobuar që proceset integruese të vendit të ndalen apo të ngadalësohen, për të cilat ka pasur shumë prova dhe fakte të besueshme. Kanë qenë përpjekje të dëshpëruara dhe të pasuksesshme në Bruksel, Tiranë e gjetkë të eksponentëve të saj, kryesisht kundër liberalizmit të vizave.


Mënyra e zgjedhur dhe, sidomos justifikimi i saj për të evituar debatin parlamentar, është një konfirmim i qartë i faktit se ky lobim i shëmtuar dhe i turpshëm ka ndodhur", - tha dje Patozi në Parlament.


Ai reagoi ndaj protestës së Partisë Socialiste, për të mos marrë pjesë në Kuvend për shkak të pezullimit të deputetit Taulant Balla nga seancat plenare për 15 ditë. Kjo protestë, sipas Patozit nuk mund të shantazhojë Byronë e Kuvendit.


Për më tepër, sipas kreut të grupit demokrat, qëndrimi i opozitës, duke u marrë me çështjen e deputetit Balla, ka tendencën për të krijuar konflikte politike artificiale në Parlament. "Duhet të jetë e qartë për këdo se asnjë prej institucioneve të Kuvendit legjitim të Shqipërisë nuk mund të shantazhohen dhe Byroja është njëri prej tyre.


Por, pas vendimit të tyre sot, ne na lind e drejta të mendojmë dhe besojmë se ka një platformë për të krijuar konflikte artificiale në parlament, dhe se rasti Balla nuk është fenomen i veçuar apo rast sporadik", - u shpreh ai. Patozi vuri në dukje se opozita ka të drejtë të protestojë, por ka edhe obligimin për të dhënë kontributin e saj në proceset integruese të vendit.


Patozi theksoi gjithashtu se veprimet e tilla të opozitës tregojnë se opozita nuk e dëshiron integrimin e vendit dhe liberalizimit të vizave për shkak sepse ajo i druhet përfitimit të kapitalit politik që përfiton qeveria shqiptare në këtë rast.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›