E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: Qeveria të mos anashkalojë grupet e interesit

Ambasadori Bosh ka kërkuar gjithashtu që opozita të reflektojë ndaj Kuvendit, pasi nuk po miratohen ligjet në Kuvend


TIRANË - Mungesa e opozitës në Parlament ka sjellë vonesa në miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar, veçanërisht për miratimin e legjislacionit penal që i nevojiten 3/5 e votave, duke përmendur këtu edhe ligjin për gjykatën administrative. Këtë shqetësim e ka ngritur dje kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosh, gjatë diskutimit në seancën plenare të Konsorciumit Ndërkombëtar.


Ai kërkoi që opozita të reflektojë gjatë dhe thellë mbi qëndrimin e saj në raport me Parlamentin. Kjo mënyrë operimi e opozitës, ka sjellë sipas Bosh, edhe miratimin e shumicës së ligjeve pa pasur mundësinë e diskutimeve të tyre me grupet e interesit.


"Mungesa e opozitës në Parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme, ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve për të cilat kërkohet një shumicë votash, prej tre të pestave. Pjesa më e madhe e legjislacionit penal kërkon një shumicë të tillë votash, ashtu si edhe ligji i shumëpritur i gjykatave administrative.


Mungesa e opozitës do të thotë gjithashtu që shumica e ligjeve po miratohen pa pasur nivelin e pritshëm të diskutimeve", - tha dje Bosh. Për këtë arsye, Bosh kërkoi që opozita të arsyetojë përballë këtij fenomeni, pasi qëndrimi i saj jashtë Parlamentit sipas ambasadorit, dëmton procesin e formimit të një sistemi demokratik bashkëkohor.


"Po shfrytëzoj rastin për t'i kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta, të cilat tashmë de facto po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern. Duhet bërë e mundur që ata të ndjejnë se pjesëmarrja e tyre aktive dhe e vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë është e mirëpritur si me fjalë ashtu dhe vepra", - u shpreh ai.


Por, përveç apelit drejtuar opozitës, Bosh i bëri një thirrje direkte edhe qeverisë shqiptare, që çdo ligj para se të kalojë për miratim në Parlament duhet të diskutohet dhe shqyrtohet me grupet e interesit.


"Do të doja që, po në këtë kuadër, t'i kërkoja qeverisë të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar që të gjitha ligjet të diskutohen nga të gjithë grupet e interesit para se të miratohen në Parlament", - nënvizoi Bosh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›