E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, në pranga 4 zyrtarë të ALUIZNI-t

OPERACIONI/ Të arrestuarit merrnin 30 000 lekë deri në 1000 euro për të legalizuar ndërtime të ndryshme


DURRËS - Përfundojnë në pranga 4 zyrtarë të ALUIZNI-t në qytetin e Durrësit, ndërkohë që ndaj tyre është ngritur akuza e "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike". Burime zyrtare të policisë së qytetit bregdetar u shprehën se janë arrestuar në orët e pasdites shtetasit Qamil Byberi, Rexhep Kuçana, Gjon Doçi dhe Gentiana Gjepali. Prangosja e tyre u bë pas një hetimi disamujor.


Policia e Durrësit bëri të ditur se dje u realizua operacioni "Legalizimi" dhe në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Durrës u vunë në pranga shtetasit: Qamil Byberi, 65 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Durrës, drejtues i Zyrës së ALUIZNI-t Shkozet Durrës; Rexhep Kuçana, 52 vjeç, lindur e banues në Durrës, përgjegjes i Grupit të Kontrollit të Territorit pranë Zyrës së ALUIZNI-t Shkozet Durrës; Gjon Doçi, 49 vjeç, lindur në Mirditë e banues në Durrës, me detyrë specialist terreni pranë Zyrës së ALUIZNI-t Shkozet Durrës dhe Gentiana Gjepali, 38 vjeçe, lindur në Durrës e banuese në Shijak, përgjegjëse e Grupit të Kontrollit të Territorit pranë Zyrës së ALUIZNI-t Shkozet Durrës.


Në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Durrës, ndaj shtetasve Qamil Byberi, Rexhep Kuçana dhe Gjon Doçi është caktuar masa e sigurisë "arrest në burg" dhe ndaj shtetases Gentiana Gjepali masa e sigurisë "arrest shtëpie" për veprat penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorimit të detyrës".


Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit nëpërmjet zëdhënëses Ornela Cako, ka bërë me dije se në bazë të hetimit të kryer, dyshohet se shtetasit e mësipërm, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si punonjës të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit e Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale të Qarkut Durrës kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën dhe akte korruptive gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje.


Këta persona dyshohet se kundrejt ryshfetit kanë kryer legalizime për ndërtime të papërfunduara brenda afatit të lejuar apo kanë legalizuar për klientët e tyre më shumë ndërtime sesa këta të fundit kishin realisht.


Po në bazë të hetimit rezulton se veprime të tilla janë kryer kundrejt shumave që varionin nga 30 000 lekë deri në 1000 euro, në varësi të madhësisë së ndërtimit të legalizuar. Policia deklaron se "vazhdon puna hetimore edhe për persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›