E Shtunë, 31 Tetor 2026

Likuidohet buxheti ne fund te vitit

Tenderët Ministritë, miliona USD shpenzime ekstra deri më 31 dhjetor

Ministritë dhe drejtuesit e tyre nuk e kanë harruar “avazin” e likuidimit të fondeve të mbetura në fund të vitit. Duke shfrytëzuar lejen që u jep ministri i Financave, shumë dikastere të rëndësishme kanë planifikuar të shpenzojnë dhe të lidhin kontrata disa milionë dollarë për qëllime të ndryshme, duke nisur nga nafta, pajisje zyre, elektronike, makine dhe servis etj., të gjitha veprimet procedurale po kryhen këto ditë, kur thesari bën hesapet e fundvitit dhe si zakonisht, kursimet e mbetura i kalojnë vitit që vjen.

Ashtu si në vitet e kaluara, edhe për 2010-n, Kryeministri, me propozimin e ministrit të Financave nxori një urdhër që ndalonte tenderët pas datës 1 gusht, dhe do të lejoheshin vetëm prokurimet për objekte të veçanta dhe të rëndësisë së lartë. Kaq mjaftoi dhe hapësirën e vogël që lejon vendimi të gjitha ministritë e kanë kthyer në “rrugë” me shumë korsi duke shpenzuar shuma të konsiderueshme.

Kështu, me një vendim të veçantë, marrë në ditët e fundit të muajit nëntor, Kryeministri ka autorizuar Ministrinë e Brendshme të kryejë disa tenderë deri më 20 dhjetor, shuma totale të cilave shkon në rreth 550 milionë lekë, ose gati 5 milionë dollarë. Tenderët janë planifikuar për sigurimin e disa mallrave, si pajisje zyre, me vlerë 16 milionë lekë, materiale të ndryshme për pastrim 4.7 milionë lekë, blerje karburant 104 milionë lekë, pajisje elektronike dhe telekomunikacioni 33 milionë lekë, blerje letër për 21 milionë lekë, shërbim gatimi 134 milionë lekë, për këpucë 5.5 milionë lekë etj.

Një tjetër vendim qeverie i lejon Ministrisë së Arsimit të mbyllë hesapet me disa tenderë brenda datës 31 dhjetor. Në vendim nuk bëhet e ditur vlera e tenderëve, pra shpenzimet që do kryhen, por vetëm objektet që kanë të bëjnë kryesisht për blerje pajisjesh elektronike për shkollat, blerje librash, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash 9-vjeçare etj. Nuk dihet arsyeja e këtyre vonesave nga ana e ministrisë dhe pse Ministria e Financave pranon të shkelë rregullin e vendosur nga vetë ajo, në kuadër të disiplinimit të fondeve buxhetore.

Një tjetër favor i është dhënë edhe Ministrisë së Bujqësisë, nisur nga situata emergjente në veri të vendit, për të kryer disa tenderë që lidhen kryesisht me sigurimin e lumenjve. Ministrisë i janë dhënë rreth 70 milionë lekë për të ndërhyrë në disa diga, ndërsa afati për të lidhur kontratën është caktuar data 20 dhjetor. Dikasteri i Genc Rulit nuk mundi t’i kryejë këto shpenzime gjatë vitit, për dy arsye. E para lidhet me faktin e dështimit të realizimit të investimeve, dhe si pasojë, arsyeja e dytë, Financat ia pranë fondet, duke ua kaluar atyre projekteve që kishin avancuar më tepër. Tenderë deri në momentet e fundit të vitit buxhetor do të zhvillojë edhe Ministria e Transportit, disa gjykata, Radio Televizioni Shqiptar dhe një sërë agjencish të tjera. Përfundimi i gjithë kësaj mbetet te fakti i përsëritjes së gabimeve me shkeljen e disiplinës nga vetë ata që e vendosën si rregull.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›