Mbyllet konferenca e gjuhes
Përfundoi dje në Durrës konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në datat 15-17 dhjetor. Gjuhëtarët propozojnë domosdoshmërinë e shqyrtimit periodik shkencor të standardit, për rishikimin e disa rregullave drejtshkrimore, integrimin e paskajores gege, studime të mëtejshme në sintaksë dhe krijimin e Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik
Mes debateve dhe tezave të ndryshme të hedhura nga gjuhëtarët në tryezën e diskutimit, është mbyllur dje në Durrës konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në datat 15-17 dhjetor. Gjatë këtyre tri ditëve, specialistët e ftuar nga QSA-ja kanë referuar mbi problematikat aktuale të standardit të gjuhës shqipe duke argumentuar edhe pozicionimet e tyre. Programi i kësaj konference pati parashikuar që në fillim pesë sesione shkencore që patën përkatësisht këtë tematikë: Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni; Probleme gramatikore të standardit; Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit; Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore; Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat). Pas çdo referati, specialistët kanë sjellë argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta. Pas çeljes së debatit, rreth një muaj më parë se të fillonte konferenca u vu re një ndarje mes gjuhëtarëve: ata që besonin se gjuha shqipe duhet të përshtatet me zhvillimet e kohës se standardi duhet të jetë i hapur ndaj pasurimeve gjuhësore dhe ishin pikërisht këta specialistë që më së shumti qenë të pranishëm në konferencë dhe ata që dolën në mbrojtje të standardit e paprekshmërisë së tij e që e shpallën këtë qëndrim ende pa filluar konferenca duke e bojkotuar këtë të fundit, ndonëse organizatorët në çdo rast dhe në prononcime publike u shprehën se konferenca nuk synon përmbysjen e standardit. Në fakt, debati i nisur nga refuzimi i disa prej gjuhëtarëve të Prishtinës ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe. Diskutimet vazhduan edhe gjatë tri ditëve të konferencës. Çështja më e diskutuar ku specialistët thuajse ishin në një mendje, ishte domosdoshmëria e hapjes së standardit ndaj pasurive gjuhësore, duke iu referuar kryesisht gegërishtes e më tej çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimin e disa rregullave drejtshkrimore duke synuar të shmangin krijimin e dy gjuhëve: njërës së folur e tjetrës së shkruar. Ashtu siç edhe kishin bërë të ditur, në përfundim të kësaj konference, specialistët kanë dalë në një rezolutë, e cila përmban 12 pika me problemet më të mprehta dhe sugjerimet e ofruara nga kjo konferencë. Hartimi i saj nuk ka qenë aq i lehtë. U deshën disa orë diskutime, të drejtuara nga komisioni shkencor i konferencës në përbërje të të cilit janë Ardian Marashi, drejtori i QSA-së në cilësinë e kryetarit, dhe anëtarët: akademikët Kolec Topalli e Ethem Likaj, Prof. Dr. Imri Badallaj dhe Prof. As. Dr. Valter Memishaj. Në përfundim, studiuesit kanë rënë dakord se standardi, megjithëse u vendos në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore, gjatë gjithë këtyre viteve e ka dëshmuar vlefshmërinë e tij. Fakti që ky standard u hartua në një kohë totalitare ishte një nga argumentet që një pjesë e mirë e gjuhëtarëve përdorën më së shumti për të argumentuar kërkesën për një pasurim të normave gjuhësore të vendosura më 1972. “Praktika e përdorimit të shqipes standarde në këto dyzet vjet dëshmon se shqipja, ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara, ka nevojë që t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet”. Ky është përfundimi i dytë i konferencës që pasohet me nevojën e shqyrtimit më tej të disa rregullave të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores -ë ka nevojë për rishqyrtim. Në po të njëjtën linjë, si pikë e katërt kërkohet që të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve. Pika e pestë ka të bëjë me diskutimin mbi leksikun.
“Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme”, thuhet në rezolutë. Pika e gjashtë i referohet punës për begatimin, njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë në të gjitha fushat. Në vazhdën e problematikave specifike që lidhen me funksionimin e standardit është menduar që në sistemin morfologjik, të rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, për një saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e përjashtimeve të shumta. Nisur nga përdorimi i gjerë, në pikën e tetë të kësaj rezolute kërkohet të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes. Pika e nëntë sugjeron që studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës, ndërsa pika e dhjetë lidhet me përdorimin e shqipes në hapësirën mbarëshqiptare. “Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare”, thuhet në këto përfundime. Pika e njëmbëdhjetë e rezolutës ku thuhet se “Në konferencë u shfaqën edhe shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe me përdorimin e shqipes. Konferenca dëshmon se debati për çështjet e normës së shqipes dhe të përdorimit të saj është një debat pjellor, i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes”, është më shumë një përligjje e organizimit të kësaj konference shkencore. Duke diskutuar mbi domosdoshmërinë e pasurimit dhe hapjes së standardit, vazhdimisht është diskutuar se kush do ta kishte tagrin për ta bërë këtë proces. Në intervista, gjuhëtarët kanë dhënë mendime të ndryshme, herë duke iu referuar një komisioni, një kuvendi, një konference tjetër shkencore apo edhe Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe i cili është ngritur pranë Akademisë së Shkencave në vitin 2005, por që ka funksionuar vetëm vitin e parë. Pika e fundit e rezolutës së konferencës sqaron edhe qëndrimin e unifikuar në përfundim të këtij aktiviteti. Kështu është propozuar krijimi i Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik. Në rezolutë thuhet se kjo mund të jetë një rrugë e mirë për t’u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës, dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes. Në përfundim, organizatorët nuk e kanë konsideruar përfundimtare këtë konferencë. Sipas tyre, në perspektivën e përfundimeve më sipër, duhet vijuar me studime të thelluara për çështje të veçanta, si dhe duhen gjetur mënyrat dhe mundësitë që puna e nisur të vazhdojë në mënyrë periodike, në përputhje edhe me porosinë e dalë nga Kongresi i Drejtshkrimit, në të cilin u sanksionua kodi normativ i shqipes: “Struktura e sotme e gjuhës letrare është e hapët e do të mbetet e tillë. Përndryshe zhvillimi i gjuhës letrare do të ndërpritej. Ai që ne quajmë ‘kristalizimi përfundimtar i normës’ në të vërtetë nuk është kurrë përfundimtar, i përjetshëm, statik; ai duhet kuptuar si vendosje e një qëndrueshmërie tipike, por relative të normës, e cila është dinamike, zhvillohet e përsoset”. Në fakt, mbetet për t’u parë nëse debati i nisur rishtazi mbi këtë çështje do të gjenerojë një punë studimore dhe një angazhim të gjuhëtarëve për të dalë në një përfundim të përbashkët. Këta 20 vjet kanë dëshmuar se kjo çështje është marrë, rimarrë e lënë sërish pezull.